NJË DITË MBASE, KTHEHESH PRAPË nga Petro L. Sota

Petro L. Sota

VAJZË E MULLIXHIUT

Vajzë e mullixhiut më shikon gjithë nur,
Kështu si je sot s’të kam parë kurrë,
Të kam prurë misër dhe një thes me grurë
Të ma bluash miell për byrek në furr.

Rrjedh ky uji i krojit mbi mullirin zbret,
Bije kokrra e grurit, nëpër gur rrëshket,
Kështu si je sot, s’po m’dukesh e qetë,
S’po e di çfarë ke, pse s’ma thua vete.

Moj vajzë e mullixhiut çfarë ke ti me mua,
Një brengë po e shohë thellë në sytë e tua,
Diçka do t’më thuash pse ti s’po ma thua,?
Buzën të më jepje grurin më s’ta dua.

Grurin nuk ta dua, mbaje gjithë për vete,
Rrotull vjen mulliri, por ti shumë u trete,
Më thave dhe mua, ku dreqin me gjete,
N’ëndërrë të pash sonte, me mua sikur fjete.

Me mua sikur fjete mbi gur të mullirit,
Bilbili shikonte që nga maja e blirit,
Derdhej uji i krojit pikë, pikë sipër gjirit,
Dilte miell i bardhë nga misri i misirit…

Dilte miell i bardhë ashtu si e jotja gushë,
Kur e puthja unë shpirti flakë mu mbush,
Të digjej buza dhe ty si hiri në prush,
E provova unë vetë dhe tjetër askush.

ÇOBANKA

Ecte rrugës lehtë, buzën duke qeshur,
Me këmbë të vogla, brumin kishte ngjeshur,
Trak e truk nallanet, përherë mbante veshur,
Tepsinë përmbi kokë, trahana kish psheshur…

Trahanan e psheshur e çonte në stan,
Me një dorë tepsinë, tjetrën shtëmbën mbanë,
E vogël nuk ishte, por ashtu të ngjanë,
Çobançe këndonte, mahniste dynjanë…

Mahniste dynjanë, larg kishte ikur nami,
Kur ajo këndonte, ja kthente çobani,
Zbriste hëna mbrëmjeve, ndriçonte tek Stani,
Në gushën e bardhë, shkëlqente gjerdani…

Kjo çobankë e vogë, trak e truk nallanet,
Nisej nga shtëpia, dëgjohej tek stanet,
Rri e pret tek pragu, sa e sheh çobani,
Ja rrëmben shtëmbën, djegur ishte xhani…

Djegur i është xhani, jo për ujë vetëm,
Më shumë hiret e saj, e dogjën e tretën,
E tretën e thanë, të shkretin çoban,
Me uri e pret, tepsinë me trahananë…

Nuk pret shumë çobani, në minder e shtrinë,
Pasi thanë shtëmbën, mbaron dhe tepsinë,
Gudulisë çobankën, si dy qëngja rrinë,
Me një dorë gushën dhe me tjetrën gjinë.

NJË DITË MBASE, KTHEHESH PRAPË

Kur më sheh, ashtu e qetë,
S’të kuptoj, çfarë ke fshehur,
Hape buzën, ma thuaj vetë,
Mos më lerë, si të dehur…

Që të dehemi, unë dhe ti,
Si dikur, vetëm një natë,
Mund ta bëjmë, atë marrëzi,
Duke qenë, të dehur prapë…

Kur ta shihja, gjirin të plot,
Aq më shumë, jetën e doja,
Përmbi dallgë, s’do t’rrija dot,
Por n’sytë e tu, do të notoja…

Do t’i thoshja, më prit dhe pak,
Mos t’më marri, vdekja kështu,
Se mallin kurrë, për një natë,
Nuk ma shuajnë, dot sytë e tu…

Nuk ma shuan, etjen shpuzë,
Sikur detin, të gjithë ta pija,
Kur i shihja, të tuat buzë,
Një natë dimri, do ta gdhija…

Do ta gdhija, me ty një natë,
Sikur të ishja, vjeç njëzetë,
Është e shkurtër, s’është e gjatë,
Për të jetuar, vetëm një jetë…

Do të mbetesh, tek zemra ime,
Si një ëndërr, si një magji,
Më çove vetë, në dy burime,
Pastaj e qetë, më thoshje pi…

Porsi murgu, në shkretëtirë,
Që po i thahej, fare buza,
Unë do dehesha, duke pirë,
Se po digjesha, porsi shpuza…

Hënën ndoshta, dot se shikoj,
Kur e zbehtë, mbi re kalon,
Ndërsa ty, të ëndërroj,
Se vjen vetë dhe më zgjon…

Vjenë ngadalë, me mua tretesh,
Por, unë të pres, si çdo natë
Se e di, n’ëndërr do t’mbetesh,
Një ditë mbase, kthehesh prapë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.