PEISAZHE POETIKE nga Pandeli Koçi

Pandeli Koçi

DEHJE

Buzëdetit mes dallgëve e shtrirë lakuriq
me bërrylat mbi zajet e bardhë farfuritës
ajo përplaste këmbët dhe
ujët shkumëzonte gëzueshëm.

Nga sipër kundroja, i dehur bukurie
sytë e saj dhe detin:
dhe të kaltër dhe të gjelbër,
dhe të hirtë dhe të yjëzuar.

Në thellësitë e syve,
në largësitë e ujit
bluja e errët priste pa mëshirë si me sharrë
horizontin.

Vallja lozonjare e ngjyrave
prush e zjarr më ndezi
ashtu më këmbë nën teshat e bardha.

Së fundi u binda. Shpirti
nuk qenka tjetër veç trup.

MOTIV KURBETI

Ajo pret e pret e pret…
Ai s’vjen e s’vjen e s’vjen…
Pllaq e plluq nën pemë burimi
asaj gjaku po i zjen.

Këmbët akull, zemra zjarr.
Ku të shkojë, kush t’ia shuaj?
Mullixhiu punon dhe natën,
ai s’di vetëm të bluaj.

Përmbi thas me grurë e misër
u shtri vasha asaj vjeshte…
Ajo shihte si në ëndërr
një krevat të bardhë martese.

PEIZAZH

Këneta po gëlon nga insekte, zvarranikë e shtazë…
Të rinj që vrasin kohën nëpër bare e pabe,
duke vrarë librin dhe të ardhmen.
Burra dyzetvjeçarë me bark të fryrë me birrë e raki
si gratë shtatzana në muajin e tetë.
Gra shtëpiake pronarësh me të ndenjurat që mbulojnë
katër cepat e dhomës.
Fëmijë që nuk e dinë udhën e shkollës,
kullosin lopën e delet,
mbledhin kanoçe, shesin cigare e çakmak
lokaleve të lodhura
me qurrat e ngrira nën hundë
dhe kanë harruar se janë fëmijë.

Biznesmenë që spiunojnë njëri-tjetrin
nën maskën e konkurrencës.
Politikaj me njëqind bajrakë ose,
thënë më me elegancë,
prostituta politike të salduar
në karriget e lyera me pafajësi
të korrupsionit fantazmë.

Nga fjalori janë fshirë me gomën e paturpësisë fjalët:
Ndershmëri e Dinjitet.

Kush do ta bonifikoi kënetën shqiptare?

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.