PABLO NERUDA nga Riza Braholli

Riza Braholli


Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta.

Të shkruaj, për shembull, ‘Nata është thërmuar
dhe yjet blu dridhen atje larg.’

Era e natës sillet nëpër qiell dhe këndon.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta.
E doja atë, hera-herës më donte edhe ajo.

Përmes netëve si kjo e mbajta në krahët e mi
E putha përsëri e përsëri nën qiellin e pafund.

Më ka dashur hera-herës, edhe unë e kam dashur,
Si mos i dashuroje sytë e saj të mëdhenj e të qetë.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta.
Të mendoj që unë nuk e kam. Të ndiej që e kam humbur.

Të dëgjosh natën e pa anë, akoma më të pafund pa të.
Dhe vargjet bien në shpirt si vesa mbi barin.

Ç’rëndësi ka se dashuria ime nuk mundi ta mbante atë.
Nata është thërmuar dhe ajo nuk është me mua.

Kjo është e gjitha. Në largësi dikush këndon. Tutje, larg.
Shpirti im është nuk është i gëzuar që e ka humbur.

Shikimi im e kërkon sikur të shkojë tek ajo.
Zemra ime e kërkon, por ajo nuk është me mua.

E njëjta natë zbardh të njëjtat pemë.
Prej asaj kohe, ne, s’jemi më të njëjtët.

Unë nuk e dua më, kjo është e sigurt, por si e desha.
Zëri im u rrek të gjejë erën, të prekë dëgjimin e saj.

E tjetrit. Ajo do të jetë e tjetrit. Si puthjet e mia më parë.
Shtati i saj. Trupi i saj i ndritshëm. Sytë e saj të pafund.

Unë nuk e dua më, kjo është e sigurt, por mbase e dua.
Dashuria është kaq e shkurtër, harresa kaq e gjatë.

Sepse nëpër netë si kjo e mbajta në krahë
Shpirti im s’është i gëzuar që e ka humbur.

Sido që kjo është dhimbja e fundit që më bën të heq
Dhe këto janë vargjet e fundit që po shkruaj për të.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.