NË DERËN E GABUAR TROKET POPULLI IM nga Eli Kanina

Eli Kanina

NË DERËN E GABUAR TROKET POPULLI IM

Më dhimbset ky popull
Sa më dhimbset!
Hip e zbrit në shpinë të tij 
Varfëria
Pabesia
Babëzia
Marrëzia
Llogaritë gjithkush ia zhgarravit
Sipas qiefit me gomë e laps
Historinë e shkruar me djersë e gjak
Ia lexojnë mbrapsh…

Më dhimbset ky popull
Sa më dhimbset!
Shkumon e vuan nga mllefi 
Ndaj politikanëve
Ndaj gazetarëve
Ndaj ndërkombëtarëve 
Nga shpina kënd pa zbritur
Veç tokën e vet shkelmon
Ndoshta ajo i ka mbetur
Për hallet ti rrëfehet
Të drejtën pa e gjetur 
Se s’di apo se s’do?!

Më dhimbset ky popull 
Sa më dhimbset! 
Duke besuar e dëshiruar si fëmijë
Përfundon shpesh në një cep i përlotur
I lënduar 
I nëpërkëmbur 
I pabesueshëm
I pavarur në zgjidhje e zgjedhje
Në gjumë, atëherë kur duhet të jetë ora e tij
Ndarë copash përfundon nga moskujdesi
Harruar ndër udhëkryqe historie…

Më dhimbset ky popull 
Sa më dhimbset!
Të gjithë ia dinë e ia qajnë hallin me fjalë 
Askush nuk i mbaron punë 
I torrollepsur me sytë nga qielli 
Veç poemën e Migjenit reciton me duar-grusht
Në dyer të gabuara duke trokitur
Tragjedi e komedi jeta e tij.

Më dhimbset ky popull
Sa më dhimbset!
Katandisur plak i lashtë me alzajmer 
Vërtitet kuturu pa gjetur derman 
A thua pasqyra për veten i mungon
Apo një kohë-shtrigë e sjell vërdallë si të magjepsur?

Më dhimbset ky popull
Sa më dhimbset!
Se e di që vlen e meriton shumë më tepër
Ndërsa shpresa mban gjallë e ngazëllen 
Pasi qimen e derrit të largojë nga vetja
Do të dijë të marrë veten me të mirë 
Frenat do mësojë 
Në malore e tatëpjetë 
Do jetë zot i fatit të vet!

Më dhimbsesh seriozisht o popull!
Mbasi e ngrys një ditë-natë pa televizor 
E gdhin në dyert e dyqanit Digitalb 
Në radhat kapicë për një dekoder…
A thua kjo qenka buka e gjella jote?
Unë jam jotbijë ndaj dua të të besoj
Shpresoj e besoj shumë si Ti për veten 
Se do rritesh, i mençuri populli im
E do rrisësh siç duhet fëmijët e mi
Derteshumi im popull!
Më kupton?
Sa s’është vonë…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.