Mimoza Çobo

Mimoza Çoba


FRYMA S’MË DEL PO S’TË PATA PRANË…

Fryma s’më del po s’të ndjeva thellë në eshtra,
po s’të ndjeva, qe të zbutësh ndjenjat e egra,
të gjarpërosh si i marrë mbi hiret e shpërthyera, 
të më helmosh e të më ngjallësh, si ngaherë.

Fryma s’më del, pa ndierë të dalldisurat ledha,
pa thyer gjerdhet mishtore ku harliset dredhka,
pa ndjerë ekstraktin e rrënjëve të tua nëpër vena,
pa bleruar brigjet e mishta, brigjet e djerra.

Fryma s’më del po s’të pata pranë, unë e mjera,
po s’erdhe të puthësh buzët e buta, buzët e egra,
sythet, që rrinë mërzitur, nën lotin që përpin era,
eja, pastaj le të më dal shpirti nëpër dhera!…

Fryma s’më del po s’të pata pranë, si ngaherë,
po s’më le të të marrë një herë erë, unë e mjera,
po s’më le të zhys në valë erotike ,të më tretet eshtra,
e pastaj të hedh vallen e vdekjes, pa lot e brenga.

BUKURIA E NJË GRUAJE

Bukuri e gruas cilin burrë se përpiu,
kë nuk çmendi gjer në marrëzi,
kush ndenji afër saj e netët si gdhiu,
i etur mistereve gjer në babëzi…

Bukuria e një gruaje, kë nuk ngjalli,
cilin burrë se zgjoi shtratit mortor,
vërshimet e saj, si trokëllima kali,
gjirit ia shkulën zemrën e gjorë.

Bukuria e një gruaje s’shijohet kurrë,
pa pirë burimin e buzëve të saj,
pa drithërimën kur e prek një burrë,
pa fëshfërimën që rrjedh nën fustan.

Bukuria e gruas ndrin petkut të saj,
mes gjetheve të hirta të pritjes,
në gjoksin mishtak ku përpëlitet pa faj,
shtërgu kur është drejt ikjes.

Bukuri e gruas oazë që syrin ngjall,
nëpër qiellore të turbullt prillesh,
kur erërat shndërron parfume të rrallë,
shpirtrat ç’ virgjëron mes trillesh.

Bukuri e gruas shëmbëlltyrë luleje,
që të ndjell, si bleta me delikatesë,
bukuria e çdo gruaje altari i lutjeve,
i ndjenjës së vrarë që kërkon shpresë.

AH, SIKUR TA DIJE

Mbi ty një rreze bie,
një rreze lashtësie,
kur shpall duel zilie
tërhiqesh nazelie.

Dorëzohesh paqësive,
me fije afshi krihesh,
ndër fllade ekspresive,
gjer në deje shkrihesh.

Kur perëndimit fshihesh,
enigmatike ngrysesh,
hipnotizon ca syresh
dhe vet, si pisha digjesh.

Tretesh hënë nën yje,
sytë mbulon me nyje.
Ah, vajzë sikur ta dije,
sa misterioze gdhihesh!

Ndaj të thonë bozhure,
tek ecën rrëzon mure,
sa djem ke lënë nën hije,
ah, vajzë sikur ta dije! …

Mbi ty një rreze bie,
një rreze bukurie,
djemtë vunë fasha zije,
ah, vajzë, sikur ta dije!…

PËR MUA,JE THESAR…

Dashuroj te ty, çdo gjest të padukshëm,
kur sipër buzës time, çel bozhur i qeshur.
Kur ti rreze dashurie më hedh gëzueshëm,
sa e dua syrin tënd, bajame zhveshur!

Se sytë e tu të virgjër, di t’i mbaj ngujuar,
këpus bisqet e dimrit, qe kanë kërcënuar,
zemrën që s’ta mori dot, asnjë tjetër grua,
zemrën që përvëlohet, kur vuan për mua.

Se unë të pushtoj,  me takt, në çdo çast,
pa qenë nevoja të ngre ndonjë grackë,
mjafton syrin t’ma shkelesh, si dielli i artë
e rend, ku s’kam rendur kurmit përvëlak.

Dhe nis e gurgulloj zhurmë ujërash, gjer në dej,
mbledh copëza kënaqësie, syrit cep më cep,
më pëlqen pas vetes, pa zhurmë të të tërheq,
kur jashtë qielli loton dhe rrufeja shkrep.

Dridhem si gjethe, kur fëshfërinë mbi ballë,
s’më pyet, kur e ndez lëkurën me zjarr,
kur ,me shpuzë përcëllon pushin vërdallë,
as unë s’të pyes, pse gjinjtë m’i thyen si arrë.

S’të gjykoj pse më do dhe tregon kujdes,
çdo burrë e do gruan afër vetes ta ketë,
ndaj kur loton për mua ,jam gati të vdes,
se dashuria e burrit-thesar i gruas në jetë .

NUK E DIJE…

Nëpër vesë hapat m’i ndiqje,
si thëllëzën të më zije,
nëpër shtigje leqe ngrije,
se kush isha nuk e dije.

Kur një natë më pe në pyje,
nëpër gjethe mblidhja yje,
kur mbi sy mbillnin dritëhije,
buzëqershisë i jepnin shije.

Më the, ju ngjaj yjësive,
kishe frikë afër të rrije,
më the, ju ngjaj perëndive,
njëherë ikje, njëherë vije…

Qiellit vetëm nuk më lije,
as kur rendja ndër korije,
S’mund të rrija qiell pa diell,
s’mund të rrija yll pa qiell…

Nëpër vesë hapat mos ndiqje,
si thëllëzën të më zije,
nëpër pyll leqe mos ngrije,
kur për mua, gjë nuk dije!…

MË PËRKUND NINULLA E NËNËS…

Krijuesi iu shfaq në ëndërr atit tim e i tha ca fjalë:
Do ta shumoj farën jetësore, si yjet e qiejve…
Atë natë, në mitrën e nënës, u ngjiza unë, ngadalë,
si fara e premtuar në tokën e shenjtë të dishepujve.

Kur duart e krijuesit, i dhanë formë e forcë zemrës,
si hardhia zgjata lastarët e krahëve drejt diellit,
rrënjët e shpirtit shtriva, në mitrën pjellore të nënës,
rrënjët shtriva, tek dhimbjet e tokës e të qiellit.

Të ndieja këngën e Orfeut mbi dallgët e Hebrit,
këngën e tokës, për të hyrë në thellësitë e misterit,
të ndieja vargun naimjan, me tinguj të përvëluar,
vargun e Safos ,që këputej me ulërimë, si përrua.

Të ndieja frymën e nënës, që rinonte faqet e tokës,
të shihja sytë e saj, që ende i japin kaltërsi botës,
të shihja si hapte gonxhen në duart e saj një burbuqe,
si nxirrte sythe dega e tharë dhe çeltë sërish lule.

Të ndieja dhimbjet e lindjes, sic i ndjente nëna ,
tingujt e eshtrës nga lartësitë ku fluturonte zemra,
rënkimin e ngazëllimin e zërit në luginën e vdekjes,
erën mëmësore, që më mbështillte me velin e prehjes.

Teksa kordoni i mishtë këputej, ndjeva të qarën time,
si gurgullimën e paqtë të kroit mbi buzën e një nimfe,
si cicërimën e zogut të dallëndyshes në fluturime,
si këngën e pranverës, që thërret lejlekët nëpër agime.

E mira nëna ime, e zbukuruar me hire të perëndishme,
më tundi në djepin e vjeshtës, me ninullë të magjishme.
E mira nëna ime, më e bukura perëndeshë e lashtësisë,
ende më përkund në gjirin e lashtë, ku kam pirë sisë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.