PRAPË MË THUA… nga Edmond Shallvari

Edmond Shallvari

PRAPË MË THUA…

Nuk kuptoj pse s’më ndahesh me të thënën
Të heq dorë dhe nga qielli nëpër vargje
Kur ndërkohë ti thith ajrin e jetës tënde
Dhe nga Dielli jeton ditën pas çdo nate.

Prapë më thua të heq dorë nga filozofia
Kur ndërkohë bën filozofin dhe në seks
Kurse unë asnjë gërmë dot s’do lidhja
Pa e njohur këtë botë mes për mes.

Nuk kuptoj ç’të ka zënë me Perënditë
Kur ndërkohë Perëndi femrës i thua
Vargjet s’janë vetëm për zogjt’ e bagëtinë
Universi është vetë art i pambaruar.

VJETËRIM

Mbivlera u vjetërua
Marks, keq më vjen
Kapitali me cigaret u shua
Një tjetër Kapital u ndez.

Revolucioni u vjetërua
Keq më vjen, Lenin
Proletari u borgjezua
Tjetër revolucion po lind.

Socializmi u vjetërua
Endërrimtarë, më vjen keq
Kapitalizmi me të u martua
Një tjetër e ardhme ju pret.

Unë tani po plakem
Grua, sa keq më vjen
Sa kemi fuqi t’i lemë llafet
Llafet të plakin më shpejt.

Ndërkohë, Marksi po qesh.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.