NJË ZEMËR PREJ LIBRI-NJERIU nga Martin Cukalla

Martin Cukalla

NJË ZEMËR PREJ LIBRI-NJERIU

-xhajes tim, Sadik Cukalla-

zemra në zemër nuk vdes!
edhe kur isha një erë e arratisur
edhe kur isha një tokë e ngrohtë
edhe kur isha vatër
edhe kur isha eksodi i detit
e mbajta në zemër tim ungj
Diken.
aty është ende,
zemra në zemër nuk vdes!

ta kesh në sy është e rëndësishme
ta kesh në krah është gjetja më e gjetur!
ideja politike ishte si feja
ofronte peisazhin që kërkonte koha
ëndërr respekt e vëmendje…
Dikja më shpëtoi jetën e përditëshme nga verbëria
mi hapi sytë në hapsirat e pamata të librave
një zemër për një libër është njeriu…

“një zemër për një zemër është Njeriu!,-tha,
-dita nuk është për t’u mjelë një lopë që përtypet dhe aq
thelbi i personalitetit -mençuria.
për të qetësuar ritmet e tërbuara të turmës
hapi sytë shijo ngjyrat edhe grija monotone ngjyrë është
era përtërin aromat uji i ndenjur qelbet
magjepsja është tek peisazhi i zemrës
një zemër për zemër është Njeriu!”

“një vrimë në mal nuk sjell paqen e gurit
as zgjeron horizontin
as fshihesh nga yjtë aty kështjellat jeshile i ndërton fusha
dhe bujku
syri i etur i Njeriut nuk ka prehje pse fle
prehje!?:
një zemër për një zemër
një zemër për një zemër është Njeriu!”

“fjala nuk është të kapërcesh kufirin e vdekjes
as kujtesa nuk është shtrati të ruash të vdekurin.
vdekja nuk është asgjë,
dhe as zhdukje,
dhe as hiç…
ne përditë jemi të vdekur dhe idiotë
në se nuk kemi një zemër për një zemër
një zemër për një zemër është Njeriu!”

ka një portë ku njeriu hyn në thelbin e jetës si Njeri
e kam ruajtur në zemër atë portë
e kam ruajtur në zemër me gjërat më të sinqerta
një kujtim i paprekshëm nga vdekja
është im ungj: Dikja!
Një zemër prej mësimi dhe njeriu.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.