PENGJET E PËRJETËSHME nga Betim Muço

Betim Muço

PENGJET E PËRJETËSHME
-Për Robert Shvarc-

Më mori malli
Miku im
Për qoshkun tënd në kafene,
Cigaren e varur në buzë
Dhe kapelen tënde
Alla Bogart .
Më mori malli
Për zemërimet e tua të befta
Si shirat e verës
Vështrimin e mençur
Dhe veset e tua prej njeriu.
Më mori malli për bisedat tona kapriçoze
Lodhur nga gjërat që s’ua thoshim dot emrin.
Konturi yt i vogël
Më fshihet pas morisë së librave
Si kaproll i hazdisur
Në pyllin e fjalëve të shqipes tënde.
Nganjëherë kur hyj në kafe
Më duket sikur do të shoh ty tek vendi i zakonshëm,
Por ti je larg tashmë
Në trafikun e madh të kozmosit
U tregon udhën kometave
Ashtu me pengjet e tua
Të përjetëshme.

SAGITËS

E ke pyetur veten
Në ke pasur për shok të mirë
Erën
Në udhëtimin tënd të shkurtër
Të jetës
Në i ke shtyrë ditët
Apo je shtyrë prej tyre
Drejt horizontesh të mëdha
Në e ke mbajtur ndonjëherë qiellin
Në pëllëmbë
Si një petale blu të ndritshme
Dhe në të ka rrahur zemra
Si një kambanë tempulli
Ku vinë e falen besimtarët
A e ke pyetur veten
Për ç’jep e merr me njerëzit
Dhe në ke i ke bërë strehë
Në mendje
Mënçurisë së lashtë
Në ndriçojnë ende në ty
Fenerët e ëndrrave
Dhe në mund ta gjesh udhën
Për në shtëpinë tënde
Tek kthehesh e dehur
Mes absurdit të madh të botës.
Bija ime
Shumica vijnë e ikin
Si nëpër një libër
Që as shkuar as kënduar s’e kanë
Dhe varrosen në ajër
Më parë se të varrosen
Në dhe.

POETI

Rrufenë e bën reja dhe mali
Stuhinë, toka dhe qielli
Luftën: dy njerëz armiq
Kishën e bën një prift e një mëkatar
Njeriun, dy njerëz të tjerë
Dashurinë e bëjmë ne të dy
E dashura ime
Dhe poezinë
Ah, poezinë
Vetëm unë, i vetëm
Si zoti që bën botën
çdo ditë

E GJELBRA

S’më pëlqen të pres në udhëkryqe
Daljen e sinjalit të lirë
Të gjelbrën e kam me vete
Jetë a vdekje
Helm apo mjaltë
Të keqe a të mirë

Jeta është kaq e shkurtër
Sadopak për të pritur
E gjelbëra ime kurdoherë rri ndezur
Kur të vdes do jetë fikur

ETYD

Asgjë në jetë s’e përsërit vetveten
Edhe kur ngjan njëlloj
Nuk është ashtu
Çdo çast që vjen
Çdo grimë hapësire
Një tjetër kumt risie sjell me vete

Ti nuk je ti, sado më pak më pas,
Unë nuk jam unë sapo mbaron ky varg

Çdo çast që në çast plaket
E thinjet si çdo burrë
Një tjetër botë sjell
Vetëm që unë të dua ty
Nuk ndryshon kurrë.

PA TY

Një burim pa rrjedhën është një pellg
Një plazh pa detin është një shkretërirë
Një shtëpi pa çatinë është një gërmadhë
Një bisk pa lule është një shkarpë
Një thirrje pa zë është një pëshpërimë
Një qeshje pa shpirt është një britmë
Një luan pa prerinë është një zoopark
Një det pa dallgë është një moçal
Një rrufe pa bubullimë është një zhgarravinë
Një qiell pa yje është një pëlhurë
Një murg pa lutjet është një varfanjak
Një liri pa cak është një anarki
Një natë pa agimin është vetë skëterra
Një botë pa dashuri është një planet pa diell
Dhe një dashuri pa ty është një dhimbje pa fund

PATAT E EGRA

Flururojnë patat e egra
Në muzg
Dhe të shkëpusin vëmendjen
Nga punët e ditës
Nga hallet e përditëshme njerëzore
Nga tërmeti dhe cunami i madh i Japonisë
Kryengritjet e Afrikës
Dhe Lindjes së Mesme
Rrëzimi i diktatorëve
Kërleshjet e politikës
Problemet e komplikuara të botës
Parë nën kaleidoskopin shumëngjyrësh të mediave
Klithjen e artit për pak vëmendje
Ngrohjen globale
Dhe arsenalet e armëve
Të vajisura që rrinë gati
Të zëvendësojnë diplomacinë e fjalëve
Urinë e pabarazinë e botës
Që e mballosin kurdoherë me arna të bujshme
Fluturojnë në muzg patat e egra
Indiferente për ç’kanë nën vete
Duke transportuar shenjën e madhe të fitores
Që herë të frymëzon
E herë të bën të ndihesh i kotë
Mes kotësisë së përjetëshme të botës.

I lindur në vitin 1947, Muço mbaroi studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë.
Për shumë vjet ai punoi në Institutin e Sizmiologjisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku ishte nga viti 1993 deri ne 1997, drejtor i këtij institucioni.
Prej vitit 2001, ai ishte drejtues i rrjetit sizmiologjik të Shqipërisë.
Betim Muço prej vitit 1997 jetonte në Uashington të SHBA. Ai është i njohur edhe për krijimtarinë e tij artistike.
Një kontribut të rëndësishëm ai ka dhënë edhe në përkthimin e letërsisë së huaj.
Ai ka botuar me shume se 25 libra me vellime poetike, tregime të shkurtëra, novela dhe romane.
Shumë prej krijimeve të tij janë përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja.
U nda nga jeta më 15 janar 2015.

Me ndarjen e tij në moshen 68-vjeçare familja humbi njeriun e saj të dashur, shkenca e Sizmiologjisë një prej shkencatarëve të saj më të spikatur dhe letrat shqipe një krijues të palodhur.
TITUJ TË VEPRAVE
• Rrugëve të atdheut(1967)
• Etyde(1972)
• Ekspres(1975)
• Tregime(1978)
• Kokrra gruri (1978)
• Ditë që vështrojnë larg(1982)
• Eshtë se ç’na është(1984)
• Ditëlindja e këngës (1983)
• Plumbi i germave (1986)
• Gjurma e vetëtimës(1986)
• Bota në sytë e Dolës(1986)
• Në udhën time (1988)
• Ëndrrat e fëmijëve (1989)
• Mall për njerëz (1989)
• Ekuinokset (1990)
• Tempujt e mosharrimit(1990)
• Hiroshima jashtë meje(1995)
• Penda e pulëbardhës(1996)
• Karusel(1997)
• Sirtarët(1999)
• Rrefenjat e Hamburgut(2007)
• Bumerang(2009)
• Yjet janë fare pranë'(2017)
• Mësimet e natës 101 përrallat e fëmijëve të mi (2017).
Solli për fjalashqipe.com Roland Lushi, shtëpia botuese ADA

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.