NJE TAKSI PER MACEN TIME nga Aleko Likaj

Aleko Likaj

NJE TAKSI PER MACEN TIME

Të djelën e tretë të Dhjetorit, kishim zënë vend në ” Quai de Stalingrad “. Aty ku vinë e takohen tre nga rrugët më të rëndësishme të lagjes sonë në Paris. Ishte një bar i hapur në atë orar afër mesditës, ku shërbehej më pas dreka. Një telefonatë në mëngjez, më kishte nxjerrë nga shtëpia, nën një qiell gri parisien që breronte pa ndërprerë një shi të imët, si të ishte situr atje lart. Bashkim Alimani, një ish inxhinjer që kishte qenë kimist në Shqipëri, më priste përballë, sapo shtyje paksa derën e barit. I ulur qetësisht në tavolinë, gjerbonte një kafe ekspres. Lokali ende nuk ishte mbushur, dhe tre a katër tavolina rreth nesh ishin bosh. Kur ende nuk kisha rrufitur për të dytën herë kafen time me qumësht, në dere u dhanë një grup të rrinjsh, fytyrat e disa prej tyre m’u dukën të njohura.
– Janë bashkombasit tanë – më tha Bashkimi gati nën zë. – Ketu mblidhen që të gjithë shqiptarët e kësaj lagjeje. Shumica të sistemuar nëpër fuaje si minorenë. Një pjesë tani punojnë, po ka nga këta që merren edhe me atë mallin. Kanë ardhur trokë, por sot nuk flitet me ta. Ta masin kokën me pej. Nuk dinë se ku ti çojnë lekët.
Kishim marrë përshëndetjet shqip ku ndjehej një lloj rrespekti për moshën tonë. Pastaj bashkuan dy tavolina së bashku, u ulen që të gjithë, dhe pas kësaj, ra sërrish qetësia në ambjentet e atij lokali, që dukej se kishte muzgun brenda. Dritat nuk i kishin ndezur, dhe here pas here, fytyrat e klientëve ishin si të përçudnuar, nga një dritë që vinte nga vetratat përballë, pas se cilave rridhte qetësisht Sena, dhe hijeshonte në sfond ” Ile Saint-Germain ” që dukej vetëm si një kontur i largët anije gjigande, aty në mes të lumit, dhe gati i haruar, i mbështjellur nga një tis i lehtë mjegulle…
Një çast më pas, me sa duket, djemtë kishin biseduar me ata të lokalit, dhe kishin bërë porosinë.Mendova për një çast sikur isha në Shqipëri pas atij ambjenti që u krijua aty duke ndjerë nostalgji për ditët që kisha lënë pas. Nuk e di se pse, m’u mblodh pastaj një gulç brenda kraharorit, që më bëri të ulë sytë poshtë. Mbase nga turpi që ato kishin filluar të njomeshin
– A mund që të ulem edhe unë,- tha një zë që më erdhi nga pas. Mendova se na u shfaq ndonjë mysafir në tavolinën tonë.
Në tavolinat pranë lëvizen. Dikush u ngrit në këmbë për ti hapur udhën të sapoardhurit. Njeriu që u shfaq në krahun tim të djathtë, e që kaloi pastaj për tek tavolina tjetër, ishte një i ri, të cilit nuk mund që ti jepje më shumë se 18 vjeç. I hollë dhe i përkulur, si një kosore, mbante të mbledhur me kujdes në një pelerinë ngjyrë gurëkali në kraharor, diçka që mua m’u duk, si një bebe. Ai na përshëndeti me një « tungjatjeta të gjithëve », e zuri vend pas karrikes së parë në tavolinën fqinjë.
– Qenka vërtetë një klub shqiptarësh dhe të duket vehtja sikur je në Tiranë, apo gjetkë nëpër Shqipëri – i thashë inxhinjerit që më kishte ftuar për një kafe, dhe e vura buzën në gaz, duke ndjerë një lloj malli për vendin që e kishim lënë pas, gati tre mijë kilometra.
– Nuk paska rast më ideal, për tu takuar dhe njohur me ta.
Bashkimi heshti për një çast ;
– Eh !, çi do ?.- tha me një indiferencë, jo të shtirur tjetri përballë. – Këtu i takoj vazhdimisht të djelave, dhe më është dashur që t’i njoh, që të gjithë. U a di edhe punët…
Natyrisht, për mua shumica prej tyre ishin krejtësisht të panjohur, pasi problemet e mija si i saposistemuar në atë qytet, me kishin mbajtur larg komunitetit Shqiptar. Në tavolinën e tyre u ndje një lloj gjallërie. Hidhnin romuze për një nga shokët e tyre, një djalë shëndetlig, me flokët lart si iriq. I sapoardhuri qëndronte qetësisht në vendin e tij, dhe herë pas here, përkëdhelte atë që kishte mbledhur si një bebe.Dukej se kishte pushtet mbi të gjithë në tryezat e mbledhura të shqiptarëve, edhe pse dukej për shumicën, më i vogël në moshë dhe më i imët.
Një çast më vonë, kuptova se ” bebia “, nuk ishte gjë tjetër, veçse një mace gri, e me pulla të bardha, e cila kishte ftohtë, e dridhej si një fëmijë. Mbase kishte temperatyrë. I sapoardhuri, u tha miqve që kishte afër, se ” sapo i kishte bërë një banjo në mëngjez “. Ndërkohë që biseda për macen ishte bërë në ato momente aty , si kryetema e ditës, vura re flokët bionde që ishin tërhequr mbi ballë, duke e ekspozuar këtë të fundit, në të gjithë gjatësinë e tij. Fytyra krejtësisht e bardhë, dhe disa dhëmbë të mëdhenj, që fshiheshin pas dy buzëve të trasha e të fryera, e tregonte djaloshin si nj nordik të vërtetë. Ftuesi im i tavolinës, me tha, se ishte nga veriu, një fshat mes alpesh. Tre vite më parë ishte rregjistruar si minoren në një shtëpi-pritje për të vegjlit, diku në hapsirat e një lagje periferike e qytetit tonë, më e gjelbëruara.
Me sa duket, biseda për macen në tavolineën fqinje, kishte kapur tashmë një kulm. Teë gjithë kishin dhënë nga një mendim për shëndetin e saj, sikur të ishin mjekë të vërtetë, të kësaj kafshë që dridhej në kraharorin e djalit, që sapo hyri aty. ” Ylli i Shamunaqes “, kështu i drejtoheshin ata të tavolinës, njeriut me mace në krah, i heshtur nxori celularin. Kërkoi taksi. La adresën, dhe përsëri në heshtje e mbylli aparatin për ta vendosur në tavolinë. Ndërsa unë bluaja në kokë për të deshifruar emrin që posa dëgjova, u kujtova se ai ishte i një personazhi, të një pjesë me kukulla me temë nga lufta. E shfaqte televizioni ynë shpesh, në vitet 80 të. Natyrisht, që Shamunaqia ishte një emër i një nëne, Manushaqe, që ishte kthyer me humor, dhe se biri i saj debatikas në atë pjesë, ishte paraqitur si një personazh, jo vetem trim, por që edhe i përballonte i vetëm që të gjitha situatat. Mbase ka qenë kjo e fundit, që djalit i thërisnin me emrin e personazhit. Ku i dihej ?. Ylli, zor se do të ishte edhe emri i tij i vërtetë. Zakonisht mosha e tij, kur vijnë në qytetet europiane, ndryshojnë edhe emrat. U pëlqen që të jetojnë nën një gëzof tjetri, abstrakt, dhe ireal
Me Bashkimin, kishim nisur një bisedë për ngjarjet në Shqipëri, për politikën dhe për ekonominë, që sipas nesh ishte në rënie. Kur u duk se në tavolinën tjetër biseda kishte ngecur, në derën e lokalit u shfaq taksisti. Këtë e kuptuam menjëherë pasi tjetri rrotulloi vështrimin sikur të kërkonte diçka nëpërmjet hapsirave të atij bari. E pashë që u drejtua nga tavolina e zhurmëdhenjve. Pronari i maces u ngrit në këmbë. Largoi me kujdes kariken, dhe u kthye nga i sapoardhuri.
-Dëgjomë mua – tha – Kam macen, dhe me duhet që ta nis për në banesën time, në…18 Avenue Henri Barbuss, pranë aveny ” Place Markiz ” . Po të le edhe çelësin. Hape derën, dhe ma vendos në divanin e sallës së ndejtjes, përballë, në fund të koridorit. Mbuloje mirë , edhe eja e më sill sërrish çelësin.
Taksisti, një afrikan i gjatë e i fryrë, u përkul përpara porositësit, e zgjati një kartvizitë, që me sa dukej ishte e tij, dhe pastaj mori macen e mbështjellë me një kujdes, sikur të ishte një femijë i sapolindur. Djali lëvizi nga vendi, e nuk preferoi që t’i a dorëzoje aty mes nesh. Dy hapa më tej, qëndroi, e pasi i a la në dorë, hapi protofolin dhe nxorri një njëqind euroshe. Tjetri iku duke e mbyllur me kujdes derën e lokalit, e gjysëm i përkulur, si për të mos e zgjuar nga gjumi kafshën, u zhduk nën qiellin gri të Parisit.
Dhjetë minuta më vonë, ndërsa ne i ishim rrikthyer përsëri situatës në Shqipëri, këtë herë duke folur për librat , shkrimtarët dhe lexuesit, u duk se ” Ylli i Shamunaqes “, që rrinte i heshtur në tavolinën pranë nesh, ngashëreu në një çast. Pastaj nxorri një shami letre, dhe fshiu sytë, ndërsa shokët e tij vazhdonin që të bënin hoka me shëndetligun qime-iriq. Mendova se duhej që të kishte një gjendje të ngarkuar shpirtërore. Mbase, malli për Shqipërinë nga bisedat që bënim ne këndej në tavolinën tone, e që nuk ishte larg nga e tyrja, as edhe një metër. Ndoshta për prindërit, të afërmit e shokët me miqtë, që kishte lënë aty në atë vend, dhe, që ndodhej tashmë shumë larg prej nesh në këto çaste. Bëra sikur nuk e vura re, dhe u përqëndrova tek rrëfimi i Bashkimit, që ketë herë duke ndruar temë, kishte vënë në qendër të rrëfimit të tij, një histori për dajon poet, të dënuar nga sistemi që lamë pas. Pastaj tentova që të kujtoj ndonjë poezi, nga librat e botuara të poetit të dënuar, që në rininë time e kisha pasur për zemër, por nuk solla ndërmend asnjë, ndonëse mbaja mend shumë prej tyre. Librat kishin kohë që ishin hequr edhe nga qrkullimi. Kështu ndodhte sa herë që dënohej ndonjë, merrte me vehte nga kjo botë gjithëçkah, edhe ajrin që kishte lënë pas
Dikush i u afrua ” Yllit të Shamunaqes “, më tepër për ta qetësuar, por ai filloi që të qajë me dënesë. U duk se pati një shqetesim tek te gjithë ne që ishim aty. Djali qante pa zë, e supet i dridheshin së bashku me kraharorin. Pastaj psherëtinte duke shfryrë një ” uf “, që tingëllonte si një fërshëllimë e mbyllur dalë nga kraharori. E ç’mund që të bënim në atë çast ? Djali kishte dhimbje. Na erdhi keq.
-Mbase bëmë gabim që folëm pêr Shqipërinë dhe hallet e saja, edhe pse për ne të ikurit, mbetet një plagë e hapur- tha Bashkim Alimani
Në derën përballe mbriti afrikani taksist. Në dorë mbante çelësin e shtëpisë së ” Yllit ” , si për të thënë menjëherë, se ” detyrën e kishte kryer “. Djali nuk e pa, sepse ishte me kuriz nga dera. Shoku përbri tij i bëri shenjë. Ktheu kokên. Nga pas kishte qëndruar i posaardhuri. I biri i « Shamunaqes », lëvizi nê karriken gjysëmkolltuk ku ishte zhytur i tëri, dhe ktheu kokën nga taksisti. Sytë i ishin skuqur dhe fryrë njëkohësisht, sikur të kishte kaluar një dramë të vërtetë.
-Faleminderit, po unë… po ndjehem keq tani. Nuk di se ç’bën në këto momente lozonjaria ime, Vika. Me duket e vetmuar atje. Nuk e meriton…-Kaloi kurrizin e dorës së djathtë duke fërkuar të dy sytë, që mesa dukej ishin të lëngëzuar. Pastaj fryu bulçitë e faqeve e lëshoi përsëri diçka si fërshëllimë nga buzët e trasha gjithë tul
Taksisti e ndiqte gjysëm i përkulur, në shenjë rrespekti për klientin, duke treguar çelësat përpara në heshtje, pa ditur se si të reagonte tjetri. Mbase djali që kishte përballë, i u duk si një kliet i veçantë, dhe kapriçioz nga të rrallët, që mund të kishte takuar në Parisin e madh shumë dimensional.
-Të lutem , ma merr dhe ma kthe përsëri. Ajo vuan. Vuaaan. Duhet që të më kuptosh, se ajo vërtetë vuan atje në vetminë e saj.
-Macen tuaj ? –pyeti i çuditur afrikani, që tani kishte drejtuar trupin e bëshëm dhe të ngjallur- Unë sapo e çova dhe e rehatova në shtratin e saj.- Pastaj tundi kokën me një farë mosbesimi. Dukej si mëdyshas, për këtë porosi të dytë të klientit të tij.
– Ah ! – bëri djali, sikur të ishte kujtuar pastaj për diçka, dhe nxorri protofolin nga xhepi i brendshëm i xhiboksit blu. I vuri një njëqind euroshe përsëri në dorë taksistit, duke i bërë shenjë që të nisej, ” pa humbur kohë ”
Këtë herë dukej se ishte nxituar disi. Ndërsa afrikani me trupin e ngjallur kaloi portën, ” Ylli i Shamunaqes “, rrëkëlleu menjëherë gotën me xhin, që i a dha shoku që kishte pranë, si për ta sjellë në vehte, e pastaj lëpiu buzët e trashë e të dala jashtë. I bëri shenjë kamarierit, dhe i dha urdhër që të sillte edhe për të tjerët nga një xhin.
Me duhej që të largohesha. Kishin filluar që të shtronin tavolinat për drekën. U ngrita, dhe pasi thashë, ” çuna, mirupafshim “, dola në shesh. Ngrita sytë në qiellin gri, e atje larg si një vegim, dallova majën e Ejfelit. M’u duk se kishte ftohtë. Mbërdhinte
Frynte erë.
Binte shi i imët Dhjetori…

Patra – Greqi Gusht 2008

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.