NONDA BULKA

Nonda Bulko

NONDA BULKA

—Nëno!… —Bir!
—Dua bukë!
Mëma hesht.
—Nëno!
—Bir!
—Ngriva!
Mëma psherëtin.
—Nëno!
—Bir!
—Më dhemb koka!
Mëma s’pëgjigjet. S’ka bukë, s’ka zjarr, s’ka të holla për doktor. Dhe djali psherëtin. Mëma s’përgjigjet. Psherëtin edhe ajo ngadalë. Djali nuk i dëgjon psherëtimat e mëmës. Mëma dëgjon tiktaket e zemrës së të birit. Një grua plakë e rreckosur, me fytyrën rrudha-rrudha, rri mbi kokën e një djali dhe vështron me sy të zgurdulluar. Dy lot helmi shkasin prej syve të neveritur. Ngadalë, pa zhurmë, mbështet dorën e vet mbi ballin e djalit dhe djali zgjohet përsëri.
—Nëno! —Biri i nënos.
—Dua bukë!
Nëna hesht.
—Nëno!
—Xhani i nënos!
—Më ngrinë këmbët!
Nëna psherëtin. Dhe djali fle përsëri; dhe nëna rri dhe e vështron, dhe ngadalë qan e psherëtin. Në heshtjen tragjike të një nate dimri, në odën pa dritë luhet një nga mijëra tragjeditë e jetës njerëzore. Dhe çdo tragjedi është një poemë e gjallë! Poema e shekullit njëzet! Një mëmë; pranë saj një dhogë, kora e Shën Mërisë. Mëma e vështron korën e shenjtë, i afrohet, e puth dhe kthehet pranë djalit. Një shkëndijë shprese shkëlqen në sytë e saj. Shën Mëria hesht!Që nga larg, zhurma e muzikës së radios tingëllon në veshët e mëmës. Dhe djali fle, pa bukë, pa zjarr, pa dritë.
—Nëno!
—Bir!
—S’jam mirë!
—T’u bëftë nëna, fli!
Dhe djali fle përsëri. Dhe mëma qëndron si shtatore! Hedh sytë tej e përtej, vështron korën, vështron djalin dhe psherëtin thellë. Dhe djali fle! Mëma i vë dorën në ballë! Balli është i ftohtë! Mëma i trazon dorën. Dora ka ngrirë. Mëma e puth në buzë. Buzët janë mbyllur përjetë. Mëma qan me zë, por djali nuk zgjohet. Dhe zërit të mëmës i përgjigjet heshtja e natës. Kora përkarshi vështron dhe hesht. Një trup i ngrirë. Një mëmë me sy pa lot. Një natë dimri vdiq i biri i një lypseje. S’u prish bota, as fukarallëku s’mori fund.

1041Tu, Leonardo Voci, Abedin E Diana Dalushi e altri 1041Commenti: 59Condivisioni: 61Mi piaceCommenta

Condividi

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.