NË SHAH nga Skender Rusi

Skender Rusi

NË SHAH

Po bie mbrëmja qetë-qetë,
Me shokun tim unë luaj shah,
Vërtet këtu ka edhe mbretër,
Por ne i komandojmë ata!

E treta rradhë që fitorja,
Veç mua po më buzëqesh,
Ky shoku im pi veç cigare,
Një shuan dhe një tjetër ndez!

Kur ja tek xhami afër derës,
Kaq befasisht u shfaqe ti,
Dhe na vështrove duke qeshur,
Po kujt i qeshe, nuk e di!

Sa kohë ndenje pranë nesh,
Aq herë unë u zura mat,
Tani e kisha unë radhën
T’i pi cigaret me inat!

1000 lojë të bëj tani,
Unë do t’i humb një e nga një,
Sa kohë që ende nuk e di,
Për mua erdhe a për të!

1000 mbretër shoku im
Le të m’i zërë mua mat,
Mjafton që ti të më kuptosh
Se ardhja jote u bë shkak!

S’DI Ç’TË TË THEM

Nuk po mësohem dot pa ty,
Ti paske qenë
(S’di ç’të të them!)
Nga gjithë ç’ kam dhe sheh me sy,

Nuk e gjen dot ç’ pjesë më dhemb!
Një zjarr i kaltër mbete ti,
Që nuk më ngroh,
Po veç më djeg!

Ti, brenda meje flaka je,
Tek ajo pjesë që vetëm dhemb!
Të heqësh hënën atje lart,
Do të përmbyset bota krejt!

Ashtu si unë që vdes në çast
Po hoqa pjesën që më dhemb!

 

HESHTJA DHE UNË

 

Ka ditë kur unë jam vërtet i mërzitur,
Absurde më duket çdo gjë që prek,
Asnjë rrugë
nuk ma ngre dorën për të ikur,
Asnjë njeri
që ka zyrë s’më përshëndet!

Është një heshtje
që flet më tepër se fjala,
(Heshtje e njerëzve të thjeshtë,)
Ata nuk i shkelin vijat e bardha ,
Ecin në shtrat in e tyre si lumenjtë!

Ja, e shihni këtë tavolinë ku flet heshtja,
Flasin buzët që s’e prekën gotën,
Ty zotëri që jep urdhër nga lart,
Mos të duket që drejton gjithë botën!?

Unë flas me të dashurën heshtjen time,
Bëhem i zakonshëm nëse flas me fjalë,
Ka heshtje që flasin përtej dashurive,
Ka heshtje që ditët mbajnë gjallë.

Preferoj rrugët ku asnjë nuk ka ecur,
Më mire se kushdo hapat flasin,
Unë ju dua më shumë që jeni të heshtur,
Shpërndani paqe edhe maja kapni!

Ka ditë kur unë jam vërtet i mërzitur,
Absurde më duket çdo gjë që prek,
Asnjë rrugë
nuk ma ngre dorën për të ikur,
Asnjë njeri
Që ka zyrë s’më përshëndet!

NË NJË RRUGË ME DIELLIN

Të mbolla në shpirt sikur të ishe pemë,
Roja jote jam gjersa të rritesh,
Nëse pritet te kjo pemë qoftë edhe një degë,
Është njëlloj sikur njëri krah mua të më pritet!

Ajo degë mund të thyhet edhe nga era,
Po asnjë me erën nuk mund të matet
Do të thërras që të vijë vetë zemra,
Ku banojnë dashuria dhe mëkatet!

Jam në të njëjtën rrugë me diellin
I flas erës, ajo nisi të fryjë,
I flas shiut e ai nisi të bjerë,
I flas natës e ajo bëhet ditë menjëherë ,

Të mbolla në shpirt sikur të ishe pemë,
Roja jote jam gjersa të rritesh,
Nëse pritet te kjo pemë qoftë edhe një degë,
Njëlloj është sikur krahu im të pritet!

PAS 100 VJETËSH

 

Pas 100 vjetësh asnjë nga ne,
s’do ketë mbetur,
Në tjetër botë do jemi që të gjithë!
Veç qiej bosh ne kemi për të gjetur,

 

Ndërsa kërkojmë të gjejmë Perënditë!
Pas 100 vjetësh të gjithë do kemi ikur,
Dikush më parë, të tjerët ca më vonë,
Çdo një nga ne do jetë një dritë e fikur,

 

Që nuk do ndizet më në botën tonë!
Pas 100 vjetësh të pasur dhe të varfër,
Do ikim, ndoshta, në të njëjtën ditë!
Të dashur tonën do të kemi natën,

 

Se veç ajo na i fshihte marrëzitë!
Pas 100 vjetësh do kemi lënë emrat,
Të mirë a të këqij, le të na gjykojnë!
Ikën një kohë dhe ja ku vjen tjetra,

 

Ku njerëzit, njeri-tjetrin do harrojnë!
Pas 100 vjetësh(mos ju duken shumë!)
(Veç sa një çast janë për ne të gjithë!)
Unë s’e di në ç’ yll do të jem unë,
Por di që do t’i gjej Perënditë!
 
 
 
 
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.