MOS MË HIQNI NGA TË GJITHA LETRAT nga Sokrat Habilaj

Sokrat Habilaj

MOS MË HIQNI NGA TË GJITHA LETRAT

Kam frikë se kur të iki tek të parët,
E vdekja të më ketë futur kthetrat.
Ju që shpesh harroni dhe të gjallët,
Do më hiqni emrin nga gjithë letrat.

Jo se unë dua, të rri pafund me ju,
Si duan trutharët që thurin vjersha.
Po emrin ma mbani, shkruar diku,
Se nuk i dihet si do ju vjen e keqja.

Mos më hiqni nga çdo bllok e faturë,
A shënimet me borxhet për të tjerët.
Ku keni lënë peng një gardh, a mur,
Një fjalë që se mbajtët dot më herët.

Ku ëndrrat me shifra i ndatë në mes,
Ku në shifra keni kthyer dhe veten.
Mos më hiqni pra nga asnjë shkresë,
Se do vij, duke u tallur me vdekjen.

Nëse borxhlinjtë do presin te porta,
Më bëni një zë, e nuk ju lë në baltë.
S’vij t’u lodh me vargje e me strofa,
Po t’u shlyej borxhet në çdo qindarkë.

SËRISH PËR TY

Unë jam si aktor i një skene tragjike,
Ku shoh malle që më këputen në mes.
Para këmbëve rrëzohen me dhimbje,
Bashkë me to, vdes unë pjesë-pjesë.

Ashtu i gjakosur, zvarritem në gurë,
Të përcjell nën dhè, grimca shpirti.
Si shpirt gjysmak, gjysmak si burrë,
E hap arkivolin, dhe matem të iki.

Shpesh vetja më duket, si në mort,
Ku dashuritë më vdesin një nga një.
Të iki më vonë? Ç’të rri kot më kot,
Nga mallet që kisha nuk mbeti asnjë!

Gjithë mallet ikën, pse të rri mbi dhè,
Po më shfaqesh ti, e më ndal në prag
S’kam vdekur i teri, ti gjallë ja ku je,
Braktis kortezhin, vdekja është larg

TË PAPUTHURAT E KOHËS SIME

Dikur në rininë time, të pa puthurat,
Nga të tjerat, dalloheshin lehtësisht.
Ndoshta se ishin dhe më të bukurat,
Ndoshta se kishin ndrojtje të trishtë.

Ndoshta se në buzë, sy e në gishta,
S’kishin as të kuq, a shenjë tjetër.
Ndoshta se prisnin që të vinte dita,
Të shfaqeshin grua, e jo gënjeshtër.

Ndoshta se nuk donin të linin shkas,
Të bëheshin imazhe grash, pa lidhje.
Ndoshta se e dinin që femrat më pas,
Do dukeshin të puthura, që në lindje.

Ndoshta se nuk donin të nguteshin,
E si papritur, të putheshin me dikë.
Ndoshta se e dinin, sa të putheshin,
Do ri vriteshin për t’u bërë tjetër gjë.

Ndoshta se merakun se hiqnin dot,
Dhe botës i rrinin tutje, në një skaj.
Ndoshta se puthja u kthehej në lot,
Nëse s’do bëheshin nëna, pas saj.

…Vështroj ty, gjysmë e përgjumur,
Pa grim, pa riel, e pa të kuq vënë.
Ti mbetur si dikur, thua e pa puthur,
Që s’më lë të puth, po s’të bëra nënë.

DJE

Ca gjera mund t’i lija edhe për nesër,
Po ku i dihet, nesër nuk jam ndoshta.
Duhet të flas sonte për mallin e vjetër,
Se ty të desha, ndryshe nga tërë bota.

S’ prita të më bëje ndonjë ledh, a ojnë
Ashtu si bëjnë në mallin e parë, gratë.
As prita të gjeja një grua si xixëllonjë,
Që jepet sikur vdesë, e ikën nëpër natë.

Nëse do të doja njëzetë, a njëqind vite,
Si ata që firmat e tyre i hedhin përbri.
Ndoshta do ta dridhja , kur të mos ishe,
Po njëqind vite më pas, çdo të bëje ti?

Dhe nëse do të doja, thjesht si një rit,
Ja ashtu, “…derisa vdekja të na ndajë”.
Bashkë me mua do vdisnin dashuritë,
Kur të shtrihesha i vetëm në një pllajë.

Si të rri deri nesër sa të bëhet mëngjes,
Të them se të zgjodha dhe për nën dhè?
Nata është kurth, e mund të iki si vesë,
Mos u trishto! Këto i kam shkruar dje.

TANI QË SHPIRTIN MA GRABITËT

Ju po rrëmbeni çfarë gjeni nga unë,
Fjalët e pathëna e ëndrrat e trishta.
Edhe pse po më ktheni në një cung,
S’lutem:-Mos m’i merrni të gjitha!

Vargjet e bërë për shpirtra të tjerë,
Rimat ku kam fshehur tërë mallet.
M’i shkulët egër, e më latë djerrë,
Sërish s’lutem:-Të paktën vargjet!

Unë s’pyeta:- Pse m’i pretë degët?
E as për dhimbjet e mia s’bëra zë.
Se përgjigjen tuaj e dija më herët,
-Gjithçka është jona, ti s’ke asgjë!

Po kur të më vijë çasti për të ikur,
Dhe pjesë të mia do t’i shoh tek ju.
Ashtu gjysmak do çohem papritur:
-I vdekuri nuk mund të iki kështu!

E do pyes ju që më bëtë shumëfish,
Ndërsa pas, më ndiqni në heshtje.
-Vërtet ndoshta jeta ime, juaja ish’
Më thoni:-E kujt është kjo vdekje?

E nga supet ku më mbani do zbres,
Me dënesat tuaja, pa fund do luaj.
Ju ma vodhët shpirtin, pjesë-pjesë,
Ndërsa tani jam unë në mortin tuaj!

PËR ATA QË S’KANË IKUR ENDE

Të kam dashur, të desha pa kushte,
Dhe kur thuajse i humba të gjitha.
Dhe kur shpirtin ma zure në kurthe,
Dhe kur brenda teje kishte ngrica.

Të kam dashur, të desha më tepër,
Dhe kur mallin ma largoje me ngut.
Dhe kur ti e flakje si leckë të vjetër,
Të kam dashur, të desha pa kusht.

Dhe kur mblidhja pas teje në baltë,
Mallin që shkëputa për ty nga vetja.
Dhe kur s’munda të thosha:-Mjaft!
Ta dish, o Zot, pa kushte të desha!

E them tani që s’bëj dot më asgjë,
Tani që malli u kthye pirg me dhè.
Si nuk të vura një kusht, vetëm një:
Të mos ma shkelje barin mbi kube?

KUTIA E TRISHTIMEVE

Tani më duket se më mbetën pa njeri,
Trishtimet e mia, që s’janë të pakta.
Por në grimca, do t’i mbledh në kuti,
Si një i vetmuar që ruan ca qindarka.

E trishtimet si paret, s’ruhen në letër,
Unë do ta kërkoj, një arkë të fshehtë.
Jo se dua që të hiqem burrë me sedër,
Ikjen time t’ua bëj, me kosto të lehtë.

E di se dhe pa të, do m’i bëni nderet,
Po për kutinë do thoni:- Trill në vete.
Ndërsa dikush që s’ka me se merret,
Kutin do ta thyej, gjoja për kureshtje.

Do ta thyej atë, pa më futur në rrasë,
-Ishte bosh, – do pëshpëritni te varri.
Po pse duhet t’ua lija trishtimet pas,
Kur ju nuk m’i kuptuat ato, së gjalli!?

NËSE MË KUJTON…

Kur të kem ikur, ti mos më kujto më,
Dhe kur të të jem fshirë, nga kujtesa.
Thuaj ç’të duash, se unë s’bëj dot zë,
Nuk ndodhë kurrë, që të flasë vdekja.

Me të tjerë njerëz, ti do të jesh nesër,
Nëse krejt rastësisht të vijnë kujtime.
Mos më kujto mua, si ikonë të vjetër,
Por kujto çastet, kur të fola pa lidhje.

Bjeri fare shkurt, veten mos e lodhë,
-Sado i fola, s’u ndreqë e s’u ndreqë!
Rri i qetë, ti nuk më ke asnjë borxh,
Mos kujto asgjë, që të ndihesh keq.

Fol ti për mua, s’ka kuptim pendesa,
Them dhembshurisht:-Fol shpenguar!
Mëkatet që kisha, nxirri nga harresa,
Po mos kujto çastet që më ke lënduar.

DITËT ME TY

I provuam kaq ditë të bukura në dashuri,
Ditën e parë, të dytë, të dhjetë mijtën e ca.
Po mbase erdhi koha të pyesim:-Po tani,
Mos duhet të përtypim grimcat që na la?

Mbase do duhej të uleshim, në një brinjë,
Të uleshim që dje, ndoshta dhe më herët.
Ne që u deshëm, një ditë, dy, dhjetëmijë,
Tani të shohim, si bëjnë dashuri të tjerët.

Po për ditët që shkuan, pse të flas më kot,
Kur s’dua t’i kthej pas, dhe po të mundja?
Në cilën ditë të desha ty, si do të dua sot,
E si do të puth nesër, në ç’ ditë të putha!?

NDOSHTA EDHE PËR VETEN

Ju thoni se shkruani vargje, e pastaj!?
Në këtë katund të gjithë bëjnë vjersha.
E si tërë katundi, nuk ndjeni asnjë faj,
Po botoni dhe libra e dilni nëpër tezga.

Veç tek tezga juaj, kurrë s’afrohet njeri,
Dhe ju prisni kot, të lodhur e në heshtje.
Se këtu, ku që të gjithë mbllaçitin poezi,
Më mirë të botonit, një kopje të vetme.

Më mirë të botonit një kopje, vetëm një,
Nëse ju kap dalldia për të zhargavitur.
E s’duhet të harroni, ta digjni edhe atë,
Pse t’ju vënë në lojë, kur të keni ikur!?

Edhe një kopje, a nuk është ca si tepër,
Për ju që në shpirt keni kaq bokërima?
Pse u dashka që ato bokërima, në letër,
Të tjerëve t’ua shisni si vargje, si rima?

SIKUR…!

Ndërsa ti po ikën, mos mendo më tutje,
S’ka nevojë për gjyqe, apo dëshmitarë.
Nuk i fshihem një sherri a dhe një lufte,
Po ne s’kemi shumë gjëra për të ndarë.

Shtëpinë e ndajmë në dy pjesë, si kuti,
E në skaje të kundërta, hapim një derë.
Ndoshta është më mirë, si të duash ti,
Që si ndërtim pa leje, ta hedhim në erë.

Po të ketë ëndrra që tani s’ndahen më,
I vrasim dhe i varrosim në gërmadha.
Nga ëndrrat e tua, mos lerë këtu asgjë,
Nëse nuk i merr, ç’ ka kuptim ndarja!?

Dhe ëndrrat e mia, do t’i vë në shpinë,
Druhem se mes tyre, mbetesh si dikur.
Ëndrrat si ëndrrat, se lexojnë dredhinë,
Po një klithmë, do e ndjesh nën lëkurë.

Aty të kam fshehur, burrin që të deshi,
Më lehtë se nga ty, e shkulja nga vetja.
Ti je duke ikur nga një gjysmë skeleti,
Gjysma të vjen pas, në malle të vjetra.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.