MOJ MIKE nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

MOJ MIKE

Ishe ti, ishe ti që vodhe Prometeun,
Para se Prometeu të vidhte Perënditë.
Me zjarrin e tij sa më shumë të më joshje,
Dhe sa më shumë të ishe ti e mirë.

Ah, moj mike, të më kishe vjedhur mua,
S’do ma kishe ngulur në kokë marrëzinë…
Se unë Perënditë s’do t’i kisha vjedhur,
Botën ta ngjyeja me benzinë.

Ah, moj mike, të më kishe vjedhur mua,
Sa mirë kjo botë me Perënditë do ta kish.
S’do kish më të varfër e të robtuar
Guri i Sizifit-për fajin tënd, natyrisht…

E shumta, poetët nga pak do t’i vidhja,
Prej tyre do merrja aq zjarr dhe dritë,
Sa mos mërdhija mbrëmjeve e të shihja
Ty, veten dhe Perënditë.

Ç’na bëre, moj mike, ah, medet…
Si s’të erdhi keq e ta mendoje më mirë,
Na prishe që na prishe Prometeun,
Na prishe që na prishe me Perënditë.

Ç’na u desh kaq zjarr, moj, ç’na u desh,
Sa për të djegur gjithçka, moj, për dreq,
Veç Prometeun mos kishe vjedhur,
Se zjarrin brenda teje e pate ti vetë.

Na prishe që na prishe Prometeun,
Na prishe që na prishe me Perënditë.
Por ishe ti, që vodhe Prometeun,
Para se Prometeu të vidhte Perënditë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.