MOS IK AQ LARG… nga Qazim Muska

Qazim Muska

ZJARRI

Natës i dhamë dritë nga zjarri ynë
E pëshpëriti heshtur nëpër terr:
“Promete!”.

Kur agimi erdhi i vonë,
Mbi shtratin e dënimit
Qenë vetëm zinxhirët,
Dhe pak hi mbi dhé.

MOS IK AQ LARG

Mos ik aq larg!
Bëhesh mjegull mirazhesh
E s’mund ta ndërtoj më
Portretin tënd në sytë e mi.
Mos rri aq gjatë
Sa të humbasësh nëpër shekuj.
E brishtë është pritja;
Thyhet si kërcell i qelqtë
Kur mungesa jote
Mbush gjithë zbrazëtinë.
I humbur jam deri në kthimin tënd,
Si në një planet ku plaken dëshirat
Dhe kuptimet ç’shenjtërohen shpejt.
Lutjet nuk bëhen në tempull
Ku nuk ka asnjë ikonë,
E kambanë është vetëm zemra
Që buçet e shurdhër.
Mos ik aq larg,
Sepse rritet papritur perimetri i Tokës
Sa herë nxjerr psherëtima bryme
Në balonin që shkon drejt pafundësive
E ma shter frymën.
Mos rri aq gjatë,
Sepse nuk mund të gjej një tjetër Krisht,
Për të nisur një epokë të re.
Jo gjithmonë pritja është lumë
Që ushqen të ardhmen.
Mos ik aq larg
Sa të tretesh përtej mendimit!
Mos rri aq gjatë
Sa të shndërrohesh në harresë!
Eja para se të thinjen kujtimet
E dimri të jetë varur mbi degë.

DHE SHKOI

Iku i heshtur…
Flakëz jetime qiriri,
Që papritur i mbaroi filli.

Filli ishte Ajo
Që lidhte botët si zinxhiri
E priste Poshtë
Euridikë e lodhur.

Ai nxitonte Lart;
Orfe në kërkim martiri,
Derisa dikush
Papritur hapi portën
Dhe e thirri!

Dhe shkoi
Ai,
I dhimbsuri,
I vuajturi,
I miri;
Gjethe e lehtë pa lëng klorofili,
Plehërim për shpirtin e Saj,
Rrënjë trëndafili!

PA MUNDUR …

Spiranc’ e pritjes nuk qenka thyer?!
Këputur s’është ky fill i trishtë?!
Larg na mban fatezhgënjyer
Ndarë në dy dete përjetësisht.

Kaq keq na paskan humbur udhët
Sa nuk po vjen orë e lundrimit
E dallgëharrimit në të mugët
Nuk dalka lart direk i zgjimit?!

Kaq shumë na paska lodhur heshtja
Sa bregut rrimë – varka të mjera,
Pa mundur në një çast të brishtë
Të gjejmë drejtimin nga fryn era.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.