MODESTIA E PRESIDENTËVE AMERIKANË nga Agim Shehu

Agim Shehu

MODESTIA E PRESIDENTËVE AMERIKANË

Te Presidentët amerikanë modestia është veçanërisht e hijëshme (kurorat e reve majë lartësive duken më të bukura). Të tillë ata janë më të besueshëm dhe populli u vete pas më me dashuri.
Linkoln thotë: «Karakteri i ngjan pemës kurse fama është hija e saj. Ne kujdesemi për hijen kur në të vërtetë duhet të mendojmë për pemën». Më tej gjykon më pranë vetes: «O njerëz, unë nuk ia kam lejuar kurrë vetes që të mendoj se jam burri më i mirë i këtij vëndi…Unë nuk them se i kam pasur nën mbikëqyrje ngjarjet; unë pranoj zemërhapur se ngjarjet kanë pasur mbikqyrje mbi mua» (të kujton thënien e Biblës: «njeriu kur ecën nuk kujdeset dot të drejtojë hapat e tij»).
Modestia dëshmon se gabimet në punë janë brënda natyrës së njeriut, zikzake të spjegueshme udhe veçanërisht në një vënd të madh që çan mes të panjohurash të mëdha (“errore humanum est” – gabimi është njerëzor, thonin latinët, e plotësuar nga këshilla njerëzore e Uashingtonit: «Mos shpreh kënaqësi për fatkeqësinë e tjetrit qoftë dhe kur është armiku yt»)! Kjo nuk do të thotë që e mira dhe e keqja të humbasin kufijtë dhe e para t’i bëjë lëshime të dytës, së keqes. Uashington më tej plotëson: «Më mirë vetëm se me një shoqëri të keqe». Me po kaq thjeshtësi fisnike Presidenti i parë amerikan shton: «Kam qënë i dëshpëruar nga nderime të tepërta për shërbime të mia, sadoqë njerëzit nisen nga kënaqësi të ndërgjegjëshme për bëmat e detyrës sime, vlerësuar veçanërisht nga miqtë e mi».
Kjo modesti presidentësh mbetet mësim për ata që vinë pas; mbetet po ashtu mësim krahasimi për drejtues vëndesh të tjera. Sa më hapur të pranohet gabimi aq më shumë ai largohet nga faji.
Modestia është porta e parë e pranimit çiltër të gabimeve të mundëshme (përjashtohet modestia e trilluar që fsheh fajet dhe synon të mbulojë fajtorët siç mbulon lëkura e bukur gjarpërin). Mbivlerësimi i vetes është hapi parë i vetërënimit (thuhet bukur në Shkodër – të hyftë vetja në qejf -)!
Mendimi poshtë i njerëzve, ai që quhet ‘opinion shoqëror’ është i fuqishëm dhe vepron si fuqi magjie, i padukshëm nga ç’pikë buron e sa e ka shtrirjen. Shpesh ai nuk përfillet pasi nuk ka njohje legale dhe vulë pushteti, megjithatë pa lejen e askujt dhe pa frikën e asnjeriu ai jeton si zagushia që kur arrin pikën e vlimit jep ciklone të papërballueshme. E shpreh saktë Linkoln: «Mendimi i shoqërisë është gjithëçka. Po u mbështete aty kurrë nuk humbet. Pa mbështetjen e tij askush nuk fiton». Më tej jep gjykimin e njohur universal: «Nëse besimin te qytetarët tuaj ju e humbni një herë, nderimin dhe vlerën nuk mund ta rifitoni kurrë më prej tyre. Është një e vërtetë, se mund ta mashtrosh një popull të tërë për ca kohë; mund ta mashtrosh një pjesë të popullit përgjithmonë, por një popull të tërë nuk mund ta mashtrosh kurrë përgjithmonë ».
Te presidentët amerikanë modestia nis që me vlerësimin e saktë të detyrës së rëndë. Kulixh shkruan: “Do të qe përparësi më e madhe për presidentët dhe energji më e madhe për sigurinë e atdheut nëse do të dish që Presidenti nuk është një ‘i madh’ ” dhe shton me humor: «Në këto kohë unë nuk jam më i përshtatëshmi për President. Mendoj se populli amerikan kërkon një gomar solemn për president, dhe unë kam dalë i tillë»!
Pasi e kish lënë detyrën e presidentit, Taft tha mes njerëzve: “Unë nuk e mbaj mënd nëse dikur kam qënë president”! Për famën shton: “Sa më shumë t’i vini rrotull aq më shumë ajo ka prirje t’i largohet përqafimit tuaj” (një mendim të tillë jep Plutarku te “Jetët Paralele” për njerëzit e shquar: “fama është si hija në diell e njeriut; sa më shumë i largohet trupi aq më tepër hija e ndjek pas. Po u ktheve ta ndjekësh ajo të largohet”).
Duke gjykuar se presidenti nuk është i pazëvendësueshëm a i ardhur nga Zoti, Ajzenhauer e afron atë me qytetarin e thjeshtë: “Politika mund të qe profesion i çdo qytetari” dhe e përforcon mendimin: «Kur mendimet e një presidenti bien poshtë…ahere unë them se Kongresi (Kuvëndi) nuk qënka shtrat i trandafilëve» (një mendim të tillë e kish thënë Polk 100 vjet më parë: «Tek unë, e kjo s’vihet në dyshim, Presidenca nuk është shtrat me trandafilë»). Ajzenhauer shton: «Mos mendo se mund të mbuloni krimet duke fshehur dëshmitë si të paqënësishme»! («Në fund të fundit – shkroi me kohë Presidenti Fillimor – një humbje e ndershme është më burrërore se një fitore e pandershme»).
Nëse presidenti dëshiron të ketë jetësi të gjallë, T. Rusvelt arsyeton se “burimi vërtet më i rëndësishëm i fuqisë dhe sigurisë është mbajtja gjallë e besimit te populli”. Për përballimin e detyrës ai kërkonte dhe ndihmën e Zotit: «Nëse do ta përfytyroja veten saktësisht siç ndjehem, do thirrja Zotin dëshmitar në çastin e këtij akti tim të vërtetë (pranimi i presidencës)». Gjetkë u drejtohet zgjedhësve po aq hapur e në humor popullor: «Unë jam i fortë si një dem dhe ju mund të më vini në punë gjer në fund».
Nikson gjykon se detyra e presidentit është një këmborë e rëndë që kërkon qafë për ta mbajtur, aq më tepër për ta tundur. “Politika është art e shkencë – thotë ai. – Një njeri para se të bëhet burrë shteti duhet të jetë politikan”! Kjo i bashkangjitet thënies tjetër të tij: “Po hytë një herë në hapësirën e historisë nuk dilni më dot”. Me këtë gjykim Nikson i kujton çdo kolegu në botë se kur hyn në valle drejtuesi, historinë e ke monedhë me dy anë, “burrë shteti” apo “vrasës shteti” («Prapa më vjen historia» – thotë Ismail Qemali në këngën e popullit).
Fytyra e drejtuesit varet nga virtyti a vesi që mbart, po aq dhe nga prejardhja e të parëve apo rrethi i tij si familje. Një shekull e ca më parë Bushaman qe spjeguar si President: “Në fund të fundit i gjithi ky që jam, unë jam produkt i nënës sime” («te i biri – jetëgjati/ është fshehurë i ati» thotë Naimi). Vetëm në Shqipëri ndodh e kundërta e habitëshme – njerëzit vinë në krye të shtetit a të politikave duke mos u ditur rrënjët, sidomos kombëtare të të parëve – nga vinë e ç’kanë bërë për Shqipërinë!
(Robert Kenedi, vëllai i Xhon Kenedit kujton për të atin e tyre pas të cilit ata ecnin gjersa qenë të paformuar: “Babai na sundonte gjithë shtëpinë…nuk na linte hapësirë për nisiativë”. Historiani Stefan Fox shton: “Plaku Kenedi u ka dërguar 200 letëra djemve…të jenë në lartësinë e duhur…”)!
Në Luftën II Botërore u shkrua shumë për historinë me trimëri të togerit 23 vjeçar Xhon Kenedi, drejtues i anijes luftarake. Ajo u godit nga japonezët e po mbytej. Marinari 35 vjeçar P. Markon u dogj e nuk notonte dot. Kenedi i ri kap me dhëmbë litarin ku shoku i plagosur qe lidhur e po e tërhiqte…Pas katër ore arritën në një ishull si Robinson Kruzo!..Në fushatën e zgjedhjeve një i ri kureshtar e pyet Kenedin që të tregonte si e bëri atë heroizëm, e ai u përgjegj: “Rastësisht. Isha i detyruar se m’u fundos ania”!..Për dështimin e hidhur të zbarkimit në Kubë qau nga dhimbja si President. Qau dhe nga inati që CIA nuk ia kish njoftuar saktë gjëndjen. Megjithatë përgjegjësinë e mori vetë duke thënë fjalurtën: “Fitorja ka shumë prindër; humbja është jetime”. E për çudi, populli amerikan mbi 83 % nisi ta dojë më shumë për çiltërinë. Ahere Kenedi i tha sekretarit për shtypin, P. Salinger: “Vallë ç’marrëzi tjetër u dashka bërë që të më rritet emëri më shumë”?! Ai rrëfen se këtë thjeshtësi karakteri ia frymëzonin dhe miqtë e mirë, e kujton: “Kam marrë këtë telegram prej mikut tim të famshëm Daddy. Ai më shkruan: – I dashur Jack, mos prano asnjë votë të vetme më shumë se e domosdoshmja! Unë do isha i ndyrë po të paguaja për lakmitë” –
Një popull mund të të falë nëse e ke shtypur por nuk ta fal nëse e ke mashtruar. Fyerja rëndon më shumë se çizmja pasi e dyta shtyp trupin kurse e para, fyerja shtyp shpirtin. Në këtë hapësirë të ndjeshme edhe për presidentët Xh. Karter këshillon, jashtë mashtrimeve elektorale: “Nuk kemi besim te një president që thotë se nuk do gënjej kurrë”! (Nikson plotëson: “Pika ime e fuqishme, nëse e kam një pikë të tillë, është mbajtja e fjalës. Unë gjithmonë bëj më shumë nga sa them. Unë gjithmonë jap më shumë nga sa premtoj”).
Karaktere të tilla udhëheqësish kur e ndjejnë se nuk e mbajnë dot premtimin japin dorëheqje menjëherë. Karter u thoshte zgjedhësve: “Si president unë mbase nuk do jem i aftë të siguroj çdo gjë që do t’i pëlqente dikujt! Unë jam i sigurt se mund të bëj shumë gabime. Por unë ju premtoj se nuk do ta provoni kurrë çgënjimin, që hallet të mos ju përfillen, apo se do harrohemi posa unë të marr detyrën”. Më tej shton me humor: “Gjatë fushatës më vështro nga afër pasi si president nuk do jem më i mirë se tani që jam kandidat…Nëse zgjidhem, pas mandatit 4 vjeçar shpresoj se populli do thotë, – ju e dini, Xhimi Karter ka bërë shumë gabime por nuk na tha kurrë një gënjeshtër”!
Truman ndjente paaftësi që të zëvendësonte F. Rusveltin e i mbuluar nga dritat e aparateve iu drejtua reporterëve: “Ndjehem sikur hëna me gjithë yjet e planetet më ka rënë mbi kokë! Lutuni për mua, vëllezër! Kam nevojë për lutjet tuaja”! Në një çast të vështirë lodhjeje shprehet ndershmërisht si ne për hallet tona të ditës: «Ndjej vapë, zagushi e vetmi! Përse në ferr asnjeri nuk do që të jetë kryetar shteti?! Do qe mallkim po ta dija»! Në detyrë, në radhë të parë kish nevojën e ekonomistëve e një çast turbullimi mes tyre thirri: “Ekonomistët herë më thonë kështu herë më thonë ashtu! Ju lutem më gjeni ca ekonomistë të më hedhin vetëm në njerën anë”! Kur F. Piers u zgjodh president i qe drejtuar popullit: “Ju më keni thirrur mua e ju duhet të më mbështesni me fuqinë tuaj”!
L. Xhonson që zëvëndësoi Kenedin pasi ai u vra, iu drejtua po ashtu popullit: “Një plumb vrasësi më ka ngarkuar barrën e tmerrshme të Presidencës. Unë sot jam këtu t’ju them se kam nevojë për tërë amerikanët, në tërë Amerikën”. Gjetkë shton me humor: «Të qënit President është si të qënit gomar mes një stuhie breshëri. Dhe s’ke ç’bën veç të rrish në vënd e të durosh»! Pasi më 1968 e kish humbur luftën në Vietnam hoqi dorë të kandidonte dhe herën e dytë. Linkoln jep mesazhin universal për tërë ata që vihen në krye të një shteti: «Nëse kur të lë frenat e shtetit do kem humbur çdo mik, do kisha dashur të më tepëronte të paktën një mik i vetëm, e ky do të mbetej brënda qënies sime»!
Para një kërcënimi lufte, duke kërkuar ndihmën e ushtarakëve të aftë ish gjenerali i bërë President, Grant iu drejtua popullit: “Unë vetë jam më shumë bujk se ushtar. Në punë ushtrie unë kam pak, ose aspak aftësi”. E. Xhonson kish qënë rrobaqepës dhe kur u bë president sa herë kalonte para një rrobaqepësie ndalte e bisedonte me ustain për zanatin. B. Harrison gjatë luftës Civile, megjithë meritat e shquara luftarake u shprehej qytetarëve: “Unë nuk jam Jul Qezar as Napoleon, jam veç një kolonel i ndershëm, i qetë, me lezete lufte jo më shumë se për një mëngjez, dhe kaq”!
F. Rusvelt në një tubim shprehet: “Unë nuk kam shpresë të prodhoj famë për çdo kohë! Po filloj të pulis sytë. Ajo që dalloj qartë është mundësia më e mirë, më duket, ‘të rrah’ mesataren”! Me një këmbëngulje të tillë F. Rusvelt u nis në udhën e Presidencës, siç përshkruhet në pamje biblike më 1924 kur qe paralizuar: «Hapat e para i hodhi me paterica në sallën e Madhe Presidenciale. U ngrit nga karroca ku rrinte ulur, mbështetet në dy patericat dhe vështron sallën e cila rrinte e ngrirë! Shpërthyen duartrokitje». «Nëse dështon pranoje dështimin ndershmërisht» është një këshillë e tij për çdo president në botë. Larg çdo ndjenje për t’u dukur Ajzenhauer thoshte: “Nuk mund të mendoj gjë më të mërzitëshme për njeriun amerikan se të ngulet pa lëvizur në dhomë e të shohë gjysëm ore të tërë fytyrën time në ekran.”
Truproja e Xh. Bush (Babai) tmerrohej jo njëherë pasi presidentit, ditën e natën i shkrepte e dilte lirshëm në popull, shkonte në kinema me shokë të herët e hante mes njerëzve misëra të zier pa asnjë truproje. Ford shtonte: “Nëse një president nuk shetit lirisht mes qytetarëve ahere në shoqëri ka diçka të rëndë që nuk vete” (jetëshkruesi i T. Rusvelt tregon se kur ky qe komisar policie i Nju Jorkut shetiste rrugëve i vetëm gjer natën vonë pa pasur frikë nga populli, pasi e kish ndërgjegjen të qetë se s’i kish bërë asnjë të ligë popullit).
Pas zbarkimit në Normandi Ajzenhauer, komandanti i Përgjithshëm i dy milionë ushtarëve e 5 mijë anijeve luftarake të zbarkimit, një ditë u drejtua në magazinë për një palë këpucë të reja, dhe po priste mes të tjerëve. Kur i erdhi radha, magazinieri i pa 5 yjet e gjeneralit të madh, e mënd i ra të fikët! Më 1948 demokratët luftuan që Ajzenhauerin ta bindënin për President. Ai shkroi një letër të bujëshme ku thoshte se, si ushtarak nuk lish aftësi për politikë! I caktuan medalje bashkë me Mak Arturin por Ajzenhaueri nuk e mori duke thënë se nuk kish bërë asnjë vepër trimërie! Kjo bardhësi zëmre ia shtoi më shumë emërin.
Modestia merr vlerë të veçantë sidomos për vëndet ku, pasi drejtuesit nuk duan më të dëgjojnë njeri, i mbetet popullit të vendosë me vullnetin dhe urtësinë e tij për fatin udhëkryq të tij dhe të atdheut të rrezikuar. Për këtë Xh. Adams thotë: “A e keni parë mirë ndonjëherë portretin e një burri të madh pa vetinë e nuhatjes së fuqishme ndaj dhimbjes e shqetësimit njerëzor”!? Ai heton veset e mundëshme edhe në kthinat e fshehura të ndërgjegjes së njeriut-president: “Vetëdashja (ambicja) është një bishë tinzare e fushës mendore e morale…Ajo është tepër e shkathët në fshehjen e vetvetes nga vetë i zoti”.
Kulixh flet për sëmundjen, veçanërisht në popujt me pak përvojë demokracie e me tepëri mirëbesimi lashtësie: “Shpesh njerëzit nisin t’i adhurojnë ata që fillojnë të rriten”! Linkoln qe fitimtar si askush e kish mundur “tigrat”, megjithatë për një rast të vetëm i thotë hapur popullit: “Në mbrojtjen e atdheut tim humba te mishkonjat.” Nikson gjykonte më tej: “Të gjithë Presidentët e duan emërin e mirë por më parë duhet të bëjnë detyrën…Kur Presidenti bën një gjë, ai e di se ajo nuk do mbetet e fshehtë”. “Unë kam bërë gabime – tha në përballjen e Uotergejtit – veç në tërë vitet e jetës publike unë kurrë nuk kam synuar fitime…Unë kam paguar çdo cent detyrimi. Në tërë vitet e mia publike nuk e kam penguar kurrë drejtësinë…Unë e kam mirëpritur këtë analizë fajësimi ngaqë kjo kërkon të dijë nëse është apo nuk është i tyre Presidenti.” Harding shprehet po kaq çiltër: “Unë jam një njeri nga një qytet i vogël me talente të kufizuara. Ndoshta këtë nuk ma kuptojnë qartë ngaqë jam president!..Nuk qënkam i përshtatshëm për këtë zyrë e mbase kurrë nuk do të kisha qënë këtu”!
Klinton, sa i aftë dhe i thjeshtë, pohon: “Unë nuk kam rendur drejt kësaj detyre që të ngrohem në kolltuk. Qoftë dhe duke rrezikuar, unë synoj anën tjetër…Ne nuk mund t’i shmangemi njeri tjetrit”! E më tej: “Le të marrim të gjithë më shumë përgjegjësi jo vetëm për veten e për familjen tonë po për tërë shoqërinë dhe atdheun”. Në Librin-Jetëshkrim të tij thotë: “Unë nuk doja të isha President nëse kjo do kish si çmim për popullin rrugë të pasigurta, kujdesje të dobët për shëndetin, arësim të ngushtuar, ajër të ndotur dhe shumë varfëri. Isha i bindur se as populli amerikan këtë gjëndje nuk e donte”. U caktua si prokuror një që s’e vlente e Klinton pohon tepër ndershëm: “…ky ishte Vendimi më i keq presidencial që kam marrë ndonjëherë, i gabuar për nga faktet, i gabuar nga ana ligjore, i gabuar politikisht, i gabuar për Presidencën dhe për Kushtetutën”. Tek përgatitej të linte detyrën, Arafati e përgëzon si njeri të Madh për çështjen e Palestinës, e Klinton përgjigjet: “Z. Kryetar, unë nuk jam njeri i madh. Unë jam një ‘dështim’ dhe ju më keni bërë të tillë”!
Ai la qetësisht detyrën siç e treguan dhe mediat: “U nis te zyrat e tij të reja në Harlem të Nju Jorkut banuar kryesisht prej zezakësh. E prisnin rreth dy mijë vetë duke e përshëndetur të buzëqeshur – Ne të duam, Bill! – Ai iu përgjegj me fisnikëri qytetari – Ju siguroj, do t’ju jem një fqinj i mirë në Harlem”!- T.Rusvelt gjykon: “Asnjë nuk është i përligjur për bëma të pahijëshme me arësyen se u bënë nisur nga e mira”! Vlera e dëmit nuk ulet, pavarësisht me dashje a pa dashje.
Gjenerali Ajzenhauer po bëhej gati të jepte urdhërin e madh për sulmin mbi Normandi ku vendosej nëse fitonte Aleanca apo Hitleri! Në një kohë të zymtë me shira oqeanësh ai thirri si drejt perëndisë: “Okej, le të nisemi! Në është bërë ndonjë faj a gabim përllogaritjeje, përgjegjësia është imja”! Po aq të hijëshme janë fjalët që Presienti Truman i mbante të shkruara mbi tavolinën e punës për çdo gabim që mund t’i ndodhte shtetit nën udhëheqjen e tij, e që i lexonte kusho që hynte aty: “Përgjegjësia është këtu”! Nëse dikush ngul këmbë jashtë logjike e aftësie për të udhëhequr – “O unë o s’ka”, Medison udhëzonte: “Pushteti në duart e një njeriu të tillë është i prirur drejt shpërdorimit”. Një figurë aq e shquar ushtarake si gjenerali fitimtar J. Teylor bërë President u ftoh diku me partinë, e megjithë lutjet nuk pranoi të zgjidhej përsëri president.
Më 1788 Xheferson qe ambasador në Paris e i shkruan një miku: “Me dëshirë të madhe do të mbyllesha në një shtëpizë të thjeshtë, me librat e mi, familjen time e ca miq të herët, të darkoja me ta proshutë të zakontë dhe botën ta lija të lirë të ecte siç i pëlqen asaj, sesa të zë karriken më të bukur të cilën mund të ma dhuronte ndonjë fuqi njerëzore”. Karter e pranoi qetësisht humbjen në zgjedhje, e u shpreh dhe me humor: “Po i lë përgjegjësitë e mia të kësaj Zyre për të marrë një titull më të lartë se ai i Presidentit, titullin e qytetarit”. F. Rusvelt shprehej gjithashtu: “Dua të kthehem në Hyde Parkun tim! Dua të kujdesem për punët e kopështit tim! Dua të marr pagesën e bujkut, të mbaj shtëpinë time të vogël në kodër”! Në fund të detyës Polk shtonte: “Jam me shpirt të gëzuar që koha ime është afër mbylljes e do jem i pavarur” e më tej: “Ndjej lehtësim të tejzakontë që të jem i lirë!..Kam qënë i sigurt se do isha më me fat në pensionin tim se sa kam qënë gjatë katër viteve kur kam mbushur Zyrën më të lartë, si dhuratë nga bashkatdhetarët e mi.”
Në Luftën I Botërore i biri më i dashur i F. Rusveltit, Elioti veshi rrobat e ushtarit e u nis në luftë me shokët. Ai përshkruan çastin e ndarjes me të atin President: “Sytë i kish me lot. Isha fëmia i parë i shtëpisë që po shkoja me dëshirën time në ushtri…Nuk qe në gjëndje të fliste, pastaj tha: ‘Jam krenar me ty‘ dhe ngriti gotën – ‘Për Eliotin! I pari në familje që mendoi thellësisht rrezikun e Amerikës e hyri vetë në ushtri” (ai tregon në Kujtime se i ati President deshi ta merrte ndihmës të tij, por “nuk deshi të merrte leje nga Ministria e Luftës pasi nuk donte që ministrin e tij ta vinte në ngushtim të vështirë”)!
Teodor Rusvelt i dërgoi nën armë të katër djemtë (njeri, Kuinti u vra si pilot). I ati – ish President – kërkoi të shkonte dhe vetë me një njësit vullnetar kalorie por nuk e lejuan si i moshur dhe si vlerë e çmuar. Piloti Xho, vëllai i Kenedit u godit në fluturim e nuk iu gjendën eshtërat. Në rini Kenedin nuk e merrnin ushtar se qe i dobët, e ai iu përvesh gjimnastikës sa erdhi në formë ushtari!
Xh. Adams shprehej në mbyllje të detyrës: “Brënda shqetësimeve tuaja kam ndjerë një lloj rënimi tim e të fëmijve të mi!..Po më rrinë gjatë në mëndje pamjet e mia shtëpiake të bujkut, cicërimat e zogjve e gugatjet e fëmijëve”. Përsërisim më tej thënien e Hayes: „Në politikë unë jam një asnjanës i rritur. E unë do ta pëlqeja këtë detyrë me kusht që pastaj të kthehesha në bujqësinë time dhe te librat e mia në shtëpi” (po kaq bukur e si poet shprehet V. Buren: “Në jetën time kam dy ditë të lumtura, kur hyra tek ajo zyrë Presidenti dhe kur dola prej saj”).
R. Hayes plotëson për karieristët e dështuar që marrin pamje mallëngjimi para zgjedhësve sa t’ia hipin prapë kolltukut: “Melankolia në jetën publike mbetet dëshirë e marrë për të zënë një pozitë të lartë”. Për njerëzit që në drejtim të vëndit kanë dhënë fatkeqësira në vazhdimësi, Ajzenhauer thotë: “Asnjë nuk duhet emëruar në detyrë politike nëse ai do t’i qepej asaj me etje këmbëngulëse”! U. Uilson shton më tej: “Kur një zyrtari fillojnë t’i ngjiten pastulet pas karrikes, atij fillon t’i zerë myk truri. Por ndërsa myku i mobiljeve ndot shtëpinë, myku i trurit zyrtar gangrenizon shtetin, kancerizon demokracinë…Mjeti i shërimit është i thjeshtë: meqë zyrtarëve nuk ua heqin dot pastulet nga kolltuku, ahere të shpëtojmë duke ua hequr kolltukun pa zënë myk më tepër”!
Lexon debatet amerikane mes dy palëve ku shihet dukshëm se shqetësimet demokratike u nënështrohen interesave të përbashkëta kombëtare. Nga kjo, në to ka aq fisnikëri e humanizëm. Në zgjedhje elektorale më pas Xheferson fiton mbi Adams, e biri i këtij të fundit, Xh. Kuins Adams (edhe ai President) ndoqi me bindjet e tij pikëpamjet e Xhefersonit kundër mendimeve të të atit…
Në modestinë e Presidentëve del veçanërisht e ndritëshme fytyra e tyre kur vlerësojnë njeri tjetërin. Kongresi II Kontinental zgjodhi Komandant Xh. Uashington, e Presidenti pas tij, Xh. Adams u shpreh për të: „Ai ka aftësi e përvojë ushtarake si dhe një karakter universal që do gëzojë nderimin e Amerikës e do bashkojë kolonitë më mirë se askush tjetër“ (Uashington e pranoi detyrën me kushtin e tij, që të mos merrte rrogë për detyrën). Adams shton më tej: „Atdheu im ishte nën kujdesin e tij të urtë nën detyrën më të vlerësuar ndonjëherë, burrë i vërtetë i kërkuar, me fantazi të veçantë“. Xheferson po ashtu për Uashingtonin: „Virtyti i tij qe i pastër e pa njollë. Një ndër të rrallët e historisë botërore, aq i papërkulur në dashurinë ndaj drejtësisë”.
Me gjithë lutjet, Uashington nuk pranoi ta zgjaste ndënjien në detyrë e Xheferson shkruan: “Ai qe shëmbull i tërheqjes vullnetare nga detyra pas 8 viteve. Unë do ta ndjek atë. Në shfaqjen më të vogël do kundërshtoj prirjen e kujtdo që do përpiqet të zgjasë detyrën”! E më tej po aq bukur: “Ai nuk qe i aftë që të kish frikë, ai e rrezikonte qetësisht veten. Ndoshta tipari më i fuqishëm në karakterin e tij qe urtësia. Në çdo rrethanë a vlerësim qe i pjekur. Tërësia e tij qe tejpërtej e pastër, drejtësia e tij qe e papërkulëshme…krijesë aq e aftë të paravlerësojë vendimin e tij! Në çdo kuptim fjale qe thellësisht i mënçur, i mirë dhe burrë i madh”. Në një mbledhje të shqetësuar në Shtëpinë e Bardhë F. Rusvelt kujton: “Po shihja pikturën e Uashingtonit në mur: – Dielli buzë malit! – Vras mëndjen, lind a perëndon!? Lindëte…”
Xh. Adams e Xheferson qenë miq rinie e Adams ngul këmbë që Deklaratën e Pavarësisë ta hartonte i pari shoku i tij duke i radhitur arësyet: “1. Ti je nga Virgjinia (si Uashington, Medison…); 2. je më i pëlqyeshëm se unë; 3. shkruan 10 herë më mirë se unë…». Më pas patën ca mospëlqime politike, por mbetet madhështore si e ardhur nga mitologjia ngjarja e fundit: ata vdiqën në një ditë, pikërisht më 4 Korrik, ditën e shpalljes së Pavarësisë. Në shtratin e vdekjes asnjëri prej tyre nuk e dinte se bashkë me të po ikte dhe tjetëri! Adams foli si fjalë të fundit: “Atdheu është i sigurt. Xhefersoni rron”! Tjetëri larg tha gjithashtu për shokun: “Xhon Adams do të shikojë që gjërat po përparojnë”!
Ford ndodhej para një pune të vështirë për të cilën i kërkonin zgjidhje të shpejtë e ai iu përgjegj: “Unë jam Ford, nuk jam Linkoln”! Ulisse shkruan si për mbinjeriun: “Zoti ne na dhuroi Linkolnin me lirinë. Le të luftojmë për të dyja bashkë”! Xhekson foli për vrasjen e ti: “U shtanga nga lajmi i tmerrshëm i vrasjes së Linkolnit…Nuk ndjehem i aftë si ai te kjo detyrë kaq e rëndësishme e me përgjegjësi”. V. Buren vlerëson Xh. Adamsin: “Unë ecij në gjurmët e njeriut të shquar shkëlqimet e të cilit janë lumtërisht detyrat tona”. Për paraardhësin e tij me shumë emër A. Xhekson – dy herë President – vlerëson: “Unë e njoh atë. Këtë detyrë të rëndësishme unë nuk e bëj dot si ai”. Në shenjë nderimi e vlerësimi J. Tyler nuk pranoi të rrinte në karriken ku kish ndënjur paraardhësi i tij, Harrison.
Si përfaqësues i Partisë së Demokratike Klinton vlerëson po në këtë vijë fisnikërie: “T’i kthejmë vëndit madhështinë e Xhefersonit, moralin e shpirtin krijues të Linkolnit, optimizmin e F. Rusveltit, besnikërinë ndaj idealeve të Kenedit”. Kur u vra Kenedi, zëvëndësi i tij L. Xhonson vlerëson: “Do dëshiroja të humbisja gjithëshka kam veç mos ta jetoja këtu këtë orë…Për më pak se tre vjet Xhon Kenedi i dha botës portretin e një Amerike të re, të një kombi me përfytyrime të gjera, të gatshëm për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve dhe ruajtjen kudo të paqes”.
Xh. Bush i dorëzon detyrën Presidentit të ri, Klinton (qenë në parti të ndryshme) dhe e këshillon fisnikërisht për mbarësi pune: “Krijo një grup sa më të mirë këshilltarësh! Dëgjojua me vëmëndje këshillat por vendimet, të gjitha merri vetë”!
President Obama merr Çmimin Nobel e thotë se ai ende nuk e meritonte këtë vlerësim!..
Shtetet e Bashkuara ecin përpara si madhështia dhe demokracia më e ndritëshme në botë. Në atë lartësi ecën dhe modestia e fisnikëria e Presidentëve, duke ua rezatuar këtë gjithë popujve e shtetarëve të tyre.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.