MOS E KTHE KOKËN PAS

Musa Vyshka

MOS E KTHE KOKËN PAS
(Mikut tim Fatos Arapi)

Mos e kthe kokën pas edhe në qofsh i fundit!
Do të të vijë turp nga gjurmët që mbolle pa lavdi.
Mos i jep dorën kurrë dinakut që të mundi!
Mos qaj, nëse ke dhembje! S’të mëshiron njeri.

Mos e kthe kokën pas! Asgjë s’ke lënë pa parë!
Ato, që dot s’i bëre, janë tretur përgjithnjë.
Një dashuri të shkelur a një premtim të vrarë
Do t’i kesh pas si hije e s’i largon dot më.

S’do ta mësosh kurrë tradhëtinë që të mundi!
Nga mijëra pikëpyetje qielli me zjarr u mbush.
Edhe kur ta kuptosh, që je përherë i fundit
Duhet ta dish përjetë që pas të ndjek dikush.

ANTIHIMN

Dikush e shet më lirë bezen e kuqe.
Atje vrapo e bli nja dhjetë flamuj!
Në vizaton në to shqiponjë o qyqe,
Ti e di vete! Mos i trego askujt!

S’ke punë me data e lloqe historie!
Letërnjoftimin hidhe në hale!
Vrapo në rrugë të fshehta pabesie,
nga vdekja e nderit s’vdiq askush mbi dhe!

Vrapo e fshihu e mos dil në ballë!
Më mirë gjarpër se shqiponjë kokëtrashë!
Kjo kohë nuk ka kohë për përralla,
atdhe, liri, lavdi… më the të thashë!

Më mirë gjarpër a qyqe se shqiponjë!
Ti e di mirë e mos ia thuaj askujt.
Gjersa ne s’dimë se ç’ngjyrë ka horizonti
Ti bridh e mbaj në xhep njëqin flamuj.

STUDENTJA

Ajo hyri ngadalë, e heshtur, e hutuar
As “mirëmëngjes” të tjerëve nuk u tha
Veç foli nëpër dhëmbë në kulm e pikëlluar:
“O zot i madh! Më la!

Të gjithë e dëgjuan të qetë e fjalëtretur
E askush s’kish guxim
Ta pyeste: – Bukuroshe në dashuri ke mbetur
A në ndonjë provim?!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.