NJË GRUA E BUKUR nga Bertold Vranja

Bertold Vranja

NJË GRUA E BUKUR

Ajo ishte një grua e bukur dhe pikë
se kot nuk mbeta aq i trazuar;
s’kish sesi, përderisa më hipi ajo frikë 
e kisha aq mall për sytë e saj të shkruar
edhe pse s’e kisha parë herë tjetër
doja t’i lutesha, më gjunjë: mos ikë…!

Nuk ish vështrim perversi, mani e vjetër
mashkulli e as etje e as dobësi,
por erë e fshehtë, zë ajri, i beftë
amë e panjohur, një thirrje, ndjesi
që purpur trëndafilash derdh në ujë
e buzë e faqe kuq e mbushin dhenë.

Ajo ishte e bukur, në sy kish kaq bujë
hareje e fliste, e loste, me birin e saj
siç dhija e egër kur s’është më ftujë
e hov në zabele me kecat në maj
si të ishte edhe vetë sa ai, e grishte
në lojëra mëme, i merrte erë, e puthte në gushë…

Çupëlinë dukej, por edhe grua ishte
çapkënë, harakatë, bënin plane të dy
herë ajo me këmbë e duar e herë ai fliste
me sjellje prej burri të vërtetë në sy
dhe herë qe zogu i njomë papendosur
që puplat e ngrohta të mëmës i lyp.

Ajo ishte grua e bukur e s’kish të sosur;
e lirë siç jeta vetë duhet të jetë.
Jo si një rrobë e shtrenjtë, ujdisur, nemosur e palosur
në një kuti, dollap apo sënduk të vjetër,
por një shami, një shall, fustan a çfarëdo tjetër,
që erërat e rrëmbejnë qiejve duke lozur.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.