MUJI DHE ZANAT nga Eposi i Kreshnikve

Eposi i Kreshnikve

MUJI DHE ZANAT

-zanafilla-

Lum e lum t’lumin Zot
Nu’jem kane e zoti na ka dhane.

Kur ish kanë Muja djalë i ri,
Ma kish çue baba n’rrogë tu nji zotni.
Çoban lopësh zotnija e ka ba.
Për gjithë ditë bjeshkët Muja tu i kërkue,
Për gjithë ditë ndër gurra tu u freskue.
Për gjithë ditë ndër mriza tuj pushue:
Rrugë as shtek pa njoftë nuk ka lanë,
M’i çon lopët gjithherë ku s’in kanë.
‘I natë lopët çobanit i paskan hupë
E tu shpija nu’ ka mujtë me dredhë.
Buzë nji shkambit m’u ndalë asht ngushtue,
Asht ulë djali aty për me fjetë,
Paj dy djepa aty kin qillue,
E kanë marrë brimën e tuj kajtë.
M’asht avitë Muja me i shikjue,
M’asht avitë Muja me i pajtue.
Po i pajton tuj i përkundë
E t’dy djepat i ka vu në gjumë
Bardhë si drita dy zana atherë kanë ardhë.

– Ty, qysh të thonë, Mujon e kanë pyetë.
Zo’, ç’të ka pru n’ket vend e shka t’ka tretë!

Kqyre Muja atherë shka u ka thanë:

– Rrogtar lopësh un kam qillue,
Për gjithë ditë kto bjeshkë i kam kërkue;
Mue rreziku sot ka ardhë me më ndeshë,
M’kanë hupë lopët e askund s’kam mujtë me i gjetë;
Ktu m’xu nata e u ugja për me fjet,
S’mbylla sy prej vajit qi kam ndie,
Ishin kanë tuj kajtë këta dy fmij,
Kurrkund çajre fmija nu’ m’kanë lanë.
M’u kanë dhimtë e jam hudhë me i pajtue,
I pajtova e sa grima n’gjumë i kam vdue.
Po zo’, shka jeni

– Zana jemi, Mujo, tuj shetitë,
Tuj u sjellë na njerzvet me u ndimue.
Ti çfarë ndere, Mujo, po na lypë,
Qi dy djepat na i ke vu në gjumë?
A don forcë, Mujo, me qindrue?
A don luftë, Mujo, me luftue?
A don gja, Mujo, a don mall?
A don dije, Mujo, a don gjuhë?
Lyp shka t’duesh, Mujos te i kanë thanë.
Kqyr Muji atherë ç’ka qitë e ka thanë:
– Shpesh po m’ngucin çobanija,
Shum inad çobajt si më kanë,
Paj me forcë me jau kalue un due.
Njana shoqes zanat atherë i kanë thanë:

– Tamël gjiut Mujit për me i dhanë.
Tamël gjiut i kanë dhanë me pi,
Me tri pika djalin ma kanë ngi
E i ka falë Zoti kaq fuqi
Sa me e luejtë shkambin ma t’madhin.

– Kape gurin, zanat i kanë thanë.
Nji mi okësh e ma guri ish’ kanë.
E ka kapë gurin nji mi okësh,
Badihava peshue me duer e ka,
Der n’nye t’kamës veç e nu’ mujt ma.
Njana shoqes zanat atherë i kanë thanë:

– Edhe do tamël Mujos me ja dhanë.
E ka marrë tamlin Muji e e ka pi.
E ka kapë gurin me e peshue,
Deri në gju ai gurin e ka çue;
E ka ugjë prap n’tokë e ka pushue.
Kqyre zana sa mirë ka thanë:

– Edhe pak gji Mujos me ja dhanë.

I ka dhanë prap gji për me pi,
Sa don Zoti t’i ka dhanë fuqi
E e ka marrë gurin me e peshue
Deri në shogë gurin e ka çue.
E kanë pa zanat, e kanë kqyrë,
Njana tjetrës prap te i ka thanë:

– Opet Muji gji lypet me i dhanë.

E ka marrë Muji gji me pi,
O se ç’po i ep edhe Zoti fuqi,
Kenka ba si me kanë drangue.
Ka marrë gurin me e peshue,
N’cep të krahit Muji e ka vdue.
Nji mi okësh gurit i ka qindrue.
Njena shoqes zana çka i ka thanë?

– Tjetër gji Mujit mos me i dhane.

Pse, tjetër gji Mujit për me i dhanë,
E batisë dyrnjanë anëmanë,
Atherë zanat Mujin po e zhgjertojnë,
Se sa t’vogël qi po flasin,
Përmbi krye hana tuj i shikjue,
Për mbas shkambit hija tu u zgjatue,
Sa miqsisht me te kanë kuvendue.
Kqyre zanat Mujit shka i kanë thanë!

– Probatin na, Mujo, duem me të xanë.
Fol ti, Mujo, tash qysh po thue?

– Tu t’jem ngusht, zana, me m’ndimue!

E ka falë Zoti sabahin,
Ferk e ferk Muji kanka çue,
I ka gjetë lopët e në shpi ka shkue.
N’Fushë t’Jutbinës Muji kur a ra,
Bytym shokët e mbledhun i ka pa,
Se me Mujin aty in kenë msue,
Me ja mujtë Mujit tuj ladrue.
Kqyre seri Muji shka ka ba!
Ja ka nisë me çobaj me ladrue.
Send ma t’fortin me dorë e ka kapë,
Pesë konopë përpjetë i ka dhanë.
Askurrkush me folë nuk po flet,
Se, me thue kur po i bjen,
Dekun n’tokë gjinden po i qet.
Prej zotnisë, tha, Muji asht largue.
Prej zotnisë, tha, burri kur asht da.
Ka dredhë n’shpi, tha, nanën për me e pa.
Tha, ja ka nisë Muji tuj punue,
Tha, ja ka nisë Muji tuj luftue
E n’sa lufta Muji si po bjen,
Ai gjithëherë me nderë si po del.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.