MUSHTI nga Nexhip Ejupi

Nexhip Ejupi

MUSHTI

Sa përmenda pakëz musht,(musht për verë e për raki),
M’u vreshtua muaji gusht,sikur bzajti:-Vil e pi!…

T’i rreshtosh ato kashtore,(musht e mjaltë e pekmez mani),
S’duhen fare barnatore,kur pjek pjalmin jargavani…

T’i rreshtosh se sa kam pirë,ai numër,as që dihet.
Tani ndjej të psherëtirë,kur me ujë shëndeti pihet!…

SKURILE DIELLI

U çanë retë…Skurrile dielli
U derdhën poshtë,të llagarta,
I çeli gonxhet trëndafili
Me sqepa rrezesh,të nektarta…

Retë e çara tutje shkuan,
Prapa lanë një afsh idili,
Prej skurrilash u hutuan,
Prej ca çeljesh trëndafili…

DHE EDHE…

Dhe burimi merr kuptim te ligjërimi,
Edhe loti,po kështu,te sypërlotja,
Edhe fundi ka kuptim te përfundimi,
Vetëm ndotja mbetet ç’ishte – te vetëndotja…

Edhe vjeshta merr kuptim te përvjeshtja,
Te gjethshkundjet shpreh kuptimin edhe kjo,
Edhe heshtja kumt kuptime te vetëheshtja,
Tek përflitet e përfolet nga kushdo…

Dhe të ligat kanë kuptimin më të lig,
Tek zilepsen,që këdo ta përligin,
Le pastaj po të flasim dhe për frikë,
Edhe kjo ka ca shkaqe që të frikin…

Edhe shifrat kanë kuptim te deshifrimi,
Edhe malli,po kështu,te sypërlotja,
Edhe nyjet kanë kuptim te nyjëzimi,
Vetëm ndotja mbetet ç’ishte -te vetëndotja!…

SHQIPONJA

Po shuhet Ylli i Agut,po ndizen majat krejt,
Shqiponja rrihka flatrat ndaj diellit,drejtpërdrejt…

Me dritë e flakë puplash porsi një shpend i zjarrtë,
Përposh i lë larashët,e tretur,lart më lart…

A do të kthehet prapë te lisi ku u ngrit,
Apo i gjallë do digjet në zjarr edhe në dritë?…

Çuditen poshtë të tjerët,habitur shpendërisht,
Tek dridhen nga skifterët,të strukur në rrapishtë…

Pa nisin theshethemet,sa meken në sqepitje,
Nuk dinë se ç’do të thotë,të marrësh dritë në ngjitje …

Të marrë atë e quajnë,shqiponjën sipër malit,
Me sqepa shuajnë etjen në ujin e moçalit…

……………………………………………………..
………………………………………………………

Po ndizet Ylli i Mbrëmjes,po shuhet ditë e brishtë,
Shqiponja po çlodh flatrat majë lisit,madhërisht!…

VETËQORTIM

C’lirikë është kjo,kur më së pari
Më vjen ndër mend një çerdhe zogu?…
(Me sqep të verdhë një fije bari
Ia çon folesë që ngre te shtogu…)

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
Kurrën e kurrës!…

Lirikë i thënçin!…Një mendje blete
Kullot rudinat e Sopotit
E që andej bredh nëpër shtete
Porsi shkreptimat e motmotit…

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
-Kurrën e kurrës!…

C’lirikë është kjo,o shkrep i thinjur,
Kur dot thëllëzën nuk e zë?…
Ke vetëm neps dhe pa u nginjur
E ndjell e rishmi e përzë…

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
-Kurrën e kurrës!…

C’lirik jam unë,kur regj përbrenda
Një kohë të ikur me kujtime?…
Turp të kem,kur s’di me ç’emra
I rrit fëmijët lagja ime!…

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
-Kurrën e kurrës!…

Lirikë i thënçin!…S’di se ç’brenga
Zgjidh shteti im me qeverinë..
A thua kjo lirikë më qenka,
Kur fjala e lirë e çmend lirinë?…

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
-Kurrën e kurrës!

GOCA E ZARANIKËS

Ta prek pak nishanin?…
Vetëm sa ta prek…
Nuk kam prush te dora,
Gishti im s’të djeg…

Nëse zemërohesh,
Mos më merr inat,
Zbute zemërimin,
Moj qerpikëgjatë…

Karakafte marsi,
Çelur në Ullishtë,
Qeshmi sytë e kaltër,
Që m’i ke me bisht…

Guguftu e lalës,
Rritur mes gugushë,
Lermë ta shkoq nishanin
Që t’u poq në gushë…

Ngrije pakëz kokën
Përmbi jargavanin,
Gocë e Zaranikës,
Çmende Elbasanin!…

PESHA E FAJIT

Çdo gjë te ti më dukej gri
Dhe shumë e largët si përrallë.
Ngase mbi xham po bie shi,
Sërish për ty unë ndjekam mall…

Se ti m’u çelje si baloshe,
Bukurisht si s’ka kurrkund.
Më erdh ndërmend një fjalë që thoshe:
-Pas ndarjes s’jemi askurrkund…

Në rrugë pak shi po ribreron,
Ngapak asfalti u spërkat.
Atje ku malli robëron,
Dikur ka pasur një mëkat…

Tani që rroi * ylli i ditës **
Dhe retë mendohen sipër nesh,
Le t’ia lëmë Yll Afërditës
Se kush më shumë në faj ka peshë!…

 ALTËRNATIVË RETORIKE

Cili tym s’u tret si tym?…
Ç’gojë s’u mbyll nga rrasë e varrit?…
Ç’derë të zgjedhim e t’i hymë?…
Ç’pyll u dogj nga flakë e zjarrit?…

Ç’gdhë gdhend gurin e pagdhendur?…
Ç’halle qajnë dy të trishtuar?…
Ç’mbledhje bëjnë ca mendjeçmendur?…
Te ç’flamur të jenë betuar?…

Me ç’mënyrë mjekohet halli?…
Ç’sy të mendjes s’na zhgënjejnë?…
Ç’hallexhinj i zuri malli
E pse mallin s’e rrëfejnë?…

Ç’mirësi ësht e pakthyer?…
Pse për të nuk ka rikthim?…
Ç’e vërtetë u kyç syshqyer?…
Ka a s’ka për të dëshmim?…

Përse heshtja s’jep përgjigje?…
Të vërtetën pse e fsheh?…
Pse,kur duhet,nuk ka ligje?…
Ç’ligjevënës droga deh?…

Ç’flatër shprese vdes kurbanthi?…
Ç’shigjetë frike na u shkreh?…
Ç’fat na luhet stil-filxhanthi?…
Kukafshehtas ç’na u fsheh?…

Çfarë varroset e nuk vdes?…
Ç’farë rimbillet e nuk mbin?…
Ç’zemër shprese ësht’ pa shpresë?…
Ç’mendje çmend krejt urtësinë?…

A do të dihet çfarë nuk dimë?…
Cilat janë sydhelpërsitë?…
Veç në hije do të rrimë
Dhe kur drita flet me dritë?!…

Vërtet,ç’janë sydhelpërsitë?…

Tak e tuk Gjeçovi trokte me një shkop, (Rruga qe me gropa apo qe me sop…)

Mblidhte zëra guri që prej Rozafatit, Që prej Gjeto Mujit,gjyshit dhe të jatit…

Mu në fund të shkopit – syri edhe veshi, Plak i pleqëruar që gjithkush e deshi…

E kujton një Shkodër,s’e harron një prag Shkopin e Gjeçovit,t’atdhetarit plak…

MUZA E MUZGUT BUZË DETIT

1. Koha e parë

Oho,ç’vërtikje e frikshme,e frikshme,e vrikshme si ca Maja të larta,të kaltra,të kaltra,të larta si ca Kuaj me gjunjë të thyer…Mjerë te honi kush ra!… Oho,ç’vërtikje që vinin,që vinin e iknin se nga!…

Bregu i detit kafshohej prej dallgësh detare…(Stuhi!…) Pak shkumë prej tyre e more…E more ta ndjeje mbi gji. Hej-hej se ç’gushë suvalash,e lagur mbi supe me muzg, E lagur prej reshje stërkalash,e lagur,e puthur,e bruztë…

Ehu,ç’vërtikje që vinin,që iknin e vinin pa pra, C’kahe të kundërt që mirrnin,që mirrnin e iknin se nga… Ohu,ç’vërsulje e shkulshme!…Sa shkulje të vrullshme!…Ohu!… C’kahe të kundërt që mirrnin,që mirrnin e iknin se ku!…

C’urime zemrash detare!…Urime të frytshme në breg!… Trokitna,o breshër, dritare!…Trokitje stërkalash…Aheng!… Buzë detit lind muza e muzgut…As rrije…As kishte të ikur… Se ç’plore të ujshme,pa pritur,shkëlqenin e nxinin të fikur…

2 . Koha e dytë

O,ç’muzë e frymës prej muzgu!…Prej bryme të muzgët ndajnate… O,ç’muzë hullirash prej plugu!…Me ngulje e shkulje prej shpate… O, ç’kuje me uje ujemesh!…Vërdallje,zdërhallje problemesh… O,ç’plore thellirash!…Muzg mugu!…Si ngulje e shkulje prej shpate…

Cprejkur kjo muzë muzgimesh agsholte ndërhyrje agimesh?… (Ndërhyrje e thyrje ngjyrimesh…Thyrje,përthyrje kaltrimesh…) Oho,ç’galopje pa stopje!…Oho,se ç’hupje pa hopje!… Oho,sa ngopje-mbi-ngopje!…Oho,sa stopje zgro-gropje!…

Ohu,se ç’hile me stile!…Ohu,sa skile plot hile!… Se ç’vaj vajtojcash servile!…Se ç’trille!…Se ç’valse!…C’kadrile!… Se ç’thukje e ndukje për zhdukje!…Se ç’qoka stërqokash ve-llukje!… Se ç’marre marrinash në zgupje!…Se ç’vese!…Se ç’huqe!…Se ç’llupje!…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.