NAGANTI I ISA BOLETINITnga Agim Shehu

Agim Shehu

NAGANTI I ISA BOLETINIT
Bënë udhë të gjatë,-
te ‘inglizi’ vinin
Ismail Qemali,
Isa Boletini.

Hynin dy shqiptarë
brënda në Pallat,
njëri luftëtar,
tjetri diplomat.

Shqipërine tyre
kishte hall, e mjera…
“Zotërij – tha roja –
armët rrinë te dera!”

U ngrys luftëtari,
sytë inshkrepën-çikë!…
“Lerua!”, diplomati
i tha me qerpikë.

Nagantin te dera
la qetë Boletini.
(të voglës nën brez
sytë i shkrepëtinin).

Hapat qetë e qetë
ecnin në Pallat
(Njëri luftëtar,
Tjetri Diplomat).

Lordi Grej i priti
në takim – biznes
dhe çeli bisedën
me humor anglez:

“Ja, dhe çarmatosur,
Zotërinj shqiptarë!…”
Si kallkan i ngrirë
ngriu fjalë e parë!

Sytë e Diplomatit
zjarr të hidhur shkrepën.
Isa Boletini
nxjerr nga brezi tjetrën.

Me humor të tij
i tha lordit pranë:
“Madhëri, shqiptarin
nuk e gjen pa armë!…”

Shkrepëtiu fildishi
zbardhëlloi sërmaja,
ndritën malet tona
me dëborë në maja.

Qelqe e shandanë
dhanë dritë të ligë.
Ismail Qemali
qeshi nën qerpikë.

Dhe naganti ulur
rrinte siç i thuhej –
dora nga inzoti,
tyta nga t’i duhej.

Nxinte tytë e vogël,
brënda nxinin halle…
Shqipëri ‘e vogël’
në Tryezë të madhe…

TE DE RADA
Mirëmbrëma, Perëndi!
Të vij mik shtëpie.
Kam në dorë MILOSAON,
dhe në zemër-
një këmborë nga dele Shqipërie.

Asgjë s’të kërkoj në mikpritje
veç një fill bari që ke përmbi krye.
Cironka në xhepin tënd mjafton
t’u japim për darkë
dhe yjeve.

Te varri yt prej shënjtori
gjumin e ëmbël s’kam për të ta prerë,
veç të vë faqen mbi fijet e barit,
të dëgjoj frymën tënde
nëpër erë…

QYLYMI I NËNËS SIME
Gjalmin zgjedhur prej çdo ngjyre,
nëpër gishta – shpjer e bjer…Mbi tezgjah, krahët mes tyre
i formonin një ylber.

E kuqja kudo nxjerr ballin
(qe dielli mbi Lumaqe
ku shëndet i kuq i malit
nënës i ndizej në faqe).

Kur ‘të zezën’ mes të kuqes
hidhte në qylym të saj.
ato ditë kish parë tutje
një shqiponjë lart në majë.

Një fill rozë të hollë, të pakë
ndrojtur në qylym ka prurë…
(qe një trandafil i largët
që u këput, e s’u dha kurrë!)

Ngjyrën e ëmbël të hënës
tek e verdha që shikoni,
-biri kur sëmurë ka qënë
nëna e derdhi ngjyr’ limoni.-

Hidh e prit me duart flutur
e kur boshti priste fijen,
lidhte gjalmin e këputur
si t’u zgjaste udhën bijve.

E gjelbra e ngrohtë e butë
ku nuk futej në qylime
(bar i dhënve kurrë mos humbtë –
gjithnjë lutej nëna ime).

Mes blerimit të qylimit
zogj të bukur qenë skicuar…
Qenë zogjtë që përcillnin
nënën larg me dru ngarkuar.

Vijat në qylim të drejta,
harqet – valle hip e zbrit
Si s’e dinin nënë shkretat
se aty do ecnin bijtë!

NJË NËNË NË GALERINË E ARTEVE
Në tablo, luftëtari i plagosur
qe shtrirë mbi dëborën e shtruar.
Në tablo nëna zgjati dorën e ndrojtur,
i preku gishtat e zbuluar…

_Ndalohet të preket piktura me gishta! –
i tha nënës dikush te salloni…
– Jo bir, i tha nëna, po desha të shihja,.
mos mërdhih…ta mbulonim…-

VALLJA E GRAVE LABE
Ua njihni vallen grave labe!?
Një rreth i rëndë pa dredhka supesh,
thua, në mes të valles kanë
bijtë me plagë të rënda lufte.

Burrat matanë lënë këngën
posa jep shënjë një i parë:
“Pushoni…Gratë zunë vajin,
mbi vaj ngarkojnë bijtë e vrarë!”

Gratë në vënd e presin këngën
sa u jep shënjë shoqja në shpinë:
“Pushoni…po këndojnë burrat!…
Nisen për luftë, e ndoshta s’vinë!…”

Këndojnë labet…zgjohen malet
çdo gjë lëviz e trazon shekujt:
të vdekurit dridhen të ngjallen,
të gjallët dridhen për të vdekur—

MIRUPAFSHIM, SHQIPËRI!
Mirupafshim, Shqipëri!
Ika se të dua shumë,
që dhe për ty, sadopak
të isha gjallë përsëri!

Motorin e avionit
që më largoi Shqipërinë
e vunë në lëvizje
plumbat që më shtinë.

Te helikat e tij
dridheshin në ndjekje
rrotat e motorit
që më shtypi për vdekje.

Natën e mirë – tokë Shqipërie!
Sot jam një meteor i djegur
që këputet, e s’di ku bie!

Një zog fluturonte pas avionie.
Në cicërimat e tij me zëra atdheu,
dëgjova emrin tim që më thirrte –
KTHEU!

S’më arriti dot.
U drodh nëpër erë
e ra…vuri faqen
mbi një luleshqerë.

Zëri i të mbyturve në Otranto
zgjatej nën avion nga fundi i deteve:
“Atdheu na la këtu, të harruar,
merrnai shpirtrat me vete!”

“Ku t’u shpie?
Si ta ngre kujen tuaj
që as varr nuk ka!?
Pulëbardhat vinin rrotull mbi ujra
me shpirtrat e tyre mbi krah.

Fluturoj në veri-perëndim
me sy nga hapsirat e Ilirisë.
Në veshë më trokasin gozhdët e arkivolit
që Athina i bën Shqipërisë.

Mbi qiejt e Europës,
vetëtima me përskuqje
si me gjak Shqipërie.
Një rrufe Kosove
mbante në krah një rënkin Camërie.

Mbi Malin e Bardhë m’u zgjat Tomori.
Një ylber i vëndlindjes buzë një shkrepi

më përsëriste legjendat pelazge
që nëna m’i thoshte te djepi.

Nga pas, vështrimet e njerëzve të mi
më përcëllinin në heshtje,
pa folë:
Në sytë e tyre drejtuar nga Europa
zbardhnin arkivolë.

Na mashtruan “një sekondë të bukur” –
“diktaturës i hoqëm dhëmbët!”-
i krasitën gjethet,
i shëndoshën rrënjët”!

Natën e mirë – Shqipëri!
Pakëz terr mesnate
në shpirt me vete e kam marrë.
(mëngjezi që pret,
mbase më shpejt të zbardhë)!

S’vdiqa nga goditja!
S’di ç’ëngjëll erdhi,
më pëshpëriti nën zë:
“kur Shqipërinë e kanë nisur të vdesë,
është pak të vdesësh për të”.

Shamia me të cilën një biri do t’i fshije
plagën e prerë,
qe e njomë me gjakun
e bijve të tjerë.

Ika, Shqipëri!
Që të ruaja mallin tënd,
zgjodha një vënd të vogël
e të bukur si ti.
Në dyert e Zvicrës,,
me plagët e mia ngarkuar në shpinë,
trokita ngadalë me patericë,
mos t’i prishja qetsinë!

Hapi derën, më pa…
Nuk fola. Më dëgjoi.
Nuk sillja asgjë të bujëshme,
asnjë shënjë Heroi!

Vilhem Teli doli nga legjenda.
Sa më pa, më njohu që rini
kur te libri i këndimit
e mbaja në gji.

Gjithëçka m’u lexua te heshtja,
në vështrimet e mia.
Në fytyrë kisha tkurjen e Atdheut
gjymtuar nga historia.

…Paterica rënkon.
Filizën ia mbolla me “punë vullnetare”
të mbushnim blerim Shqipërinë…
M’u kthye këmbë druri
të ngarkoj mbi të pleqërinë!

Ecij mbi të
nën pikat e shiut a nënn dritën e hënës…
Në fundin e saj
më rri një lule nga varri i nënës.

Kaloj nëpër Zvicër,
i flas botës me dhimbje njeriu
(me fëshfërimë bari
mbi gjumin e tij në Lugano
më përkthen Aleksandër Moisiu).

…Takoj Ismail Qemalin
tek troket vigan nëpër shtete
e i them – Flamuri Kombëtar
ka mina greko-sllave nën vete!-

Takoj Nolin në Sallën e Kombeve
me Shtetin Sovran në dorë
e i them – Shqipërisë
i rikthyen Protektorë!

Takoj Mit’hat Frashërin
te një “Mbledhje Ballkani”
në Lozanë,
e i them – Venizellos
është këmbëkryq në Tiranë!

Takoj Konicën
tek vazhdon artikujt-rubinë,
e i them, – politikët
e vranë Shqipërinë!

Takoj Bedri Pejanin
me Kosovën në krah
drejt Atdheut,
e i them në Prishtinë
po të pret “Skënderbeu”!

Në Lucernë, Mbretit Zog
i them “Këto kohë dimërore
Qielli-Shqipëri
ka formën e Kurorës Mbretërore…”

…Presidenti Uilson…
I përulem me lutje nderimi…
Fjalët për Kombin tim
t’ia kujtojë Njerëzimit!

…Hyj me bastun në klubin zviceran.
Diku në një skaj,
më del kafja e thjeshtë në Tiranë,
shokët te dera e saj.

I thërras çdo mbrëmje,
i pres me mëngjezin…
Tek vesh këpucët e mia,
lidh këpucët e tyre
të më presin.

…Mirupafshim, Atdhe!
Me retë e bardha të Alpeve
të dërgoj përqafimet e mia.
Aty brënda kam fëmininë
që ma mban Shqipëria.

Kam lodrat në lëndinat e tua,
vitet me lot e me këngë,
komentet e nxënësve në maturë
e trishtime spërkatur më hënë!

Aty lashë të parin takim
të dashurisë me gruan
që ecën nëpër kohra
me bukën e fëmijve në duar…

Lashë lopatën time të puntorit
në vitet me dënim të zi.
Lashë pa bërë vizitën e fundit
në varret e prindërve të mi.

Kam lënë hapur dhe një Dosje Sigurimi
me emrin tim në çdo resht
që të ndjek pas,
ku të jesh!

…Sipër gjumit, vinë nga larg
zëra të ëmbël gjitoni…
Kam mallin e të ikurit
dhe për ata që s’e donin!

Për zogun që largohej nga ballkoni
se s’gjente thërrime,
për mimozën në oborr
që ma sillte pranverën
nä janarin me thëllime.

Për rrugicën time tërë turp
tkurrur nga meraku i vetëm,
që buzë bulevardit
mbeti e shtrembër tërë jetën.

Dhoma ime e shtrenjtë,
e ngrohtë nga varfëria!
Format e gruas mbi çarçafin e bardhë
mbështillnin plagët e mia.

Gëlqerja tharë në mur,
ngrirë si muranë,
me ankthe pa fund të familjes
që kurrë s’m’u ndanë!

Llampa e shuar prerë nga shteti
sheh mbi fëmijët kthyer në hije.
Nëpër raftet e librave shkrimtarët
pëshpërijnë në terr
dhe një dramë vetmie…

…Diç pëshpëriti matanë…
kolltukët bosh rënkonin;
fryma e tim eti vetëm
vazhdon pi duhan te ballkoni.

Një shishe mbetur përgjysëm
siç e lashë në ikje,
pret të pihet kur të kthehem,
a të thahet në pritje.

Vëndi im i shtrenjtë Shqipëri,
Lamtumirë (me Mirupafshim brënda)!
Në s’qe fat të të shoh përsëri,
do jem fshehur prapa te hëna.
(Gjenevë,v. 2000)

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.