PËRVELIM NË GJINJTË PRUSH TË KALLOGRESË nga Fran Ukcama

Fran Ukcama
PËRVELIM NË GJINJTË PRUSH TË KALLOGRESË
-legjendë e herme-
Zbriti në molin pranë bregut,
Dhe ngadalë hyri në mejhanë,
Aty mbledhur pijancët,
Aty, qejf, raki dhe kangë.
Zë vend plaku mjekërbardhë,
Në një qyshk, me rrjeta e zhuka,
Nuk vonon, një nuselalë,
Len kërcimin e në prehër i ulet.
Plaku i detit, thinjur ngjelmur,
E kqyrgjatë, e kqyr heshtur,
Vasha me llërë përvjelur,
Gjokset kcyem jashta i qet.
-Nga vjen o udhëtar i largët,
I drobitur, i munduar,
A don venë, raki, e ngjalë,
A don ngjalën që ke ndër duar!!
Heshti plaku, si cung verri,
Sjell përmend motet lanë pas,
këta sy, prush yjesh flakur,
dikur kendej unë i kam pa.
-E e kujna je ti moj vjedër,
Kaq lezete, kaq e ndezur,
Me këtë shtat selvi e derdhur,
Me këto vidhe, plumbi ngjeshur!
-O h jam e bija e Zonjës Mëmë,
Zonja Mëmë, kallogre,
më la të vogël, muzgut rendë,
iku n` qiell ma s`u kthy..
-Emrin ty moj zogëz zonjë,
Si ta thonë, apo m` kallxon!
-Oh, emir im, kund s` ekziston,
-Hëna, Hëna që s` përendon!
Kaq me ka rrëfyr Mëma,
Zonjë Mëmë, kish njohë një burrë,
Një natë vere e kish marrë brenda,
Ishte zagushi, gusht- furrë.
-Çapu i kishi pas thënë udhëtarit,
Mjeshtër me sharrë, zdrukth, sqepar,
të ndreqte qerren, për dru në mal,
Mëmë gjora, ishte e ve pa vajzë, pa djalë.
Si ujdisi qerren ustai,
Bujti në kasollën me kashtë,
E pamatë ajo natë behari,
Zonja Mëmë, bëri mëkat..
Një mekat, një shlirim shpirti,
u ndez, kasollës mbi kashtë,
si i ka shperthimet dielli,
kur qet rreze, llavë, spërkamë..
Një ditë, dy-tri , një javë,
Mbet udhëtari mik n` kolibe,
Zonja Mëmë,me at` shkojnë bashkë,
N` pylltë, me shkozë,lisa dhe blinj.
Qerren, lidhën në zgjedhë,
nën zgjedhë, lopa dhe gomari,
mbodhën drunj, bënë një ledh,
nën një shelg, i zuri zjarri..
Aty i gjeti hëna, ndër gjinj,
brinj florinjtë, dal mbi kodër,
Mbenë shtërnguar në agushti,
Mbi zhumile, gaz e lodër.
Zonja Më, para se t` ikte,
më ka rrëfyer, se si u nda,
mjeshtri iku , iku në pyje,
yll, vegim, n` korije, s`u kthy ma.
Plaku i detit, mjekërr zhukë,
I largon dorën prej qafës,
I prek gushën e purpurtë,
Një nishan në mes të faqes..
Zogëz, bijë, nuk bëj mekat,
Vi prej udhe , larg, sa larg,
Një kujtim, një mall, një plagë,
Sot më ndali në këtë prag.
E kam njohur Zonjën Mëmë,
Një perri, një zjarr, një llavë,
Tash po njoh veprën tënë,
që latuam at` natë me hanë.
Po ti je gjak prej zemrës time,
Ti je mish, prej shpirtit tim,
I vetmuar, në kaq shtërngime,
S` kam askënd, n` kyt botë veç ty..
Lere këtë zanatë gaxhie,
Eja t` rrojmë sa të dalin fati,
Kam shtepi, dhe katandi,
Te një kullë, ketej prapa mali..
Kam gjallëni dhe pasuri,
ty zogë dua t` bëj të lumtur,
të gjejmë një djalë, një princ të ri,
ta shoijosh jetën më bukur..
U shtang Hëna, krejt u ngri,
Iu mek fjala, u mbyt n` fyt,
Kroje loti në sytë e zinj,
-N` grushta t` plakut ranë , aty!
Në agshin, pa u shuar yjet,
Iku Hëna, pas një plaku,
fjalët, morën, arat, pyjet:-
Si, një zogëz, ra n` kthetrat e malukatit!
Thonë se plaku rrojti gjatë,
I kaloi njëqind vjet,
Ditë e natë, det dhe varkë,
Luftë me dallgë e me peshq..
Hëna mori burrë një djalë,
Një brun, me sy bojëqielli,
Prej t` atit kurrë s`u nda,
Pranë qendroi si lule dielli.
Rriti tre goca e dy djem,
Gjithë shendet, hare, gëzim,
Kjo legjëndë ka ndodhur dje,
ua rrëfej, shqarthi, n` kafaz nuk rrin!
Mbi një shkëmb bregut të kaltër,
thonë, rrinë pranë dy ullinj,
nën ullinj, një vorr, një vatër,
janë dy shpirtna, gaca n`hi..
Gaca n`hi, duron e s` shuhet,
si dashni, që s`din me dekë,
vijnë femijtë, këtu mbjellin lule,
Hëna ulet, i puth fotot mbi mremer!
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.