NUK KAM LINDUR ENDE nga Evisa Haderi Mela

Evisa Haderi Mela

NUK KAM LINDUR ENDE

Nuk kam lindur ende,
ndaj vazhdoj të kërkoj rrugën më  të favorshme,
për  të mbërritur me aftësi mbijetese në zhurmërinë përreth.
S’e kam një kështjellë që  të  mbrohem nga monstrat,
as ushtarë që hidhen në sulm me urdhrin tim,
kam mjaftueshëm zjarr
për  të ngrohur zemrën që pulson gjak të papërzier.
Megjithëse e di që  do të vij si  princeshë e fjetur,
pa fron të lakmuar,
pa kurorë të ndritshme,
pa plaçkë lufte,
me vetëdije bëhem serum shpirtrash të lodhur.

S’më bëhet vonë për sindromën që do më veshin,
ajo është  punë për të diturit.

TRAJTË TJETËR

Sot jam një re e bardhë dëshirës sime,
Mund  të ajërzohem në qiell,
pa zhurmë e në qetësi,
ose-ose,
mund të bëj një kontratë me vetëtimën,
të pikëzohem e të bulëzohem drejt  jush si  shi…

AJO ISHTE TRE

Ajo ishte vetë i tretë,
në të njëjtin mish,
paksa më të ashpër ,
në të njëjtat eshtra,
tanimë më të forta,
tani,ishte vetë i tretë.
Breshkë e munduar në shtigjet e lodhura,
si çdo frymëtar,nëpër rrugë të ngushta,
do t’i çirret zhgualli në degët kryeneçe .
Kur rropatej në udhë të pashtruara,
me lot në sy e gjunjë të gjakosura,
që rend drejt fjalës çliruese të nënës:
“Nuk rritesh po s’u vrave!”
ishte ajo E para.
Kur provoi forcën e mëkatit trupor,
e në vesh jehonte tingulli i askujt:
“Nuk bëhesh grua pa u lënduar!”,
qe ajo E dyta.
Kur e pa veten brenda katrorit të bardhë,
me silueta të panjohura,
dëgjonte:”Nuk merret amësia pa dhembje”
u bë ajo E treta.

DIKUJT

Pa kushte,
të jap dorën:
“Shkundi rrobat,
fshiji lotët!”

Bota është një top tashmë i sfilitur
dhe mund, mund të çahet papritur.
Ikim bashkë,
larg,
shumë larg…
aq larg,
po ku?
sa të mos vijë zhurma e shpërthimit te ne.

Gjithsesi,
ne do ta shohim,
nga zogjtë e trullosur që ikin pa pikësynim.
Deri në lojën tjetër,
kur të vijë bota e re.

TEPRI E RRALLË

Rrallë vdes,
jetoj rrallë,
rrallë bërtas,
hesht jo rrallë,
rrallë ngjitem,
rilindem rrallë
rrallë,rrallë,rrallë,
për t’u ndier gjallë.

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.