NATË PA AGIM nga Qazim Muska

Qazim Muska

NATË PA AGIM

U zgjova nga një dhimbje e tmerrshme pas shpinës, në mes të shpatullave, mu aty ku lidhet trupi me kokën, në atë vertebrën e madhe, kryesore, të quajtur “Atlas”. Ulëriva sa munda pasi ndjeva që diçka e ftohtë dhe e mprehtë po më hynte nën lëkurë. Nuk po kuptoja mirë në atë zgjim të beftë nga gjumi, por më dukej se po më rripnin lëkurën. Nga zhaurima e shqitjes prej mishit ulërija sa mundja; po bindesha se kjo që ndodhte ishte e vërtetë. Lëkura po shkitej nga mishi me forcë dhe me mundim, si një lëvore limoni i pabërë ende. Ajri futej në hapësirën e krijuar dhe më drithëronte pa masë pjesën e avullt të mishit që mbetej tashmë pa mbulesën e vet të përhershme, të butë. Rrjepja kishte filluar nga shpina dhe jo nga përpara, aty te gryka, ku zakonisht fillonte për kafshët e zbriste pastaj poshtë e më poshtë, deri në fund të barkut. Ishte një rrjepje e çuditshme, jo vetëm nga mënyra e mbrapshtë e nisjes së procesit, por edhe sepse kishte filluar për së gjalli, ndryshe nga kafshët, që më parë u ngulin thikën në zemër a i ngordhin me një të rënë në lule të ballit, ose prapa kokës me vare. Kështu që unë ulërija sa mundja. Gjithsesi, ato duar të shpejta vazhdonin punën e vet, të pashqetësuara nga vuajtjet e mia. Tashmë isha kthyer në një kufomë të gjallë, i pafuqishëm as edhe të nxirrja zë. Gjaku kishte rrjedhur çurg e isha krejt i mpirë, me çdo venë e kapilar pothuajse bosh. Edhe ajo sasi e vogël e mbetur kishte filluar të mpiksej. Nuk e kisha idenë cili ishte ai dikushi që punonte me aq pasion mbi trupin tim, por kuptova se më njihte mirë. Kjo, ngaqë, kur erdhi te pjesa e përparme dhe filloi të çante gjoksin nga gryka, ashtu si fillonte kjo punë me kafshët, e të zbriste deri përfund barkut, nishanin tim, që unë e kisha aq të preferuar në mes të gjoksit, nuk e preu dhe nuk e shëmtoi duke e ndarë më dysh. Me shkathtësi bëri një zgjatim si një liqkë ku kopsiten kopsat, duke e lënë të paprekur në anën e majtë të pjesës së ndarë të lëkurës. Kjo do të thoshte se i dinte mirë dobësitë e mia dhe, patjetër, me këtë, ka dashur të respektojë preferencen time, njësoj si të pushkatuarit që i kërkojnë dëshirën e fundit. Pasi mbaroi punën, në mënyrë të rrufeshme e tendosi lëkurën time me dy shkopinj të thatë, të cilët i vendosi ndër shpatulla e në pjesën e poshtme dhe e vari në murin përballë, si një kostum në kremastar, që të thahej. E hollë, e bardhë dhe e tendosur lëkura reflektonte nën dritën e vakur të një qiriri gati në të shuar, e dukej si plastmasë e vendosur në vend të xhamit, në një dritare ndërtese të mjerë e të ronitur. Sakaq, ai njeri fantazmë, iku e u zhduk në errësirën e paskaj, kurse pjesët e mishta të trupit tim filluan të shkëputeshin prej kockave e të rrëshqisnin poshtë dyshemesë së ftohtë prej betoni. Dukej se po zbërthehej pjesë-pjesë trupi i një manekini nga ata që përdoren për nxënësit e shkollave në anatomi. Por rënia e tyre nuk kishte tingullin bosh të plastikës, kur përplaset në dysheme. Ato rrëzoheshin duke u zvarritur nëpër trup, të qullëta e të paforma, si ca vemje gjigante, duke bërë rreth skeletit tim, të mbetur tani si trung i bardhë plepi, një pirg të madh mishi e gjaku. U dëgjuan ca lehje nga thellësia e errësirës. Pastaj një rrëmujë nën një nxitim të madh. Ishin qentë rrugaçë të qytetit, të cilët, tërhequr nga era e gjakut dhe e mishit e të shtyrë nga uria dhe nepsi për ushqimin e majmë, me sytë xixëllues e gjuhë të jargavitur mes dhëmbëve të mprehtë, u sulën duke shqyer e duke kollofitur sa hap e mbyll sytë copat e majme të mishit që ende avullonte. Instinkti i vjetër i presë dhe dehma e gjakut i mblodhën në këtë lukuni. Mbasi asgjë nuk kishte mbetur më, filluan të largohen ngadalë në drejtime të ndryshme, secili në hesap të vet. Të nginjur paq, me shpinën e ngritur si hark nga kënaqësia, kthenin here pas here kokën pas në ikje e sipër, si vrasësi që kërkon të sigurohet se puna vërtet ka mbaruar mirë. Lëpinin njollat nëpër fytyrat duke përzierë me gjuhë gjak e jargë bashkë, ndërsa xixëllimat e syve tashmë u ishin shuar. Humbën nëpër terr të qetë, pa zhurmë e bujë, duke u tretur dalëngadalë si hijet. Unë, shndërruar në skelet, qëndroja si mes një skene të braktisur e të ankthshme. Por nuk zgjati shumë; ca krrokama të çjerra zgjuan përsëri errësirën e ftohtë dhe drodhën ajrin që tashmë ishte e vetmja mbështjellë e trupit tim të kockët. Ca toptha puplash të zinj, u shfaqën duke ardhur drejt meje. Qëndruan mbi supet, si mbi degë pemësh të thara. Skeleti dridhej sa nga e ftohta, sa nga ankthi. Arsyen e ardhjes së topthave të zinj puplorë e kuptova vetëm kur mbi sytë e mi ranë njëra pas tjetrës çukitje të çartura sqepash pa fund. Vetëm brenda atyre goglave të vogla kishte mbetur një imazh i rremë jete në strukturën e shkretuar. Nëpër terr dëgjoheshin në thellësi të kafkës dhe të kafazit të kraharorit çukitje të tjera, si çekiçë të vegjël pneumatikë, që thërrmonin dhe shfarosnin krejt çdo gjë që kishte mbetur aty brenda. Pasi çukitjet mbaruan, krrokamat humbën ashtu si erdhën, në terr. Por, ndryshe nga qentë rrugaçë, të cilët ikën të qetë e në paqe, topthat të zinj puplorë krrokatnin sërish në ikjen e tyre. Dukej si një e qeshur cinike mbas atij sulmi kjo krrokamë. E menjëherë heshtje. Një heshtje varri. E një varri gjigant, bërë njësh me qiellin. Asgjë s’pipëtinte. Veç ndihej drithërima e kockave, si një fërshëllimë thëllimi mes shkurresh të zhveshura nga gjelbërimi. Mbështillte gjithë trupskeletin e ftohta e asaj drithërime. Veç, nuk zgjati shumë as kjo heshtje dhe, pas pak, u ndjenë ca hapa të lehtë e të butë. Ishin si mërmërima jehonash kur vë veshin të dëgjosh zhurmat që vijnë nga larg nëpërmjet tokës. Dhe, menjëherë, mes drithërimës së ftohtë, ndjeva ca si ngjitje të buta, të lagëta e të ngrohta mbi atë që kishte mbetur prej trupit tim. Nga mënyra se si ngjiteshin e shqiteshin me të shpejtë në të gjithë fyejt e kockave dhe nyjet me një epsh dhe zell të madh, kuptohej që ishin të lëpira; zgjatime gjuhësh që përdridheshin, duke më dhe dhënë një si kilikosje, e njëjtë me ato në vende delikate të trupit, kur ky ka mish, gjak e nerv, aq sa nuk i duron dot e përpëlitesh e hidhesh përpjetë pa e kuptuar ç’ndjesi është kjo; kënaqësi, bezdi apo drithërimë prej diçkaje të papërcaktuar. Ishin lëpirje qensh të butë e të urtë, nga ata që rëndom i mbajmë nëpër shtëpitë e mjediset ku banojmë, pasi as nuk lehnin, as hungëronin si rrugaçët në dyluftimin për të ndarë prenë, por veç lëpinin në heshtje. Pasi nuk lanë asnjë pikë prej gjakut të athët e yndyrës mbi të gjithë sipërfaqen e mbetur kockore, lëpirjet u ndërprenë. Hapat u ndjenë sërish, por tani duke u shuar si valëzimi i rrethit të ujit nga qendra drejt periferisë. Dhe ra sërish ajo heshtje varri në errësirën që shpohej vakët nga qiriu gati në të shuar. Hija e dritës luhatej sa andej-këndej prej erës, dukej si kërcelli i një bimëze të vyshkur që s’gjente paqe mbi dysheme. Në çast, një si krisje e mbytur jehoi, prej atyre jehonave që vijnë nga çdo anë e nga askund e të ngjitin një makth të madh. Pastaj, një zhurmë po e mbytur e, më pas, një shakullimë gjërash që binin mbi njëra-tjetrën u dëgjua. Për pak sekonda, në mes të sheshit, aty ku drita e qiriut po linte frymën e fundit, u bë një grumbull kockash me një reflektim drite si të ishin prej fajance. Ashtu rrëmujshëm mbi njëra-tjetrën, të linin përshtypjen se mezi prisnin të kalleshin në dhe. Lëkura e nderur në murin përbri fluturoi nga era që fryu, e si një velë e nderë paq, ju hodh përsipër atij grumbulli të përzishëm, si një kapak arkivoli. Qiriu u fik menjëherë pas kësaj, duke bërë që përreth të mbizotëronte heshtje dhe errësirë aq e frikshme sa dukej se nuk do të agonte më kurrë.

Qazim Muska

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.