MJESHTRI DHE TREGTARI Nga Kujtim Agalliu

Kujtim Agalliu

MJESHTRI DHE TREGTARI
-përrallë-

Njëherë e një kohë jetonte një mjeshtër i dëgjuar. Ai ndërtonte shtëpi të bukura. Të varfërve u merrte pak të holla, kurse të pasurve shumë. Të pasurit e dinin këtë, por s’kishin ç’t’i bënin. U ngrit një ditë njëri nga tregtarët më të pasur të qytetit dhe u tha shokëve:
– Do t’ia punoj unë këtij, që ta mbajë mend. Do ta vë të me bëjë shtëpinë e re dhe do ta sajoj punën në mënyrë të atillë, që të mos i paguaj asnjë lek.
Thirri mjeshtrin në shtëpinë e tij dhe i tha:
– Dua të më ndërtosh një shtëpi të re, që s’e ka parë njeri asgjëkund mbi dhe. Dhe unë do të të paguaj aq para, sa ti s’i ke marrë kurrë gjatë gjithë jetës tënde, o plak.
Mjeshtri i mençur mblodhi shokët dhe i pyeti:
– Si thoni, ia ndërtojmë dot një shtëpi të bukur këtij tregtari?
– Qysh, ore, jo. Të kemi ty të parë ne! Çfarë s’bëjmë me ty! — u përgjigjën me një zë ustallarët.
Dhe kështu iu vunë punës pa humbur kohë. Punuan dy vjet me radhë dhe me në fund shtëpia u mba¬rua. Të gjithë që e shikonin, thoshin:
“Pah, ç’shtëpi e bukur! E përsosur! I lumtë mjeshtrit!”
Po ç’bëri tregtari, do të thoni ju. Vrau e vrau mendjen se si t’ia mbante hakun e punës mjeshtrit.
I doli përpara dhe e thirri.:
– Ec këtu, o mjeshtër! Ju lumshin krahët! E shoh që shtëpinë ma keni bërë të bukur siç e kërkova.
– Ta gëzosh! — ia ktheu mjeshtri. – Tani na jep paratë të ikim se s’kemi kohë!

– Dale, prit njëherë! Para se t’jua jap, dua të me ndërtosh edhe një shtëpi tjetër, por ama në qiell! – tha tregtari gjithë djallëzi.
Pasi u mendua pak, mjeshtri u përgjigj:
– Paguaj njëherë për këtë që bëmë! E sa për tjetrën shohim e bëjmë, zotëri.
– A, jo, jo, se më ikën ti ec të të gjej pastaj.
Iu kthye shokëve mjeshtri dhe u shkeli syrin:
– E dëgjoni se ç’thotë ky? A ia bëjmë dot një shtëpi në qiell?
– Qysh, ore, jo! Të kemi ty të parë ne! Çfarë s’bëjmë me ty!- -përgjigjen edhe ata duke i shkelur syrin. Atëherë mjeshtri i tha tregtarit:
– Pranojmë. Unë dhe shokët e mi do ta bëjmë shtëpinë që dëshiron.

– Tani shko e porosit të na sjellin materialet te vendi ku do të ngresh shtëpinë !
Tregtari mblodhi supet i habitur. Ai mendoi me vete: “More po ky paska luajtur mendsh! Po a ngrihet shtëpia në qiell? Sa budalla qenka! Si nuk e kuptuaka se ky është që unë të mos i paguaj asnjë lek!”
Pastaj shtoi me zë:
– Të gjitha materialet e nevojshme do t’i kesh këtu nesër që pa gdhirë. Dëgjove? Ama, po s’ma ndërtove shtëpinë që të thashë, ta dish mirë se s’do të të jap asnjë lek.
Mjeshtri s’bëri zë. Ai vetëm nënqeshi paksa, sikur donte t’i thoshte tregtarit: “Të shohim kush do t’ia hedhë shokut!”
Të nesërmen, te vendi i caktuar u bë një goxha grumbull me lloj – lloj materialesh: tulla, gëlqere, gurë, dërrasa e rërë. Karvanin e shoqëronte tregtari dinak.
Mjeshtri e vështroi me përbuzje dhe, për ta hequr qafe, i thirri që larg:
– Tani ik, se duam të punojmë të qetë! Po të na nevojitet ndonjë send tjetër të çojmë fjalë.
Mjeshtri priti sa ra mbrëmja, thirri të varfrit e pastrehë dhe u tha:
– Merrni ç’ju zë syri dhe ngrini shtëpi të reja, se jeni jashtë, o të uruar!
Dhe kur ata i morën të gji¬tha dhe sheshi mbeti i zbrazët, mjeshtri bëri një balonë të madhe. Ndër¬sa çekanët që ndërto¬nin muret, dhe sharrat qe prisnin dërrasat, mjeshtri e kishte lëshuar balonën në qiell dhe litarin e kishte lidhur te një pemë. Pastaj u tha shokëve të largoheshin dhe i dërgoi fjalë tregtarit të vinte.
Kur ai erdhi, mjeshtri i tha:
– Ec, zotëri, se na mbeti puna në mes! Nga qielli sapo më lajmëruan se duhen edhe ca tulla e dërrasa! Punëtorët janë të lodhur dhe nuk mund të zbresin poshtë, — dhe tregoi me dorë balonën, .që dukej si një njollë e zezë. — Prandaj, të lutem, dërgo ca hamej që t’i ngjitin dërrasat atje lart! Tregtari shqeu sytë. Ai vërtet pa lart në qiell njollën e zezë dhe nuk po e kuptonte dot se ç’ishte, pasi rreth e qark kishte filluar të binte muzgu i mbrëmjes.
– Ja ku e ke rrugën! – tregoi mjeshtri me dorë litarin, pa e fshehur dot talljen. rrugën!
– Ç’ia këput kot, ore ti! Pse rrugë është kjo? Ky është litar! — bërtiti tregtari i zemëruar.
– Ashtu, litar është, po, kur e shkel këmba e njeriut, bëhet rrugë. Mjaft e zgjatëm! Do japësh urdhër t’i çojnë dërrasat, apo ta lëmë punën përgjysmë.
Tregtari i hodhi sytë sheshit të zbrazët, pastaj vështroi njollën e zezë lart në qiell dhe nuk dinte ç’përgjigje t’i jepte mjeshtrit të mençur. Kuptoi se e kishte pësuar keq, por tani ishte tepër vonë. Mezi belbëzoi:
– Po dale, ore mjeshtër, dale, mos u rrëmbe! Ta mendojmë njëherë!
– S’kemi ç’të mendojmë kaq gjatë! Hë, si thua, — nguli këmbë mjeshtri, të cilit i shkëlqenin sytë nga kënaqësia, — o ngjiti dërrasat, o e lamë punën! S’kemi kohë për të humbur.
Dha e mori tregtari, nuk kishte -nga t’ia mbante. Që të mos e tallnin e ta quanin budalla tha:
– E di ç’ke ti? Nuk e lëmë fare këtë punë?! Shtëpinë ta quaj të mbaruar dhe të jap lekët që të takojnë. Mirë?
Mjeshtri bëri gjoja sikur po mendohej të pranonte. Më në fund ia priti:
– Qoftë e bërë! Nxirr paratë.
Më pas i ra lapsit tregtari dhe pa se dredhia e tij i kushtoi shtrenjtë. Pa le, po i kishin shkuar dëm gjithë ato materiale.
I ra lapsit mjeshtri dhe doli i fituar. Vërtet i mori paratë e mundit të vet e të shokëve, por bëri me shtëpi edhe gjithë të varfrit e qytetit.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.