PO RESH SHI E DASHUR nga Xhelal Ademi

Xhelal Ademi

PO RESH SHI E DASHUR

Po resh shi e dashur përmbi kokën time
Kur përjasht harruar ndjenjat kemi lënë,
Ndaj sakaq vrapova të shpëtoj kujtime
Që çadra e mendjes nuk i pati nxënë.

Por në çast u mbytën nga një lum i etur
Prandaj mbi karvanë erdhën net të vona,
Kur ua hapa derën atje e kam gjetur
Tek e vriste veten kjo përrallë e jona.

Ndonse m`erdhi keq, vajta që ta mbroja
Por ky shi i çmendur po vërshoi këtu,
Ndaj i mbylla sytë teksa shembej Troja
E nuk pashë në mbylle dhe ti sytë e tu.

Zbret teposhtë ky shi, ti s`besove dot
Se shirat kanë lindur edhe për të vrarë,
Për shembull një bletë po e vret për kot
Teksa puth një lule për ti marr nektar.

Dhe bjen shi e dashur, vjeshta sa ka nisur
Me ca ngrica malli më troket te dera,
Kot të paskam shkruar përmbi gjeth të grisur
Se kështu të lagur s`mund të ta sjell era…

SONTE NGA LARG

Nga larg më thua, m`ka ikur gjumi
Se s`mund ta ndalja pa frerë në dorë,
Kur loti mbyti ca ura lumi
Në breg të shpirtit po binte borë.

Me digë qepallash se mbaja lotin
Prandaj e mbusha një det të tërë,
Veç pak më thua, ta njihja notin
Drejt teje rrugën do kisha bërë.

E ndjej që sonte t`ka mbytur shiu
Dhe t`solli ngrica mbi ca kujtime,
Ndaj t`lutem, gjaku nëse të ngriu
Merr hisen tënde nga zemra ime.

Dhe fli e qetë se vonë u bë
Po vjen e dehur një natë e dytë,
Por nëse gjumi s`afrohet më
Merr gjumin tim dhe mbylli sytë…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.