NJË NATË NGA NETET PA GJUMË nga Ali Podrimja

Ali Podrimja

UNË BIRI YT

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.

ANKTHI

Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë…

Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje…

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë

e ngrirë n’ajër?
Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes?
– Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më
kish mbirë!

Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar…

RËNKIMI

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.

Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;

Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarë jemi…

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.

Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.

NJË NATË NGA NETET PA GJUMË

Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?…
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…

Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.