VAJZAT DHE LULET nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

 SIKURTË VIJE

Me ke një puthje për të ma kthyer,
Një puthje, një dorë që përkëdhel.
Kaq larg ku fushat mbulohen me bar
Në dimër me borë dhe me baltë.

Me zjarr te heshtur mbyllur në dhomë,
Sikur të vije, të ma gjeje kështjellën.
Kaq larg ku fushat mbulohen mjegull,
Me dimër me borë dhe me ëndërr.

Përmes ajrit dimëror të çmendur,
Ndjej trokun e një kali të bardhë,
Po ç’rëndësi ka kali dhe ngjyra?
Në dimër me borë dhe me mall…

 

NË DRILON

Do të vish nesër në Drilon?
Nesër në Ohër a po vjen?
Të të mësoj të notosh Lasgushin,
Të notosh poshtë liqenit si mjellmë.

Do të jetë një ditë e bukur,
Do jetë një ditë që do bëhet këngë,
Do përzihet me vargjet e Lasgushit,
Po prapë do jetë e jona perlë.

E di që ti do të më pyesësh,
Ashtu duke qeshur me spec:
Po ti di të bësh not Lasgushi?
Di të bësh liqenit si lejlekë?

Po ti di të bësh grua dhe flutur?
Di të zësh një peshk dhe një vjershë?
Pastaj në prehërin tim të ulësh,
Dhe grua, dhe flutur në peshk?

E unë ç’do të bëj për tu dukur,
Do zhvishem nga rrobat krejt,
Për ty lejleku im i çmendur.
Që do më qeshesh në breg.

Pastaj të qeshur, të lodhur,
Do lexojmë nga Lasgushi diçka?
Po ç’farë më bukur se liqenit,
Një peshk dhe një flutër në krahë?

DALLËNDYSHET

Tani ka mure dhe heshtje.
Kurrkund nuk je ti.
Dallëndyshet presin lajme te tjera
Dhe thonë se do bjerë shi.

Nga rruga me semaforë,
Kthej e marrë nga erdhëm.
Bari i ka prishur gjurmët,
Keq, si antikitet i vjetër.

E kot të qaj. Më qeshet.
Dhe rrugën e pres ndryshe.
Pas meje bari i gjelbër
Dhe ndryshe dallëndyshet…

 VAJZAT DHE LULET

Ne ishim djem të rinj, këndonim me urra!!!
Vajzat janë si hëna, të bukura janë të gjitha…
Të gjitha vajzat janë poezi.
Ato na bënin shtigje, ne jua zinim shtigjet,
Ato na urdhëronin, të mblidhnim lule për to.

Para se të zinte muzgu, ne zinim monopatet,
Ashtu lule me lule ju këndonim të gjithave
me zemër dhe lule,
dhe me poezi.
Bëheshim lule me lule krejt me pjalm lulesh,
Krejt me pjalm lulesh krejt me marrëzi.

Nga tërë lulet e mbledhura,
Njërën vinim veç,
Kush e di se pse.
Ndofta për erën,
ndofta për pjalmin,
ndofta vetëm thjeshtë.

Veç nga tërë lulet,
veç nga terë erëzat,
veç nga terë ngjyrat
Njëra rrinte veç.

Nuk dinim se përse?
S’e dinim çfarë ndodhte?
Pse e mbanim fshehur?

Nga tërë puthjet e tyre njëra ishte ndryshe.
Veç nga tërë lulet,
veç nga terë erëzat,
Njëra ishte faqe,
njëra ishte buzë,
njëra ishte gjuhë,
Njëra ishte gji…
Edhe ajo rrinte veç si ti.

Na hidheshin në krah,
Na mbulonin me puthje
Me pjalm dhe me puthje
Na rrëzonin si dushqe.

“Hëna dashuron yjet,
Ju të na doni ne!”
U thoshim ne atyre
me ton,
më zë
e me zjarr!

“Ju, duhet të na doni!”
Na urdhëronin ato,
Ngjituni në mal për ne të mblidhni
Boronica dhe çaj!

“Ne do tu duam më tepër se yjet duan hënën”!
Dhe ktheheshim nga mali
Kush e kush më shpejt!
“E ç’dashuri bëjnë yjet vetëm me një hënë?
Se jemi burra ne, kështu të na doni ju”!

Ato me zërin e butë:
“Po ne duam një”.

Mes krahëve tanë, si përmes dushqesh,
Si hënëza të lumtura,
Ato një nga një morën vend dhe heshtën,
Talleshim me yjet, kur hënën nuk e kishin,
Se ishim burra ne që i donim vajzat,
Si baballarët tanë, donin gratë që kishin.

Por në lulet e mbledhura s’kishe qene veç ti…
Njëra ishte faqe,
njëra ishte buzë,
njëra ishte gjuhë,
njëra gjishe ti…
njëra ishte gji…

KOHË E LIRË…

E di ç’farë?
Nëse flasim e po qeshim
Dhe ti do që unë të bëj diçka për ty,
Të rri apo të shkoj,
Se ke punë, të lutëm, ma thuash!

Çfarë të shkon në mendje
Kur më sheh tërë ngujim e të hutuar?
Nuk je dhe ti statujë e ardhur
Nga mielli dhe duart?
Të puth apo të hesht?
Me sy dhe dritë, të lutëm, ma thuaj!

Nuk erdhe të luash me mua?
Ç’farë do të bëjë për ty që ti s’ma njeh?
Edhe unë, bërë prej duarsh e mielli jam,
Dhe sy e duar kam për të krijuar…
Të dua! Të rri apo të shkoj?
Me hapa dhe taka, të lutëm. ma thuaj!

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.