NATASHA nga Kujtim Agalliu

Kujtim Agalliu

NATASHA

 -tregim-

Kur shkova atje për të mbaruar vitin e fundit të gjimnazit Natashën nuk e njihja. Madje, asnjë nuk njihja, i huaj në një vend të huaj.

Ditë e para ikën si ikën, jo regjistrimi, jo ardhja e dokumenteve nga qyteti im për konviktin e kësaj shkolle, jo sistemimi nëpër klasa e dhoma të konviktit, kompletimi me libra, dhe unë s’pata kohë të hedh sytë përreth e të njohë banorët e këtij qyteti të vogël.

Po i riu si veriu, thotë populli, pasi kaloi kjo valë shqetësimesh të domosdoshme, brenda muajit, isha bërë i njohur me të gjithë shokët dhe shoqet e klasës sime. Madje, sytë kishin filluar të kullotnin edhe nëpër klasat e ulët, sidomos te e nënta dhe e dhjeta, që ishin mjaft të pasura me vajza. Dhe çfarë vajzash se, faqekuqe (ishte klima e këtij qyteti alpin që i bënte të tilla, mbase!), të pastra, të kolme e të bukura. Po ç’e do, këto vështrime, mbeteshim vetëm të tilla, se kujt ia mbante të afrohej? Kush guxonte të shkëmbente një fjalë. Unë jo vetëm që isha i ndrojtur nga natyra, por edhe i huaj në atë qytet. Por edhe ata që kishin lindur e ishin rritur aty nuk e kishin të lehtë të krijonin një lidhje, një miqësi adoleshentësh, sepse qyteti kishte sy, kishte veshë, dhe sa hap e mbyll sytë e kishte mësuar i madh e vogël. Lere pastaj për pasojat. Jo thirrja në drejtorinë e shkollës, jo ardhja e prindërve, jo ulja e notës, deri tek përjashtimi nga shkolla. Këto rregulla kërkonin ti kyçje dëshirat dhe ëndrrat e tua në një qoshe të shpirtit dhe të mos kujtoheshe t’i nxirrje prej aty deri sa të fusje dëftesën e pjekurisë në xhep. Atëherë, po, ndryshonte puna.

Por ne  e kishim gjetur mënyrën për t’i zbutur dhimbjet që na shkaktonin dëshirat tona të paplotësuara. Kjo lojë kishte filluar vite më parë, por unë  u përfshiva rastësisht si pjesëtar i ri i këtij kolektive.

Aty nga mbarimi i semestrit të tretë, pasi dolën nga mensa e konviktit, për të pushuar deri sa të vinte ora e studimit, Veloja që e kisha zënë shok që në ditët e fillimit, si konviktorë që ishim, më thotë:

– Tani që u njohe me nxënësit e gjimnazit tonë, ke zënë ndonjë të dashur?

E pashë në sy, me një fije dyshimi se mos po më provokonte, pastaj e pyeta:

– Pse ti ke të dashur?

– Të gjithë kemi nga një. I kemi zënë qysh vjet në klasën e dhjetë.

– Kaq e lehtë qenka? Po mori vesh drejtoria e shkollës a nuk ju përzë nga shkolla?

– I kemi të fshehta, aty thellë në zemrën tonë se merr veshë njeri. Pastaj ne nuk takohemi me njëri – tjetrin që të biem në sy. Zëre Natashën, – tha pas pak, – ajo është e patrazuar deri tani. E njeh apo se njeh?

– Jo.

– Është në vitin e dytë, një bionde e bukur, e ardhur në qytetin tonë, si s’të paska rënë në sy?

–  Mbase dhe e njoh, por se kam pasur mendjen aty.

– Mirë, pra, që sot e tutje ti do të jesh i dashuri i Natashës. Unë kam zënë Verën, Bardhi është lidhur me Vasilikën, atë vajzën e bukur të bibliotekares, Astriti  ka Fluturën, Dëfrimi lë kokën pas asaj durrsakes që rri te tezja e vet. Do t’i mësosh të gjithë, por tani boll me kaq.

Që nga ajo pasdite unë krejt papritur u bëra i dashuri i Natashës.

Të nesërmen, para se të hyjmë në klasë, ktheva kokën nga rreshti i vitit të tretë, me tahmin të shihja Natashën. Pas përshkrimit që më bëri Veloja nuk e pata të vështirë ta njoh. E bukur ishte, me flokë të verdhë prerë rreth qafës, lëkurë hollë e bardhoshe dhe me ca pikëlza si vezë rike deti nëpër mollëza. Pasi e zhbirova nga fytyra, sytë nuk ia pashë, por kisha bindjen se të kaltër duhet t’i kishte, e hodha vështrimin nga kofshët: të drejta, të mbushura edhe pse grykësja e shkollës i rrinte një shuplakë nën gju. Të gjitha këto i bëja tinëz me bisht të syrit. Veloja në krah meje herë pas here më godiste me bërryl sikur donte të më thoshte: “Ë, e sheh se çfarë llokumeje që është?” Dhe kishte të drejtë: Natasha nuk kishte asgjë mangët për të qenë një nga vajzat më të bukura të klasës.

Tani që isha përshtatur në shkollën e re, që mësimet ishin vënë në rrugë të mbarë, që kisha një të dashur aq të bukur, isha me të vërtetë njeriu më i lumtur në botë.

Në ditët që erdhën, bëja nga  bëja e përpiqesha t’i bija në sy Natashës, t’i tërhiqja vëmendje, fundja ta bëja me dije se isha një adhurues i heshtur i saj. Edhe shokët e mi të njëjtën gjë bënin. Edhe ata veç këmbenin ndonjë fjalë nëpër pushimet e gjata, ndonjë vështrim apo buzëqeshje dhe asgjë më tej. Por ata ishin më të avancuar se unë. Së paku “të dashurat” e tyre i kishin rënë në erë kësaj pune dhe, ëndërrimtare siç ishin edhe vetë, e luanin bukur lojën, por Natasha ime nuk dinte asgjë se ç’vlonte në shpirtin tim. Ajo nuk i ndjente rrahjet e zemrës sime kur më kalonte pranë, kur radhiteshim për të hyrë nëpër klasa, apo nëpër mbrëmjet e rralla të vallëzimit. Ajo ishte në botën e saj të qetë, të patrazuar dhe herë-herë qeshte me një lloj naivitet me ndonjë shok apo shoqe të saj. Ndoshta do ta kisha më të lehtë t’i shprehja ndonjë ndjenjë, por ajo nuk ishte çapkëne, e hedhur dhe shumë e shoqërueshme. Kjo ma bënte më të vështirë takimin me të. Tjetër vështirësi ishte se ajo ishte nxënëse e jashtme, kurse unë konviktor. Ne ishim bashkë vetëm për orët e shkollës, pasditeve deri në mëngjes secili në punën e vet. Edhe daljet nëpër qytet i kishim të rralla, vetëm të shtunave pasdite dhe të dielën paradite. Por unë desha s’desha, si çdo adoleshent që digjet nga dëshira përvëluese për të eksploruar atë botë, që ende s’e ka njohur, mezi prisja të këmbeja një fjalë, vetëm  një fjalë se pastaj ngjarjet rridhnin në hullinë e vet.

Lidhjet tona i imagjinoja sikur midis vajzave dhe nesh kishte një magnet që na tërhiqte fuqishëm midis njëri-tjetrit, por barrierat ishin kaq të shumta, kaq të rrezikshme sa të dyja anët e kundërta ishte e pamundur të thitheshin e të binin mbi sipërfaqen thithëse të tij. Sa më i vështirë ishte ky takim aq më të ethshëm bëheshim ne. Kurioziteti ndaj sekseve të ndryshëm bëhej i thekshëm, e padurueshëm, i dëshirueshëm deri në marrëzi. Të afroheshe, të shpreheshe, të hyje në të fshehtat e kësaj bote magjike, ishte për ne sikur të luaje me zjarrin. Do të duroje, o zjarrin përvëlues në gjoks, o përjashtimin e sigurt nga shkolla. Por zgjidhje ishte e vështirë: të dyja ishin të rëndësishme në jetë. Atëherë, për hir të njërës, do sakrifikoje tjetrën, lum kush duronte deri në përfundimin e shkollës.

Një mëngjes zura hyrjen te porta e oborrit të shkollës. Prisja me ankth të kalonte Natasha. Mjaft që ta shihja se isha i sigurt që ajo as që mendonte për mua. Asgjë nuk dinte për ato që mbaja të fshehta në mendjen time. Kur më pa aty, u step. Më hodhi një vështrim përdheri, me sy të përmbysur mbi pragun e portës, dhe kaloi pa u ndjerë. Mua më sëmboi. “E paska marrë veshë!”, mendova, dhe e ndoqa nga pas me vështrimin tim të trishtuar.

Tani që loja ishte hapur isha edhe i gëzuar edhe i trembur. Bënte vaki që nuk i pëlqeja dhe më largohej më shumë, por mund të ndodhte edhe e kundërta: t’i piqej ylli në mua dhe të më adhuronte. Kjo dilemë ma prishte humorin. Një ditë, i them Velos:

– Më duket se e ka marrë veshë që e dua.

– Të gjitha e dinë që ne i duamë. Edhe ajo s’kishte se si të mos e merrte vesh. Pastaj ne një grusht nxënësish jemi këtu.

– Kam frikë se do të më largohet më shumë. Mbase nuk i pëlqej. M’u shmang sot në mëngjes.

– Mos u bëj merak se ashtu e kanë ato. Janë të turpshme, por përbrenda digjen njëlloj si ne. E ku i njeh ti femrat!…

– Pse ti i njeh?

– Po, ja ashtu, si të them, pak më shumë se ti.

– Më thershim mua në ke puthur ndonjë, qoftë edhe të dashurën tënde.

– E, ç’ rëndësi ka. Unë tërë natën me të fle në ëndrrat e mia. Kënaqemi…- dhe qeshi.

Marrëdhëniet me Natashën u bënë më të gjalla. Më vinte keq që ajo ishte e ndrojtur, por edhe më pëlqente urtësia e saj. Dukej si një engjëll i brishtë, i trembur, që ka frikë se mos e rrëmbejnë në krah dhe e degdisin kushedi se ku. Por sytë kishte filluar t’i kthente nga unë. Kjo gjë më gëzonte pa masë. Mezi prisnim të përballeshim, ashtu pa fjalë, duke kaluar pranë njëri-tjetrit. Një vështrim i kithët ishte mjaftueshëm për ne. Aty ne lexonin dëshirat e secilit dhe vuajtjen tonë për pamundësinë e një takimi kokë më kokë. Kaq pranë dhe kaq larg. Dashuria me sa po kuptoja unë ishte një tmerr i vërtetë.  Nuk e di se ç‘do të bënte njeriu po të ishte i verbër: a do të ishte më pak përvëluese flaka e dashurisë? Ta shohësh me sy, ah sytë, t’i kalosh pranë dhe mos të kesh guximin ta prekësh me dorë atë bukuri që e sheh dhe ëndërron përnatë, a nuk është më torturuese se ferri?

Të vetmet kënaqësi që ndjenim ne të “dashuruarit” ishin mbrëmjet e vallëzimit. Aty së paku kishe mundësi ta përfshije belin e saj me krahun tënd drithërues, t’i merrje njërën dorë (oh, ç’dorë e butë, e bardhë, delikate!) në dorën tënde, të ndjeje drithërimat e zemrës së saj, frymëmarrjen e nxituar pa ritëm, edhe pse ato ishin vallëzime të heshtura, pa fjalë, të shoqëruara nga loja e imagjinatës së ndezur.

Një pasdite në orën e studimit, si gjithmonë, ne kokë më kokë po flisnim kush e kush me zjarr për të dashurat tona. Biseda arrinte deri aty, sa ne ndizeshim nga ato që vetëm fantazia jonë dinte të pillte. Në një çast të tillë të padurueshëm, Velioja (ndoshta edhe ne të tjerët) bëhej prush i kuq në fytyrë. I merrte leje kujdestarit dhe vrap e në banjë. Pas disa minutash ai kthehej me fytyrën në ngjyrë normale. E e kuptonim se ç’kishte ndodhur: ai ishte masturbuar.

Përballë dritareve të konviktit ishte një fushë e vogël volejbolli. Pasditeve herë pas here klasat zhvillonin ndeshje miqësore. Një zë i mprehtë erdhi drejt e në dhomën ku studionim ne: “Natashaaa, gjuaje, mos e vono! Oooo, të lumtë, edhe një pikë për ne.”

Unë e dija kjo thirrje ishte lajmërim për mua, që donte të thoshte se ajo ishte aty, dhe ishte me kilota të zeza. Kjo mënyrë vështrimi tani ishte bërë modë për ne. Kush dëgjonte emrin e të dashurës  së tij, dilte nga e dritares pa rënë në sy të kujdestarit dhe hidhte vështrimin jashtë, për të parë kofshët e saj. Kështu bëra dhe unë. I ngula sytë te fusha, jo për të parë lojën, por atë, ashtu me uniformën e sportit. E përpiva me sy. E bardhë, e bardhë si topi i dëborës, e butë e butë si topi i gjalpit, dhe befas ndizesha i tëri. Tani e kisha radhën unë të shkoja në banjë.

Tani që stuhia e dashurisë po ma shkatërronte strehën e qetësisë sime, mezi prisja të mbaronte viti shkollor. Ditët, orët, muajt më dukeshin tmerrësisht të gjatë, sikur s’kishin të sosur. Fjalën time, fjalën  e fundit që do ndreqte apo prishte të gjithë këtë lumturi, do t’ia thosha kur të kisha futur në dorë dëftesën e pjekurisë. Me të në xhep askush nuk do të më bënte gjë. Atëherë po, atëherë do të isha zot i vetes dhe as që do pyesja më as për drejtor shkolle, as për kujdestar konvikti. Atëherë isha unë që do bëja ligjin.

Me këto mendime në kokë, me këtë vendim të krisur në mendje, me mbarimin e mbrëmjes së maturës, u ktheve në vendlindjen time. Veç vështrimeve dhe nja dy vallëzimeve në mbrëmje, ku ishin të ftuar edhe nga klasat e tjera, asgjë tjetër nuk këmbeva me Natashën. Por ai çast kur unë do ‘ti derdhja përdhe tërë ndjenjat e mia ishte në prag. Edhe pak ditë edhe pak javë, dhe unë do të kthehesha për t’ia thënë të gjitha. Ta zbrazja tërë shpirtin tim në pëllëmbët e saj dhe ajo le të bënte ç’të donte me të. në daç ta afronte pranë zemrës së saj, në daç ta flakte në ujin e ftohtë të lumit të Guakut.

S’po ju them se si i kalova ato dy – tri javë që kalova pranë njerëzve të mi. Edhe pa jua treguar, kushdo që ka dashuruar s’ka nevojë për komente.

Unë u ktheva, pas një rruge të lodhshme në qytetin e vogël ku mora maturën dhe u bëra burrë. E mbajte frymën drejt e në sheshin e vogël të tij. Hodha sytë përqark me mendje se mos shoh ndonjë fytyrë të njohur. Te ca shtëpi përdhese, pranë lumit Osum dëgjova këngë e valle. Ndoshta dikush bënte ndonjë dasmë edhe pse korriku të përvëlonte. Desha të nxitoja e të ulesha në një vend të dukshëm që ta kisha nën vështrim sheshin për të parë kush kalonte, por papritur dëgjoj zërin e Velos mbas shpine:

– Pake ardhur për t’u çmallur, apo jo?

– Tamam ashtu, jo, i thashë, desha të takoj Natashën e t’i flas për dashurinë time.

–  Je tepër vonë, miku im. Atë po e martojnë kundër dëshirës së saj me një vejush dyzet vjeçar nga Tirana. Tirana, sot vlen më shumë se dashuria!

Unë ngriva edhe pse zhegu të merrte frymën. Më vinte ta kapja për fyti e t’ia fusja kokën në lumin e vogël të Guakut, që në ndezi atë zjarr në mallkuar që po më përvëlonte të gjithin, por sa dobi kishte. Mbase s’ishte ai fajtori, por unë vetë. Isha i vonuar, sepse s’isha i zoti të përballesha me frikën. Dhe fundi s’ka asgjë garanci për të fituar, por gjithmonë riskun e humbjes.

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.