MËSO TË DASHUROSH nga Kujtim Agalliu

Kujtim Agalliu

MËSO TË DASHUROSH
  -tregim-

Unë e di se ti pret një përgjigje nga unë, por as që të shkon në mendje sesa të vështirë e kam të të them të vërtetën ashtu siç është. Kur erdha te ti atë ditë, nëpër shiun e imët të marsit, nuk më shkonte mendja se puna do të arrinte deri aty. Edhe sot e kam ndjesinë e asaj letre të palosur që më fute nën dorë kur u ndamë te dera e shtëpisë sate. Ende i kam parasysh aty që ndodhën dhe dhimbjen që më shkaktoi zhgënjimi që pësova atë ditë. Nëse do ta dija se çfarë do të ndodhte nuk do të kisha marr mundimin të vija, duke e shpërfillur shiun dhe të ftohtit e asaj dite. Por mënyra sesi më fole në telefon më shqetësoi me të vërtet dhe mendova se diçka e keqe do të te ketë ndodhur. Ti nuk më kishe telefonuar asnjëherë më parë, prandaj dhe ndikimi i asaj telefonate tek unë ishte tepër i madh.

E lexova letrën tënde, jo njëherë por disa herë. Por ato që më thoshe dukej se ishin parapërgatitur që më parë, se atë ditë unë nuk të pashë të shkruaje gjë. Madje edhe kushtet nuk ishin të përshtatshme për të më shkruar, sepse shtëpinë e kishe me njerëz. Prania e tyre edhe mua më vuri në siklet. Nuk dija si të sillesha dhe po rrekesha të kuptoja se cila ishte ajo çështje që të kishte shqetësuar aq shumë sa të kërkoje ndihmën time. Gjithçka që pashë, sapo kalova pragun e shtëpisë sate në katin e parë, ishte ish i dashuri yt, vajza dhe një fqinjë që nuk i shkulte sytë nga grepat, ngaqë po thurte një triko. Sapo e pashë menjëherë më shkoi mendja se do të ishte me origjinë nga Korça. Për një çast më kujtoi udhëtimet me trenin që vinte nga Pogradeci dhe gratë apo vajzat e ulura aty këtu duke thurur. Ndoshta kjo ishte një mënyrë e mirë për të shtyrë udhëtimin e gjatë deri në Tiranë. Pas saj ishte ulur vajza gjashtëmbëdhjetë vjeçare që shikonte me kërshëri nga unë. Ajo rrinte e heshtur dhe sytë i kishte ngulur mbi duart e saj që i kishte futur mes shalëve nga të ftohtit. Ndoshta ajo ishte mësuar me vizitorë të panjohur.

E hoqa vëmendjen që andej dhe u ula në vendin që më tregove ti. Gjithë e gjithë në atë paradhomë të vogël, një divan dhe dy karrige ishin. Në krah të divanit kishe një bufe të vjetër kushedi se prej sa vitesh, ku mbaje gjërat e vogla për të qerasur njerëzit. Më erdhi keq, sinqerisht që u ligështova, sepse ai mjedis, me të cilin u përballa në shtëpinë tënde, fliste qartë për fukarallëkun në të cilin jetoje. Më  kishe thënë se ishe e varfër, por deri në atë pikë nuk mund ta imagjinoja. I dhashë vetes zemër për të pirë atë gotë të vogël me raki që më mbushe te bufeja, për të më qerasur.

Të urova dhe e piva rakinë me qibër të madhe. Herë – herë i hidhja sytë nga ish i dashuri yt, një burrë i moshuar dhe i rrudhosur si lëkura e pa argasur. Kapelën e kishte ulur deri mbi vetullat e trasha dhe të pa prera asnjëherë në jetën e tij. E kisha njohur qysh më parë, por edhe ti më kishe thënë që nuk mund ta zboje dot se të mbante me bukë, bashkë me vajzën. Ndërsa pija ngadalë rakinë unë rrija e mendoja. “Pse të më ketë thirrur kjo kaq urgjent? Këtu unë nuk po shoh ndonjë gjë të veçantë. Për çfarë i duhej ndihma ime. Si mund ta ndihmoja pa ditur shkakun pse më kishte thirrur. Mos e kishte kërcënuar ish i dashuri dhe donte dikë për t’u përballur me të?”

Kështu mendoja me veten time kur ti, që mbaje sytë te gota ime dhe ndiqje në heshtje çdo gllënjkë që pija, sapo mbarova ndërhyre dhe u the të pranishmëve:

– A mund ta marr pak Lulëzimin dhe të shkoj nga dhoma matanë? Dua të bisedoj diçka veças me të.

Askush nuk e kundërshtoi kërkesën tënde. Të gjithë me një gojë të thanë se mund të më merrje, pa problem. U ngrita dhe të ndoqa pas. Në çdo hap që hidhja kureshtja më shtohej më shumë. “Ç’të jetë ky problem që u dashka diskutuar mënjanë? Ç’të keqe kishte ta dëgjonin edhe të tjerët. Fundja, ata ishin njerëzit e tu të familjes dhe nuk kishe pse të mbaje sekrete.”

Por pamja që m’u shfaq para syve më la pa mend.  Zot, moj mike, a nuk të erdhi pak zor nga unë që vija për herë të parë në shtëpinë tënde? Në atë dhomë, që kishte shumë gjasa të ishte dhoma e fjetjes më ranë në sy copa sfungjeri të hedhura vend e pa vend, pjata me ushqime të lëna përgjysmë e të pa zbrazura dhe disa miza që vinin rrotull e çukisnin nëpër to, megjithëse pranvera ishte ende larg. M’u duk se kjo ishte dhoma juaj e vetme, sepse nuk vura re ndonjë derë tjetër ngjitur me të. E hoqa vështrimin nga ajo pamje tronditëse dhe të pyeta:

– Pa më thuaj, çfarë halli kishe që më nxore nga shtëpia nëpër shi?

Ti m’u hodhe në qafë, më afrove buzët dhe duke më puthur më the:

– Ja, këtë kisha! Çfarë halli tjetër kam, veç fukarallëkut. Unë të kam dashur që kur u takuam për herë të parë rastësisht në klubin e Vitos. Më le përshtypje të mirë, por kam pasur frikë të te hapem. Dukesh pak i rëndë dhe i ftohtë ti, prandaj… – dhe vazhdove të çukisje buzët e tua në të miat, që kishin marrë të ftohtin e atij marsi me vete.

Të them të drejtën më le pa mend. Çfarë prisja dhe çfarë na doli. Hane Shan, hane Bagdad, si i thonë. Jo vetëm veprimi yt i papritur më hutoi, por edhe buzët e ftohta akull, që nuk më dukeshin si buzët e një të dashuruare, të parapërgatitura për raste të tilla, më bën të sprapsem. Edhe ti, të kujtohet, apo jo, mundoheshe të mos shqiteshe nga qafa ime duke m’u lutur:

– Ë, më qafsh, hajde ta bëjmë! Sa e kam pritur këtë çast! – më pëshpëritje në rrëzë të veshit, për të mos dëgjuar ata që ishin prapa derës.

Siç duket ti je mësuar me këto gjëra, përderisa këmbëngulje që mua të më prishej mendja dhe, nën efektin e epshit, të plotësoja dëshirën tënde. Dhe gati ia arrite qëllimit. Edhe pse isha nën trysnin e atyre sendeve të llahtarshme që pashë në atë mjedis aspak femëror dhe të fëlliqur, një valë e vaktë epshi po më lëvizte nëpër trup, derisa ndaloi për nën shalë. Fillova ta lëshoja veten dalëngadalë dhe e vura instinktivisht dorën te zogu yt nën pantallonat e xhinsit. Por ende nuk isha i vendosur për atë që do të bëja, ndaj e tërhoqa atë menjëherë dhe e vura përçara fytyrave tona, për t’u shkëputur nga njëri-tjetri, para se unë të marrosesha përfundimisht. Por e di ti, mikja ime se çfarë ndodhi? Ja, po ta them haptas dhe sinqerisht; era e infeksionit dhe e urinës sate më paralizoi frymëmarrjen. “O zot”, thash me vete, ”si më thërret në shtëpi me një mendim të krisur kjo grua dhe nuk i hedh vetes një dorë ujë për të qenë në rregull me veten dhe atë që tundon?”

Edhe ai pak epsh, që filloi të më pushtojë qenien, u shpërnda dhe m’u duk vetja se isha përsëri jashtë, ku pikat e ftohta të shiut të marsit po më çukisnin llapat e veshëve. U shqita me forcë nga krahët e tu. Sinqerisht, më erdhi keq tek të pashë ashtu të tulatur dhe të zhgënjyer, por më beso, ishe ti vetë, ajo që më sprapsi, edhe pse erdha i papërgatitur për një aventurë të tillë. Pasi e pe se unë nuk kisha ndërmend të bëja asgjë me ty, ti i ule sytë e zhgënjyer përmbi dyshemenë e dhomës dhe ndenje gjatë pa ditur se ç’të më thoshe. Por edhe unë nuk kisha çfarë të të thosha. Gjithçka ta pata thënë me veprimin tim. Pastaj i ngrite sytë e shuar dhe duke më parë në fytyrë në the:

– Mirë, mirë, unë nuk prisja të përfundonte kështu, por të paktën më jep pesëqind lekë se jam hollë nga gjendja.

O zot, sa u habita! M’u duk sikur para syve kisha një prostitutë dhe jo një mike që më paska “dashuruar” në heshtje.

Natyrisht që t’i dhashë, nuk mund ta ulja veten time për një pesëqind lekësh, por me këtë që the, ti prapë e demaskove veten tënde. Nga njëra anë më the se më dashuroje, nga ana tjetër më kërkove para. Po mirë, të pyes unë ty: nga dallon një prostitutë nga një femër tjetër që të dashuron vërtet? Në rast se ti fut interesin material në marrëdhëniet e tua intime, atëherë mos thuaj se dashuron, por se je nevojtare dhe halli të ka detyruar të veprosh kështu. Në rast se kishe këtë qëllim, edhe unë do të mendohesha mirë para se të merrja rrugën nëpër atë shi të imtë e të ftohët marsi, që nuk kam për ta harruar kurrë. Por një gjë ta them sinqerisht, mikja ime, një mashkull nuk është ashtu siç mendon ti, apo ndonjë tjetër si puna jote. Edhe ai di se ku të futet dhe ka parapëlqimet e veta. Jo të shkojë me të parën femër që i del përpara. Ai mund të futet në një livadh të gjelbër i joshur nga bukuria e tij, edhe pse aty ndonjë lopë mund të ketë lëshuar ndonjë bajgë, por kurrsesi në një gjiriz të tillë si ai që pashë unë në shtëpinë tënde.

E di, do të trishtohesh, do ofendohesh, do të ulërish nga mospërfillja dhe do të qashë, kur të lexosh këto që po të shkruaj por, më beso, edhe ti duhet të dish ta presësh një njeri, që pretendon se e dashuron, ashtu siç i ka hije një femre. Së pari, mikja ime, të joshësh burrat mëso të dashurosh dhe jo të shtiresh, ashtu siç më mashtrove mua.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.