MUZGU I ZONJES MARTHA nga Mihallaq Qilleri

Mihallaq Qilleri

MUZGU I ZONJES MARTHA

-Resume për novelën që po afrohet-

Stacion autobuzi. Kisha kohë pa e parë. Zonja Martha , – kur kishim biseduar herën e fundit në telefon,- pat qenë shumë e interesuar të më takonte, për një problem të cilin nuk ma tha kurrë. Por për disa muaj unë nuk ndodhesha ne Shqipëri. Ja tek e pashë së largu. Në dorë mbante një celular. Tunda pëllëmbën dorës për t’i tërhequr vëmendjen. Thuajse nuk reagoi. Kur kalova pranë saj më buzeqeshi lehtë pa e hequr celularin nga veshi. Më dha gjithashtu një përshendetje të pandijshme, sikundër ndodh me diçka që shfaqet papritur përtej botës sonë. Por gjithsesi… kalimtare..Përtej..Pas pak hija ime nuk do ta cikte më..
Zonja Martha është 77 vjeç..Një fytyrë që dikur ishte shumë e bukur. Relikte të saj varen sot në sytë, buzët, kuqëlimin e faqeve, ( nuk e di në se vendos pak maikap), ndërsa një lëkurë e tendosur dhe pa asnjë rrudhë të habit. Sigurisht pak e shëndoshur tashmë. Jeton e vetme. I shoqi ka vdekur ndoshta 20 vjet më parë.
Zonja Martha vishet si të gjitha gratë gjysmëintelektualet e kësaj kohe. Gjithsesi pastër. Dikur, në rini, binin në sy kaçurrelat e saj të dendura..Tani kanë mbetur vetëm reliktet e tyre. Ose së paku përfytyrimi im nuk mund të ndryshojë aq lehtë. Ka gojë të vogël, të lyer shpesh, për djall, me një të kuq shumë të fortë i cili sikur e kompromenton disi.
Përtej kësaj gruaje çdokush mund të ketë jetën e tij. Të patrazuar. Por zonja Martha shkruan..Po, po, shkruan kujtime! Dikur as që mund ta mendoje se një mësuese e shkencave ekzakte të hidhte fraza pa kokë në fletët e fletoreve me kuadrate. Kjo gjendje e re shoqërore e bën atë të ndihet interesante mes një grupi burrash të moshës së saj. Të gjithë ata shkruajnë. Ma ka treguar dikur vet ajo. Kujtime, sigurisht edhe ata. Ky është kulmi i muzgut të jetës së tyre. Të ngjall një interes jo të zakonshëm. Sigurisht duhet thënë se çfarë janë kujtimet e saj..
Përfytyroni pesë të moshuar dhe midis tyre zonja Martha. Sepse besoj, – sa herë i shoh në një kafene verore nën rrape, – të jenë të dashuruar të gjithë pas saj. Nuk e di se çfarë i lakmojnë më shumë. Por, me siguri jo kujtimet që shkruan. Ajo mund të bëj dashuri me secilin prej tyre në mënyrën më të çuditshme njerëzore. Me sy. Me lëvizjen e buzëve. Me mimikën e saj ku ka, domosdo, pak ironi. Ah, sikur dikur, dikush, të mund të prekte padashur kofshën e saj përfund tavolinës!
Kaloj bri kësaj kafeneje thuajse një herë në kaq kohë dhe, sinqerisht, më ndryshon humori. Mendimi i parë që ngulmon është se nuk përfundojnë asnjëherë pasionet dhe ethet njerëzore. Kjo është mrekullia e të marrit frymë. Tund kokën dhe eci më tej.
x x x
Hyj të pi një kafe diku. Tavolinat zhurmojnë nga bisedat e studentëve të një fakulteti aty afër. Nuk ka asnjë vend të zbrazët. E di që lokali ka një kthinë të mënjanuar. Aq e mënjanuar sa besoj se dikur këtu duhej të kishte qenë kuzhina e një apartamenti të katit të parë. Katër tavolina janë vendosur atje si në hije. Hedh një sy në se mundem të gjej një vend aty. Por, o zot, ç’të shoh? Koka e zonjës Martha është mbështetur mbi supin e njerit prej pleqve të shoqërisë së saj..
Sepse ndihem menjëherë fajtor. Kthej kurizin dhe iki me nxitim sikur të kisha shkelur mbi një pasqyrë. Dalë jashtë dhe kuptoj se ende më ndjek ky trazim idiotesk. Mbaj këmbët në parmakun e betontë të një ure periferike të Lanës. Pamjet e zonjës Martha duke folur vazhdimisht me celular, me muzgun e saj ende të përskuqur, më çelin fytyrën…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.