NDARJE nga Anejla Lako

Anejla Lako

NDARJE

Si ajo fëshfërima e gjetheve në pranverë,
Ndihej heshtja dhe oshëtinte vetëm fjala;
..Nesër largohem e zëri drithërues, si erë,
Lë pas gjurmë…pengje-fjalësh të padala!

Drithëron edhe Hëna dhe pastaj u fsheh,
Yjet u fikën…si ato llambushka t’djegura!
Fjala “do largohem”, fytyrën time e zbeh,
Era u ndal dhe më përpiu fjalët e mekura…

“Duhet të largohem”, këto fjalë si furtunë,
Sikur më rrëzojnë atë gjethe, t’shpirtit tim;
Zemra po më grisej, si të ishte një pëlhurë,
Kjo fjalë e egër heq lumturinë nga syri im…

Buzëqeshja m’shuhet, si një lule e goditur,
Nga stuhi, që e kthen natyrën n’shëmtirë;
Breshëri më hyri në shpirt, kështu papritur,
Ndërsa, vetëm era m’ledhatonte n’errësirë…

Ai s’po m’shihte sytë e zinj, kjo më tremb,
Fjala “po largohem”, mendimet m’i prishi;
Dhimbja m’pickonte zemrën, si një gjemb,
Ç’natë tmerri!…Veçse po më dridhej mishi!

Pse sonte, që e preka lumturinë, pse, pse?
Era m’i prishi kacurelat, m’i derdhi në ball…
Lotin tim të dashurisë, vallë, ti si s’e sheh?
Po buzëqeshjen e shuar buzës e një mall?

Malli zgjon shpresë, si dielli që lind sërish,
Sepse, atë mbrëmje malli im qe i dyfishtë;
Syri i shpresës m’lëshon dritë nga do vish,
Edhe pse ajo pranverë qe shumë e trishtë…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.