NUK MË TREMB HIJA E VDEKJES nga Mimoza Çobo

Mimoza Çobo

NUK MË TREMB HIJA E VDEKJES

Endem vithethërrmuar nëpër Luginën e Vdekjes,
era e dhimbjeve të lindjes gjarpëron në eshtra,
herë sjellë aromën e foshnjës mbi buzën e heshtjes,
herë sjellë tallaze dhimbjesh,si era në kreshta.

Ah,ç’tinguj hyjnor dalin drithëruar nga mitra!
Por në luginë nuk ndihet asnjë duartrokitje,
statujat prej rëre treten nga uraganet e hirta,
si kalliri dridhem kur shoh stuhinë që avitet.

Endem në tezjanë e dhimbjeve pa nxjerr klithma,
kam frikë se tremb fetusin në ujërat e prehjes
dhe lind pa dalë dielli mbi kreshtat e përhimta,
ndaj hedh hapa furie nëpër Luginën e Vdekjes.

Dhe lundroj ujërave rozë me shpirt ndër dhemb,
muskujt e mitrës tkurren dhe më kap paniku,
ndiej fetusin të lëvizë e ngrihem prapë në këmbë,
teksa hija e vdekjes më ndjek me shtizë çeliku.

Por unë jam grua e s’më tremb hija e vdekjes,
teksa lind krijesën hyjnore,asgjë nuk më ndal,
kur ia thithim të dy venat jetës me buzën e etjes,
në Luginën e Vdekjes mbijnë zambakë të bardhë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.