MUSHKONJA nga Sulejman Mato

Sulejman Mato

MUSHKONJA
-tregim-

Nuk mund ta kujtoj me saktësi ,  isha në një gjendje mes gjumit dhe dremitjes, kur ndjeva zhaurimën  e një mushkonje mbi fytyrën time…? Prita si një gjahtar që preja ime të kthehej sërish, të guxonte që të ulej mbi mollëzat e mia. Ose mbi ballë…Çasti nuk vonoi. U dëgjua një si zhurmë avioni. Nuk prita sa të më ulej mbi ballë. E qëllova  me një shuplakë të fortë. Kuptohet. Kisha qëlluar mbi fytyrën time. Herën e dytë u tendosa i tëri në pritje. Ishte errësirë dhe unë nuk mund të orientohesha dot. E merrja me mend se duhet të ishte diku rrotull. Përgatitej për një sulm të dytë. Ndjeva sërish zhurmërimë avioni…Vërtitej sipër meje. Nuk kishte vendosur  se cilën pjesë të fytyrës sime do të sulmonte. Ndërkohë që  krahët e saj më prekën majën e hundës unë   ngrita dorën në ajër për t’ bërë goditjen vdekjeprurëse. Ajo e ndjeu  dhe u largua.

Si ka mundësi? Turfullova. Një insekt kaq  mikroskopik, të vjen tinës  e tinë dhe jo vetëm të prish gjumin, por  të bën të hash dhe një shuplakë të dytë?  …Një tjetër sulm,  dhe më i befasishëm  se i pari ishte nisur drejt meje. Insekti mikroskopik s’dihej nga vinte dhe s’dihej  për çfarë arsyeje kishte zgjedhur mua  viktimë të asaj mbrëmjeje. Sulmin e saj të tretë e prita me dorën  e ngritur lart, si një njeri i mësuar me sulme të tilla.

E ndjeva  në çast. Mbërriti vetëtimthi  dhe m’u ul  mbi majën e hundës…I këpus një tjetër shuplakë… Sytë më nxorën xixa.

”Dreq o punë! Jo. Po kjo nuk durohet! …U ngrita. ndeza dritën dhe nisa ta kërkoj gjithandej. Si nuk e pikasa askund mbylla dritën dhe vendosa të fle duke futur kokën nën çarçaf.

Mirësjelljen time insekti misterioz e kuptoi si tërheqje nga beteja. Pikërisht në atë çast nisi të  trimërohet e të më turfullojë mbi krye, ndërkohë që unë turfulloja nën batanije. Më ngucte të trimërohesha, të nxirrja kokën e t’ i dilja në duel, në shesh të burrave..

S’mbaj mend sa kohë qëndrova kështu, me kokë nën batanije, pasi më kishte zënë gjumi.

Mbrëmjen tjetër  e kisha harruar fare punën e mushkonjës, u  futa në dhomën e gjumit dhe u shtriva për të fjetur. Përsëri e njëjta zukamë… Përgjumësh siç isha m’u krijua përshtypja se kjo mushkonjë nuk duhej të ishte një mushkonjë e zakontë… Zukatja e saj  më kujtoi avionin kamikaz që rrëzoi përtokë kullën e  Nju-Jorkut. Kësaj here nuk ke si më shpëton…i thashë. Qëndroja në pritje. E mora me mend se ajo duhet të  gjendej në  cep të dhomës, duke  pritur të dëgjonte dremitjen time.

Mirë pra. Fillojmë. Sa të të dëgjoj zhurmën tënde në afërsi të fytyrës do të të zgërlaq.

Nëse e quan veten insekt inteligjent, tani  do ta marrësh vesh se me kë ke të bësh. Nuk duhet të nxitohem. Do ta lë gjersa të nisë të futi thumbin në mish…kur ta teprojë di unë  ç’di t’i punoj.” Duke përfituar nga  një hutim i rastit , ajo u sul si vetëtimë dhe ma nguli heshtën e saj në qafë. Po unë? Unë ç’bëra në atë çast? Hëngra sërish një shuplakë. U ngrita, ndeza dritën e dhomës dhe si i çmendur nisa ta ndjek dhe ta qëlloj me jastëk, gjithandej, duke bërë një rrëmujë  të paparë. Me që jastëkët nuk bënin punë, shkova në banjë, mora shkopin me leckë me të cilin pastrojmë pllakat dhe nisa të qëlloj; sa e pikasja, në tavan, nëpër mure , kudo ku ajo përpiqej t’i fshihej furisë sime… U dorëzova përfundimisht, kur konstatova që zemërimi im s’kishte bërë gjë tjetër veçse kishte katranosur so mos më keq  të katër muret e dhomës së gjumit.

Mbylla dritën dhe si një njeri i arsyeshëm praktikova  edhe natën e tjetër  variantin  nënë çarçaf.

Natën e tretë më doli gjumi  në të njëjtën orë që kamikazja kishte orarin e sulmeve. Vërtitej në dhomën time të gjumit, lirshëm, si të ishte në  shtëpinë e vet. Gjatë ditës unë ia kisha lënë hapur dritaren dhe derën e ballkonit, për t’i dhënë mundësi të tërhiqej nga beteja.

Por jo. Nuk kishte dëshirë të ikte prej asaj dhome.  Ndoshta i ka pëlqyer  komoditeti dhe ngrohtësia e dhomës së gjumit dhe ka vendosur të mos të largohet më prej saj? Ushqim kishte… “E mirë pra! Nuk mund të ndodhë kurrë që  njeriu të dorëzohet para  një… mushkonje. Është turp ta thuash. Kur e mendon sa e vogël  që është!  Duhet të ketë një tru  tepër mikroskopik. Shumë herë më të vogël se trurin tim. Si ka mundësi?Si ka mundësi  që e ndjen dorën time kur i afrohet? Nëse do të përpiqet të më sulmojë sërish do ta lëviz dorën ngadalë… do ta lë të afrohet…Duhet ta vras. Patjetër. Ndryshe s’ më zë gjumi. …”

Ndërkaq zukama e saj u ndie përsëri fare pranë meje. Erdhi dhe u largua. Sikur të bënte rikonjicion terreni U vërtit sërish, në lartësi, rreth gjysmë metri mbi fytyrën time. Më pas vendosi të largohej me shpejtësi? Më pas  u ul vetëm për një sekondë mbi flokët e mi. U largua sërish. E çuditshme. Duhet të ishte më e zgjuar se unë… gjersa më rrinte larg.”

Natën e tretë qëndrova gati 20 minuta me dorë në ajër, në pritje të bishës së vogël gjakësore. E ndjeja dorën si të mpirë. Ajo duhet ta kishte parë dorën time të zgjatur lart. Dhe për çudi? Me dorën lart unë kisha dremitur pak… ”Nuk ia vlen të rri  më zgjuar,-mendova.  Futa kokën nën çarçafë dhe fjeta.

Netët e tjera u përsërit  e njëjta histori. Por unë, si njeri i arsyeshëm dhe me eksperiencë, zbatova taktikën vetëmbrojtëse:” Koka nën çarçaf.”

Nuk e di sa net  kaluan kështu, me kokën nën çarçaf. Ne të dy, banorë të përkohshëm të të njëjtit mjedis kishim bërë një marrëveshje të heshtur; ajo pranonte të banonte për ca kohë në dhomën time dhe unë pranoja të flija për ca kohë me kokën nën çarçaf. Erdhi një ditë që  kafshëza  gjakpirëse u largua nga dhoma ime e gjumit, dhe unë nisa t’i harroj  netët  tona  të betejave.

A është larguar përfundimisht?  Nuk dihet?! I teket dhe vjen sërish. Dhomën time e di. Ia njeh të gjitha orenditë dhe këndet e fshehta. . Mund të kthehet sërish, dhe sërish  nisim betejat tona, nga fillimi.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.