POL ELYAR nga Dritero Agolli

Dritero Agolli


E GJALLA IME E VDEKUR 

Në brengën time s’pipëtin asgjë,
Pres kot së koti, s’vjen njeri tek unë,
S’vjen ditën e s’vjen natën
Dhe vetë unë s’vij ashtu siç vija.

Nga sytë e tu u ndanë sytë e mi.
Besimin humbën edhe dritën humbën;
Të miat buzë u ndanë nga të tuat,
Të miat buzë u ndanë nga zbavitja,
Nga jeta dhe dëshira e dashurisë;
Dhe duart nga të tuat janë ndarë
Dhe s’mbajnë dot në gishta asnjë pupël;
Dhe këmbët janë ndarë nga të tuat,
S’çapiten dot e rrugë s’bëjnë dot.
Kështu na qenka thënë të shoh fundin,
Me fundin tënd;
Se jeta ime qenka nën pushtetin tënd,
Kjo jetë që më dukej pambarim,
E vetmja shpresë qenka varri im,
Ashtu si yti mes botës së shkujdesjes.

Kam qenë pranë teje, kam ftohtë me të tjerët.

FYTYRËN KAM NGJITUR NË XHAM

Fytyrën kam ngjitur mbi xham si rojë pikëllimi
Dhe nën mua dergjet qielli i natës
Dhe në pëllëmbët e mia u shtrinë pllajat
Në heshtjen e dyfishtë të horizontit.
Fytyrën kam ngjitur në xham si rojë pikëllimi,
Ty të kërkoj tej sinoreve të pritjes,
Tej sinoreve të vetes sime;
Aq shumë të dua, sa nuk e marr vesh
Se cili mungon këtu nga ne të dy.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.