NËNA nga Fatmira Loci

Fatmira Loci

NËNA
-tregim-

Mëngjes. Nëna u zgjua e trembur nga ëndrra e sapoparë. Veshtroi përreth, fëmijët ishin në gjumë, nuk kishin dëgjuar asgjë nga makthet e sajë, apo britmat kobëzeza. Bëri shenjën e kryqit tre herë, siç bënte çdo ditë (fshehurazi), duke u ngritur vrullshën nga shtrati. Dhe pse filloi punët si e mpirë, gjithçka nisi të marrë formën e përditshme me zgjimin e fëmijëve. Të qeshurat, ankesat, ngacmimet, thirrjet e zhurmshme, e tërhoqen ngadalë në vorbullën e tyre.
Ishte fundi i verës. Thatësira dukej sikur nuk kishte arritur akoma kulmin e saj. Vija e ujit gjarpëronte kot-më-kot, si hije e së shkuares nga përroi deri në krye të arës, që tashmë zverdhej nga gjethet e rëna e të shkrumbuara. Asnjë re për be nuk vërehej në qiellin e Gushtit, megjithatë, nëna ishte e bindur se brenda tre ditësh shiu do bekonte tokën.
Mbasi ushqeu fëmijët me atë pak bukë misri që kishte ndarë vjedhurazi nga mbrëmja e shkuar, zbriti në arë të priste kashtat e thara. Herëpasherë e torturonte ëndrra e agut, i kujtohej fallxhorja e dy javëve më parë, që kish hyrë krejt e paftuar me ca fjalë të zeherta, të cilat vazhdonin t’i kumbonin si krrokamë korbi në kokë; – “Kur të shkrumbohet kallamoqi në ara, ty do të t’thahet shpirti, zemra do të t’shkulet nga vendi…”! Ajo kish dashur ta vazhdonte fallin, por nëna e kishte nxjerrë jashtë, me një ulërimë të pazakontë; – tu thaftë goja moj bushtër, se kam shtëpinë plot me djem. Përjashtë! Atëherë nëna ish ndjerë triumfatore. Për herë të parë në jetë, kjo piskamë e dalë nga skutat më të thella të shpirtit e kishte bërë të ndjehej femër e fortë, grua e lirë, nënë e plotfuqishme. Por ditaditës ndjente një dobësim para asaj fantazme me fustan ngjyrë lulësh të vdekura. Ardhja e saj krejt papritur, pakuptuar, veç kur ishte parë në pragun e derës! Ikja poashtu, sepse askush s’e përcolli, (siç ishte tradita) askush s’e ndoqi pas, asnjë s’diti nga vajti, ku u zhduk.
I doli “kllapia” vetëm nga klithma e Markut, atëherë u kujtua ku ishte. Vrapoi pa frymë drejt arrës prej nga filluan të ushtojnë zërat e të qarat e fëmijëve, që i ngjanin një kori të përvajshëm. I gjeti të pestë kokë-më-kokë, Marku ishte mes tyre dhe shtrëngonte dorën e majtë. I’a mori dorën në të sajat, vërejti një curril të hollë gjaku. Teksa fshiu gjakun me fundin e saj të bardhë me pala, pa që nuk bëhej fjalë për ndonjë gërrvishtje ferre, por për një kafshim gjarpri. Fëmijët e dinin, e kishin parë, ndaj nisen të flisnin e bëlbëzonin njëzëri mes dihatjesh… Gjithçka rrodhi aq shpejt, nëna ishte e shokuar, dora fillioi t’i nxihej e ënjtej me shpejtësi të frikshme. Spital nuk kishin në fshat, as ambulancë, as mjek. Ishte viti 1967.
Ndersa ia lidhi doren, iu kujtua një infermier që banonte dy fshatra më përtej, dhe, duke u nis nxitimthi me Markun, ju la porosi fëmijëve tjerë të njoftonin të atin. Ecen përdore përmes përroskave e kodrave që dukej s’do mbaronin kurrë. I nxehti i mesditës përvelonte, asnjë hije apo pikël ujë për be s’e gjeje përgjatë gjithë atyre kodrave e përroskave të shkretuara. Marku lodhej shpejt, po e linin fuqitë, e ënjtura kishte dalë sipër të lidhurës. Nëna grisi një gjalmë tjetër nga fundi i saj e ja lidhi krahun edhe më sipër. Sapo bënin ca hapa, Marku ndalej, kërkonte ujë…
Kur arriten në banesën e infermierit, nëna sa s’pëlciste, zemra dukej sikur po i çahej, e nga çasti në çast do i dilte nga kraharori, djalin e kishte mbi shpinë. Gratë ndonjëherë janë të dobëta, të brishta, por nënat bëhen luanesha kur luftojnë për jetën e bijve të tyre; vetëm mbasi shkeli në shtëpinë e infermierit, vërejti se rrobat i kishte të laskaruara e këmbët të gjakosura. E uli me kujdes djalin dhe u mundua të shpjegonte ç’kish ndodhur, ndersa fryma i ndalej… – “Duhej t’i kishe prerë dorën…” – foli infermieri mbas pak. Me ta dëgjuar Marku, u hodh përpjetë – “Për hir të Zotit nënë, mos lejo t’ma presin dorën”. “Nuk ka mbetur asgjë për tu bërë” – shtoi ai, – “kthehuni në shtëpi”.
Nuk mund të bënte asgjë! Kjo grua shtatshkurtër, përballur me stuhitë e erërat e forta që në vogëli, e stërmunduar nga peshë e jetës, gjithnjë në luftë për mbijetesë, dhe gjithnjë ja kishte dalë. Kësaj herë luftoi me shpirt ta sillte gjallë djalin tek mjeku, shpëtimtari, e tani pa sesa e pafuqishme kishte qënë përballë kafshimit të kësaj nepërkë, lëngu i së cilës po shpërndahej me shpejtësi marramendëse në gjithë trupin e brishtë të fëmijës së saj. Po shihte gjithë këtë ndodhi fatzezë, dhe paaftësinë për ta ndaluar. Po ja merrte djalin para syve, e kjo, nuk kishte forcë ta mbante, veç e shtrengonte me gjithë pafuqinë e saj mbas vetës.
Marku po bënte 10 vjëç asokohe. I pari në mësime, dhe i vetmi nxënës që merrte libra jashtëshkollor nga mësuesi kujdestar. Lexonte gjithnjë sa kthehëj nga shkolla, mbrëmjeve nuk kishin dritë, kandilin nuk mund ta ndizte, vajguri ishte me pakicë, edhe pishat s’duheshin djegur pa karar. Gjatë verës s’kish ku t’i merrte as librat, vetëm lexonte e rilexonte ato dy vepra që ja kish besuar mësuesi para mbarimit të shkollës, të cilët do ja kthente me të nisur mësimi në Shtator. Gjithçka e limituar! Madje, Ai po bënte 10 vjeç pa ngopur barkun me bukë misri, atë të grurit s’e njihte akoma, veç kishte dëgjuar të flitej për të. Nëna ecte e ecte e përhumbur, me te mbi shpinë, pa ditur ku shkonte, nga vinte, lotët e pengonin të shihte rrugën, por pak problem kishte ku vendoste këmbët, mjaftonte, Marku të mos lëndohej. Çdo qelizë e saj funksiononte përmes tij: e shtrëngonte mbas vetës; i tërhiqte krahët rreth qafës; i fliste disa herë; qeshte me zë duke i dhënë kurajo, (atij dhe vetës!) dukej, sikur kështu kishte gjetur një menyrë për ta mbajtur në jetë sa më gjatë.
Në një ngushticë buzë përroskës, u rrëzua. Këmbët s’e mbajten më. Nga tronditja e fortë, Markut filluan t’i dilnin gjysma fjalësh, – “Nën, a do vdes?” – pyeti, ndërsa nëna po mblidhte vetën për tu ngritur – “Jooo mor bir i nënës, jo! Ti do rritesh, do mbarosh shkollen, do bëhesh arsimtar”, (siç i thoshte gjithmonë). Me ta dëgjuar këtë, atij ju kujtuan librat, shkolla, – po nëse… kush do i çoj… – fjala ju pre në mes, buza i ish tharë, Nëna e shkundi me forcë derisa hapi pak sytë, e tërhoqi me vrull drejt vetës, hoqi përparësen dhe ja vuri si mbajtëse rreth shpinës, ku më pas e lidhi rreth gjoksit të saj. U çua në këmbë mes njëmijë gazepesh. Eci si e çmendur pa ndaluar më askund, derisa arriti në shtëpi. E uli djalin në dyshekun prej fieri dhe i vendosi një pece të lagur mbi ballë. Nuk foli me askënd, deri në çastin që Marku dha frymën e fundit.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.