ODISEA NË BUST nga Shefqet Sulmina

Shefqet Sulmina

ODISEA NË BUST

-Duhet te presësh deri nesër,
Ose rri zgjuar te numërosh kohën
Kohën dhe gjithçka që ti di
Ti e di se si i tha Odisea Penelopës
Kur kjo e fundit e përcillte me foshnjën në gji?

E dashur, numëro ditët pa mua
Numëro yje, dele, pemë, shtete dhe grataçiela,
Mos beso rrëfime që vijnë nga larg,
Rruga drejt teje mund të jetë e gjatë
Varet nga ti,
Ose vetëm një çast.
Nëse nuk mbërrij deri në agim
Ke gabuar ti në gjërat dhe në kalemin që të lash.

Një yll, një dele, një pemë, një grataçiele,
Një det a një shtet,
Në kohën tonë Penelopë e dashur,
Nuk kanë tjetën vlerë dhe merak.

-Oh, i dashur Odise!…
Mos ik,
Mos lermë të zhuritëm.
Shkaku mund të jetë prapë Circe,
Prapë politike…
Duke numëruar yje, dele, pemë, shtetet dhe detet,
Besoj se ti do të gabosh,
Që fëmijët dhe pemët që mbollëm bashkë do rriten,
Telemaku do të jetë burrë…
Pemët do të bëhen pyll dhe në kokën tënde
Do të fëshfërijnë sirenat e gjelbra të tij
Ndërsa ty do të duket vetja mes detit me dallgë.
Pylli i rritur do të ti fsheh të gjithë shtigjet…
Do të rrotullohesh rreth vetës dhe pyllit të rritur,
Njerëzit do të thonë se po rrotullohesh
Rreth yjeve, deteve dhe Circeve…
Unë do të lëmëritëm.

Telemaku do të rritet dhe do tu flasë njerëzve për Itakën,
Njerëzit do të thonë se po flet për politikën,
Kur ti ti shohësh
Do të lëmëritësh.

Këto do ti dëgjoi gojë më gojë nga njerëzit prapë Homeri
Unë do të dëgjoj prej tij çfarë flitet,
Ti do të lemëritësh.

Homeri, ai më i lashti, i të lashtëve
Do të ulet të shkruaj për ty një “Odisea” të ri.
Nuk ka ekzistuar shkaku Circe do të thotë…
Po barku i kalit të shpifjës dhe mallkimi.

Duhet ta dish,
Se unë do të mësoj
Nuk dotë njoh vetëm Itakën dhe rrëfimet…
Do të njoh mirë, yjet, detet, circet,
Oraret e avionëve, trenave, trageteve në ardhje dhe nisje.
Do të rris Telemakun, do ta bëj burrë,
Do ti presë pemët, do ti bëj zhur.
Do ta betonoj Itakën do ta bëj gur,
Do ti thaj lumenjtë, do ti lë pa ujë.
Për ty Itaka do të jetë një tjetër Truall
Po ike, mendoje mirë, i dashur
Se kështu do të të mallkoj plaça unë,
Që Itakën mos ta gjesh më kurrë.
Do ti them Homerit të të bëj ty fyell…

Sot në kohën e grataçielave,“pin-ve” elektronikë,
Gabohet lehtë,
Ti do të gabosh prapë me fëmijët dhe pemët,
Do të gabosh prapë me ikjet.
Prapë me shtigjet,
Unë prapë me vitet,
Homeri nga varri do ngrihet…

Do të rrotullohesh prapë mes yjesh,
Rreth vetës,
Do të tërbohesh nga inati,
Që mes grataçielave të mia pa fund
S’do më gjesh as Itakën, as mua zemrën.
Nga tërbimi do kërkosh të presësh prapë pyllin
Për të bërë Kalin e Drurit.

Po unë pemët ti preva,
Lumenjtë ti shtera…
Ku do ti gjesh detet ti notosh,
Ku do ta gjesh drurin,
Ku do ta gjesh unazën,
Ku do ta gjesh shigjetën
Në Itakën time të gurit?

Prapë Homeri do të ngrihet nga varri
Po çfarë do të skalitë tjetër
Përveçse prapë Kalin tënd të Turpit.

 

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.