NGA UNË TEK UNË nga Xhuljeta Tengu

Xhuljeta Tengu

NGA UNË TEK UNË

Kur vdes, vdes.
Lëreni derën hapur.
E shpenguar,
Përzier me frymëmarrjen e së ardhmes
Frymëmarrja ime sikur mplakej.

Ardhja e dytë
gjithdijshmëria përfshin edhe paranjohjen e të
gjitha
gjërave.

E dua.

Të thyesh dashurinë e pafund dhe durimin e
pafund
të një domethënieje të pafund
kërkon një pendim të pafund.
Unë po shkoj,
Të largohesh nga trupi-domethënë
të banosh me domethënien
Në një trup të transformuar.

Nga unë
tek
unë.

KA NJË TREN PËR NË VËRTETËSI

Ka një tren  për në vërtetësi
Mund të shoh nga dritare të papashme.
Jetoj edhe në gjendje të papeshë
Dhe të ha darkë, të cilën sapo
Nga dhoma e kurajos. ma sollën
Vdekja ndodh në kohë.§
Në kohë kalon treni nga një stacion vuajtjeje tek tjetri
Dhe lë një pjesë të jetës të futet tek mundësitë.
Herët a vonë
Atje nuk ka vend per te vdekur.

Ne udhëtojmë në trena të vonuar,
Ndodhur e të pandodhur
Duke u ndodhur.

NË NJË MARS TË PËRHIMË

Këpucë fluturake
Të ikjes
Në një mars të përhimë.

Era e dikurshme
Njeh dëshirën e gjethe…
Të frymojë me ty.

E vetmja shpresë
Që mban gjallë
Mbijetesën e së gjelbërtës.

Edhe zemër
Edhe shpirt
ëndrra e gjithëkujt
Për të qenë
Edhe zemër edhe shpirt.

Jashtë janë rrënjët dhe
Nuk jam në gjendje të kuptoj
Koordinatat nga vijnë
Sinjalet dëshpruese të sendeve.
S.O.S.
Këpucë fluturake
Të ikjes
Buzë mbrëmjes fluturake.

MEKANIZMA TË ÇUDITSHËM KURESHTJESH

Në të fshehtën e pafshehtë të dashurisë
Edhe të vdekurit u mpakërkan
Në të pafshehtën e fshehtë të dashurisë
Nga dallgë e fuqishme malli
Në të fshehtën e pafshehtë të dashurisë
Malli i vdekjes së dytë
Në te pafshehtën e fshehtë të dashurisë
Që mbijeton brenda së parës
Në të fshehtën e pafshehtë të dashurisë
Po aq e dhimbshme, ah sa e dhimbshme
Në të pafshehtën e fshehtë të dashurisë
Për të vdekurit e pavdekur
Në të fshehtën e pafshehtë të dashurisë.

Solli për fjalashqipe.com Durim Çaça

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.