PO DUHEMI BUKUR nga Elida Rusta

Elida Rusta

PO DUHEMI BUKUR

M’u duk pak çka shkrova dje për ty,
e po nisi me shkrue prej fillimit
Ne po duhemi bukur,
as shumë vonë si te Markezi,
as shumë herët si te Lolita.
E kam kryet pa flokë,
në krahnorin tánd të butë.
S’kam dert
deri nesër të paktën.
I jam nënshtrue amelsisë tánde të butë..
Le të ikin táná sendet e tepërta,
thonjtë e eshtrat pa lëkurë,
Piqem në gushtin e buzëve të tua.
Mban mend?
Para shumë vjetësh
t’kam shkrue prej pyjeve,
me sytë si t’drenushës
kur duen me e plagos
t’jam lut
mos me i pi prrojet ku rrjedh háná,
se disku i saj t’mbetë në fyt,
peshqit të ikin prej ujnave të syve,
nuk muj me pá hijen téme përmbys
në sytë e kaprojve,
as diellin e mjerë që zbret
me shtagën e rrezeve
si plak pjerrtësisë së pyjeve
ku ketrat shpesh u harrojnë vendin farave t’mshefuna
e pylli bán festë.
Kjo ásht festa jonë,
në një lëndinë t’humbun,
ti ke ándrrat e bletëve në buzë,
unë me kryet pa flokë,
s’kam dert deri nesër.
Shportë e thurun
me lastarë shelgjesh lotues
që qajnë hala për ikjen e zogjve të Shirokës,
për mbytjen e mjelmës në liqé t’dhimbjes,
me “oh” e “ahe” si petale lulesh.
Këto janë rreshtat e tu
që i mbylle në shtatëqind dryna,
ato kohë kur shkove me u rrit
e mbete po aq.
Ah tiii!
Xhind me llambën e kuqe të fatit tim në dorë.
U djegsh në mall,
flaka të daltë!
Hirin tém hidhe prej ballkoni,
të mbulohem me humusin tim.
Ndoshta
mbijnë njerëz má t’mirë në katin e parë
e ashtu kat pas kati,
qiell pas qielli,
deri te i shtati.
Merre tash qiellin,
shihi njerëzit prej dritares,
ti je dritë e nji bote tjetër,
të lejohet me pá prej nelt,
me u deh thërrmueshëm,
në hánën jeshile të syve të mi.
Nisu drejt qiellit shpirti jém,
veç nji herë lejohet.
Ndoshta vdesim tuj u dashtë…

M’PUTH I DASHTUN

Puthmë aty mes gjinjve,
mandej shko.
Mbaja hatrin atij që nesër ka me u muros.
Le të zihet fryma
si atëherë,
kur unë bima e blertë,
që sa kish msue me ecë
t’bána burrë
me puthjen e parë,
e s’mujshe me dal prej shpie
se ishe burrë i puthun.

M’puth i dashtun,
asnji minutë pá ty s’më rrihet,
kam humb në djegien e yjeve
që báhen shi drite për ne.
Puthmë me cigare në buzë,
kámbzbath tê hymë në det.
Notin e mësojmë ma vonë.
M’puth e kqyr qysh ta ruej dashninë
prej qelibari,
si grua Ballkani,
në arkën me erë ftonjsh
e tesha deke,
me dek’ vashë e bukur.
Kur m’puth ti
vdekja nuk vjen nesër.

MALLI ME TE DASHT

M’paska marrë malli
me t’pà,
me t’puth,
me t’dásht’,
me márr n’ty çka ásht e jemja.
Dashnia jéme e dalun nga zogj dashnie
dimên i gjatë i zemrës qe çel.
Askënd s’kam humb’ keshtun ne asnji ditë vere.
Provoj me u mbshtjellë
n’frymë t’dashnisë së re
dy diej s’mund t’i mbaj n’krahnor,
nuk lahet vetja për dek’.
Kthehem kryeulun,
mas hijen tánde
me dritën téme gëzohem që m’vjen në ándërr
e nuk t’kallzoj…

AJKUNE E RE

T’shtifsha n’dhé Ajkunë,
qysh i çave gurt’ e bjeshkës
gjethet i lshove përtokë,
qorrove ditën,
i çmende lisat prej piskame.

T’hiftë dreqi n’bark!
Ke njimijë vjet mbi ftyrë t’tokës
si zanë idhnake
tuj rrokullis gur malli me mblue vorret.

Del prej vaji
t’vraftë Zoti i madh!
Dënimi që more
s’ish aq i randë.
Kqyru n’mue
as s’ke me hangër,
as me pi,
as me fjet.

A mendon se asnji deg’ e thyeme
s’ka ra mbi ne,
se nuk i ka vu kush buzët n’krue tonë?

Zbrit prej bjeshke mos zbritsh’ shndosh,
shihi t’vrámt
dek’ e pa dhán shpirt,
mbi vorrin e hapun.

Mos brit Ajkunë!
Kqyre me ata sy t’bukur
t’parin e shpisë,
vorfnue n’tym t’duhanit,
me syte përdhé
ata që n’ndrrim t’motmoteve
s’mujn’ me e ble pemën e krishtlindjeve,
nuset që n’cep t’pajës kanë palue trishtimin.

Kahdo shkel káma e kalit
n’két vend mërgohet.
Omeri i ri qysh n’bark
muer dynjanë,
pa ja dhanë nanës nji gotë ujë
n’ditë t’pleqnisë.
Kqyri kufomat e mia
dalun si prej fushave t’minueme,
ulu rrázë pemëve
s’vjen má aromë toke mbas shiut.
Rueju e mos t’ndij tuj vajtue,
se t’báj me má lshu mue parajsën tánde
e vet me árdh n’két ferr.

Del prej vaji Ajkunë bre motër
nji palë petka mas shtatit kam me t’i pre,
tamël gjini kam me t’dhánë,
e me ty kàm me kndue
për gjethin e ri,
për ujin e ri
për dorën që djeg .

Puthe mermerin tém t’ftohtë Ajkunë!
Futi tirq galanat e dashnisë s’pamujtun
n’bir t’dheut bashkë me mue.
Kam me i lá n’ vaj argjendi
e me kmishën e lintë vesh
me jetue jetën e vorrit.

Hajde Ajkunë,
kámbzbáth ta kalojmë lumin
nëpër gurë
herë të mardhuna,herë tuj u kall.
Bahena shtriga malesh
t’përparueme má shumë se duhet
që edhe vdekjen e fusin n’shtrat
e dashninë e kndojnë ma fort se e qájnë.
Má mirë me u djeg
se me u si lisi n’bjeshkë.

Rafsha unë n’vorrin tand
nëse shtatë palë qiejt
s’kanë me lshue mbi ne,
nji grusht dhé t’bardhë
se e dinë mirë
që nën fré nuk kalërohet…

MË PRESIN NXANËSIT

Deshta me ta fshi numrin,
nisa e hoqa dorë.
Të lexova,
i pashë atomet e tua.
Kishe ndéj i dekun tán atë kohë,
veç me árdh te unë.
As ujqërit nuk e dinë má mirë udhën.
Fëmijë jam,
e vogla jote prej vese jam,
nánë e bukur qysh kur isha foshnje,
bishtin përflakës si të kometës.
Flej t’i puthsha sytë,
flej!
Unë të dua!
Po shkoj me ofshá,
me qá e me u kthye.
Koha matet me atë që bájmë,
jo me atë që jena.
Më presin nxánësit,
ata s’do i kem má,
ty po.
Nesër fluturojnë,
ndoshta mbasnesër,
Nuk du me ju lánë trashëgim
kambt’ e bllokueme n’moçal.
Ti ia dole,
më rrite!

ERDHËN NXANËSIT…

Ti në fund të bankave
mbete përsëritës i përjetshëm.
Edhe sivjet kám me t’lánë në klasë,
ke nevojë me msue má shumë.
Dashnia mësohet shkronjë për shkronjë,
deri n’frymë të fundit.
Me dritë po t’shkruej
u lidhsh për dritë të diellit!

O TI, O UNË

Agu ra mbi llampēn e ndezun të katit të fundit.
Flaka e letrave që digjen,
bán hije mureve.
Má mirë të digjen letrat se unë!
Poetja nuk fle
ásht ul mbi fron dafinash që e mbajnë gjallë
má fort se fryma.
Ndigjon zhurmën e botës,
tutet për ty.
Çmimi naftës rá
bursa e New Yorkut po.
Nëpër qoshet e Underhill avenue
shkruhet:
“Kërkohet nji troftë me pika të kuqe”
Nji sirenë treni që vjen prej larg
e bán me i thirrë mendjes,
në Amerikë nuk vihet përditë,
Atdheu aty ásht.
Rimbush metrokartën,
në stacionin má t’parë
hedh përpjetë nji dollar coins.
Zgjidh!
O ti, o unë po i biem detit kamb’.

FËMIJË JAM

Asgjá nuk lëviz
as zhurmë, as zá.
Ndjej boshtin e tokës kur sillet.
Hy në qiell
dal si hyjni.
Yjet më mbesin në fyt si ty xixëllonjat.
Unë prap’ shoh mes gishtash,
fëmijë jam.
Ti mjeshtër i vonë më rigdhend prej fillimit
me vegla të vjetra.
E kam lidh botën me dashninë pêr ty,
mos mē lësho duersh se thehem
s’ka ditëlindje që më mbledh.
Më ke në dorë,
m’ném ose epma uratën,
të rritena bashke prej së largu..
Nji burrë si ti duhej gjetë me çdo çmim,
që unë të isha vetja,
shtrigë flokëkuqe e Kodrës së Kishës,
priftneshë që djeg kryqin
në zjermin e gjinjve,
guackë me perla
n’fund të detit e harrueme.
Grua kristali e thërrmueshme,
n’dashtë se nuk jam e përsosun.
That’s great!

MOS VUAJ AJKUNË

Sa t’ vuen ky shpirt
i ofruem për dashni t’akullt Ajkunë.
E di!
Të dhemb kjo natë
sa dimni që thau luleborën.

Ndoshta ka me t’mbrojt’ dashnia jéme,
se edhe unë kam vuejt,
fort,shumë…aq sa
ka me u gzue ky shpirt
kur t’dalin prej meje!

Si qëlluem kështu?
Unë e vogël
Ti ordekun.
Njimijë vjet na shkuen kot
se s’mujtëm me u barazue
me baraka t’shembuna,
as me dekë currave.

Nuk vdiset për kurrgja…

S’paku jo pa vallëzue me ujqën,
si shi n’tokë të plasaritun.
Anipse t’lodhun çdoherë
si për t’fundit herë
tuj prit dhimbjen e rradhës.

Mos vuej Ajkunë!
Dashnia asht plagë që dhemb prej s’mirit
e t’bán prap’ me besue
n’lapsa t’thyem e dafina t’vyshkuna.

KËTU RA NATA

ti je gjashtë orë má i ri se unë.
Herët nesër,
kam me t’i numërue rrahjet e zemrës para zgjimit,
Në qytetin me xhami t’bukura,
me u deh me shpirt,
alkool as kokainë s’ka,
ose e shesin msheftas,
si t’gjithë burrecët e Ballkanit.
Unë e veshun me lëkurë
poshtë kmishës tánde
e bukur báhem si det,
det kuarci plot xixa,
shtrigë e krojeve t’Shkëlzenit,
shpirti yt pa tru.
Eja t’mshefena bashkë
në kafkën e Statujës së Lirisë,
flakën e dashnisë ta ndezim me pishtarin e saj.
T’u mësojmë anijeve
portin e mbrojtun prej shtrëngatave,
si dy njerëz në zemrën e të cilëve fryjnë erna t’buta,
bájnë lulet e barin me vallëzu
msojnë qysh báhen fmi e zogj me puthje.
Hajde biem,
në Shkodrën prej Venediku
t’ja shtim’ flakën edhe gjumit…

JA QE U KTHEVA

Ja qe u ktheva!
Për çdo sekondë
më merr malli për ty.
Ti zhdukesh si gjurma e zogut n’degë,
si shenja e burrit në grue.
Burrë të çeliktë nuk paska,
ata që dalin veç pak mbi moçal,
kndojnë kángë heroike.
Për këtë ka rrezik
me i ra grusht liqenit,
me ua zánë frymën mjelmave.
Ti mendon se jam ende në gjimnaz,
unë jam shtriga
me kokërr molle në xhep.
Po shkoj,
më mbaroi liria.
Shkruhena nesër…

PO I DASHTUN

Po i dashtun,
erdha me vu n’vend kryet,
m’pat humb prej pakujdesisë.
Boll mbeta tuj vajtue si krimbi në lis.
Eh sa mijëra flutura enden
livadheve të shpirtit tém!
Ti e unë po çelim sythe këtë pranverë.
Jam larg e nuk ta kallzoj dot
zemrën e shkyeme n’dysh.
Je kështjella má e bukur që kam pushtue në jetë.
Asnjiherë s’ke me kuptu
çka je për mue.
Pickim skllavërues,
bar jeshil,
unë flutura që prek, lë pluhën
dhe e bán fushën t’lumtun,
lajthi e rrëmbyeme prej putrave t’pyllit,
bisturia që pret hollë n’zemër
e të tërheq jashtë orbite.
Busulla jéme çmendet veç nji herë,
nuk e kapërcen dy herë nji gardh.
Ik mbushu!
Deshta me fjet e s’mbyll dot sy
pa m’puth ti,
më mërdhasin buzët.
Hajde vdis,por mua më tako,
të qaj mbi varrin tánd
që ndez e fik nji planet…Ti flen në andrra t’këputuna,
m’i matë rrahjet e zemrës
me dritën e zjermit që digjet në hanë,
m’i pushon kocat,
ma përpin vransinën,
qiellin ma len çdo ditë dyerhapë.
Ti lahesh n’sytë e mi,
prapë m’ban të lumtun.
Unë prap’ ándërrkputun
tuj t’dashtë ty!

TI…

Ti flen në andrra t’këputuna,
m’i matë rrahjet e zemrës
me dritën e zjermit që digjet në hanë,
m’i pushon kocat,
ma përpin vransinën,
qiellin ma len çdo ditë dyerhapë.
Ti lahesh n’sytë e mi,
prapë m’ban të lumtun.
Unë prap’ ándërrkputun
tuj t’dashtë ty!

12.03.2018

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.