NETËT PA HËNË nga Delo Isufi Seraj

Delo Isufi Seraj

NETËT PA HËNË

The një fjalë edhe heshte,
Nuk e di ç’le pa thënë,
Atë natë të bukurë vjeshte,
Atë natë vjeshte pa hënë.

Atë fjalë unë s’e besova,
Bëre bè për kokë të nënës,
Unë flokët të ledhatova,
Të verdha në bojë të hënës.

Për çdo mot kur vjen vjeshta
Dhe kur nata është pa hënë,
Dua të kthehem te vreshta,
Të të kthej puthjen e dhënë.

Sa fjalë mbetën pa u thënë,
Unë do vdes dhe nuk i di,
Sa herë vijnë netët pa hënë,
Hënë në qiell shfaqesh Ti.

…UNË JAM E GJALLË

Të rinjë ishim ne at’ mot,
Kur u grindëm për hiçgjë,
Ajo e sertë,unë kokëfort,
Dhe u ndamë përgjithnjë.

Dashurinë e varrosëm,
Pa i shkruar asnjë llaf,
Dhe një kryeq i vendosëm,
S’kish nevojë për epitaf.

Një ditë kalova nga varri,
Ta shikoja ç’bënte vallë,
Ajo tha-“Ju keni vdekur,
Ndërsa unë jam e gjallë”

LE TË VDES

Pres të grindem me Ty prap,
Të më thuash, jo, nuk dua,
Dhe pastaj të ikësh me vrap,
Të të kap,të të marr në duar.

Dhe të lozim e të qeshim,
Sikur të ishim dy fëmijë,
Yjet mysafir t’ i presin,
Edhe hënën kur të vij.

Me shaka Ti të më thuash,
Si s’ u bëre njëherë serioz,
Unë sërish të marr në duar,
Dhe të puth gushë e gjoks.

Dhe të puth e të përqafoj,
Të hedh lart dhe të pres,
Dhe pastaj e dashur moj,
E kam hak, le të vdes.

BUKURIA

Sa sinonime ka për fjalën “Bukuri”
Por mua më duken të gjitha të kota,
Se Ti qëndron mbi ‘to me madhështi,
Mbi të gjitha bukuritë që ka bota.

Ashtu krenare dhe herë e shkujdesur,
Nga sytë e Tu shkrep dritë bukurie,
Si rrezia e diellit mbi lulen e vesur,
Që e puth në ag, në muzg i bën hije.

Pra, e tillë je o e shenjta bukuri,
Ndjenjat trazon në shpirt të kulluar,
Dhe ëndrrat Ti i fsheh në gji,
Dhe zjarre Ti i mban mbuluar.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.