NUK MUND nga Enrieta Sina

Enrieta Sina

NUK MUND

Ta shkul një trendafil të vjetër në kopësht
Nuk mund
Sa petale i dha shpirtit tim
Të harroj gjurmët e tua në rrugë
Nuk mund
Sa fjalë janë shtruar mbi to
Të harroj nina-nanat e fëmijëve
Nuk mund
Ndryshe s’do të merrja frymë
Ta marr në zemër ndjenjën tënde
Nuk mund
Ajo do të skllavërohej në gjak
Të rikthej vitet e rinisë
Nuk mund
Syve kanë mbirë vjeshta
Të harroj vendlindjen
Nuk mund
Ndryshe do isha gurësuar
Të largoj ty nga ditët e mua
Nuk mund
Po pres më mirë shuarjen…

 

TË DY

Jemi dy embriona-qelizë
Jemi dy re në lëvizje
Dy trupa të qelqtë
Të tejdukshëm jemi

E shohim njëri-tjetrin
Në ajër, në tokë, në krisje
E prekim deri në pafundësi
Për të mos vdekur

Një ditë
Do të shpërbëhet qeliza
Reja do të bjerë mbi tokë
Trupat qelq do të thyhen

Tek shpirti do gjejmë enigmën
E asaj force të paprovuar
Nderur në kërcell të gjethes
Në hijeshi të lules-jetë.

Të dy do të qeshim
Për atë që s’njohëm në kohë
Enigmën e shpërbërjes
Duke shenjtëruar sërishmi
Atë qelizë
Atë re
Në trupat qelq
Aq shumë të tejdukshëm…

PAS PYETJES

Një ditë….
Një orë..
Një çast..
Do të shkëputemi nga ndjesia
Për ato që jetuam
Ndofta duke parë të djeshmen
Të përgjysmuar
Atëherë…
Dora do të zgjatet në degën e pemës
Këmba në shtresën e tokës
Trupi një pjesëz’ e saj
Syri do kërkojë qiellin
Do të shikojë më shumë
Në atë fluturim të përjetshëm

Një ditë…
Një orë..
Një çast…
Do të venitemi nën peshën e qiellit
Mbytur nga fjalët e një shiu të rrëmbyeshëm
Do të jemi në shtrat lumi
Në mure
Në gjoksin e dashurisë do mbetet
Një hije gjymtyre e dhimbjes
Përgjigje s’do të marrim dot
Pas pyetjes: ku ishim?

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.