NDRICIM PA ZË nga Suzana Malaj

SUzana Malaj

Mendime të panjohura
u lodhën në bisedën e vdekur
derisa hapësira bëhet burgu im
e syri e pranoi humbjen dhe zhveshjen
topitjen nën qerpikët e zinj.
Dallga e ndricuar nga vetëtimat
u shfaq si përbindësh i verbër
e aq u desh që syri të hapej
nën vetullat e bëra si strehëz.
E aq u desh – u desh vetëm aq
të ringjallej biseda e vdekur
në hutim hapësire – lëvizjes pa krahë
ku syri mbetet i etur…
Në strehën e huaj – Tokën a Itakën
sa një copëz ku shtrihet një shputë
e mali që hyn brenda syve me detin
sytë m’i zbraz e m’i mbush…
Në Tokën e dhuruar a Tokën e pushtuar
në fatin e zi a të lum’
ku zëri më vjen më vonë sesa drita
e qepallat përplasen me zhurmë.
… … … … … …
E rroka … aq sa syri më pa
E pashë … aq sa drita u fik
mendimi u lodh në bisedën e vdekur
me dritën pa zë e zërin pa dritë…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.