MJERË UNË nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

MJERË UNË

Nuk erdha të dashurohesha me ty,
Jam i dashuruar dhe ndofta aq shumë,
Sa nuk e di pse ty të rri në kokë mendimi,
Të ma thuash e të ma thuash pa fund.

Unë jam i lumtur që të pashë të lumtur,
Siç jam dhe unë i lumtur dhe krejt i qetë,
Me fëmijët dhe me gruan time të bukur
E me ndonjë gotë vere në tryezë për qejf.

Nuk erdha të dashurohesha me ty, moj e mirë,
Mjerë unë, po të të kisha sjellë dhe lule…
As çadër nuk pata, por ti të jesh e sigurt,
Se shiun nuk do ta lija të të prekte mbi supe.

Nuk erdha të dashurohesha me ty, moj e bukur,
Që si simfoni ere nga pas po më shkund.
Mjerë unë po të të kisha sjellë dhe lule
E për ndonjë puthje të mendoja…, mjerë unë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.