PO VIJNË DON KISHOTET nga Namik Selmani

Namik Selmani

PO VIJNË DON KISHOTET

Po vijnë nga larg ca Don Kishotë
E derën askush s’ua mbyll
Ndër faqe skuqur rigojnë lotë
Pa gjeth e drurë mbeti një pyll.

Po vijnë mes nesh ca Don Kishotë
Zezon një shall përmes sherrnajës
Qyqon një derë, një shpat, një hon
Garojnë pa fund përmes piskamës

Piskon kjo kohë e verbëruar
Që kërkon sy e kërkon veshë
Mbi zjarr sheh djepin e shkrumbuar
Mbi det po mbyten libra, fletë.

E Sançot ndërrojnë pa fund kollaret
Se Donët duan madhështi
Nuk di ku janë Rosinantët
Tek shoh një vile, një benz të ri..

Po vijnë ata me vrap galopi
Pa një patkua e kapistall
E dora ngrirë mbet nga të ftohtit
E gjaku si përrua pa ujë u tha.

Po vijnë e shkojnë nëpër avionë
Në çdo hotel i pret Dylqinja
Ca celularë po cicërojnë
Në tavolinë ku vret vetmia.

Po vijnë sërish ca Don Kishotë
Gërdallur mes dhimbjes së ëndrrës
U thyen e humbën purtekat e lodrës
U terratis në det profecia e këngës.

Në zjarr Prometeu ndez shkrepsen
Të mos shuhet ky qiell, kjo dritë
Ata vijnë e shkojnë mes njerëzve
E njerëz s’u bënë kurrë një ditë

S’ia ndalkan turrin dallga, vala
S’ia mbyllin udhën gjerdhe, frerra
.Po vijnë pa fund ca Donë gërdallë
..Mes nesh po mbillet dhimbja, heshtja..

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.