DUA T’U FSHIHEM SYVE TË TU nga Vullnet Mato

Vullnet Mato

DUA T’U FSHIHEM SYVE TË TU

Bëj çmos t’u shmangem 
të gjitha udhëve,
që më shpien te sytë e tu,
qoftë dhe rastësisht.
Të mos më kujtohet
koha jote e puthjeve,
që zemrën ma godet
me purtekë vazhdimisht.

Dua të largohem tinëz
nga ato buzët e tua,
që më tërheqin
si thellukat e një lumi,
të mos mbytem
në ujëra djersësh mbuluar
dhe i rraskapitur me ty,
të më kaplojë gjumi.

Dua të fle pa atë
dashurinë tënde të valë,
që më thith gjakun e zemrës
pikë, nga një pikë.
Kur pas çdo takimi të rastit,
ti e shkathët si ngjalë,
burrit i shket nga duart,
e më ngjitesh tek sytë…

Bëj çmos t’u shmangem
udhëve ku shkon shpesh,
të më presësh si rrufenë,
një rrufepritës.
Duke menduar se ka njëmijë sy
opinioni mes nesh,
do fshihem nga sytë e tu magjik,
si yjet gjatë ditës…

Të shpëtoj së fundi,
nga ato eksplozivë puthjesh
që ti kërkon të shpërthesh
herë pas herë,
pa menduar për rrezikun
që na vjen më tutje,
kur familjen e shenjtë,
mund të hedhim në erë!…

NË PRILL E NË MAJ

Oh, të dua pranë në gjithë muajt e vitit,
moj e mira ime, që të kam, laj-thaj,
por të lutem, me zjarrin tim të shpirtit,
veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!

Mund të shkosh kudo të shëtisësh,
nga Japonia, deri larg në ishujt Havaj,
po leri vizitat e tua, te njerëzit e fisit,
veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!

S’ta pengoj lirinë, as në behar e dimër,
madje flatrat e mia të jap për berihaj,
të fluturosh ku të do e bardha zemër,
veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!

Nuk dua të vë kushte, në jetën intime,
moj e mira ime, që të kam, laj-thaj,
të fal muajt e tjerë, përgjatë çdo stine,
veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!

Ka nevojë dhe palca e eshtrave të mia,
lulëzimin pranveror, tek ti ta shpërndaj,
ndaj mos më lër të më dimëroj vetmia,
veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!…

PRET NJË GRUA NË VERI

Isha në një shtëpi fshati, larg në Veri, 
mes borigave halore, pranë një pylli,
në një shtëpi bore, me të pjerrtën çati,
te një livadh i bleruar, që puthte dielli.

Në atë shtëpi, me qeleshe reje mbi krye,
jetonte një grua, me llërë të përveshura,
faqekuqe, që kënaqej me lexime poezie
dhe te buzët nuk i perëndonte e qeshura.

Para disa vitesh, ajo drenushë veriore,
bashkë me burrin, një malësor trupfort,
më ftoi për vjersha, në pushimet verore,
por s‘pata rast tjetër, e nuk shkova dot.

Ndoshta çdo mëngjes, kur fshin oborrin,
ajo shkund gjoksin e madh duke vallëzuar,
mjel lopën, zien qumështin dhe zë kosin,
pastaj pjek kulaçin e grunjtë për mua…

Kushedi sa gatime të rralla, ka bërë gati,
në atë kuzhinën e saj, ku cicërojnë zogj,
dhe çarçafët e borës, të palosur te rafti,
në parajsën e gjelbër, më kanë pritur kot.

Ajo ka dërguar letra me disa re bardhoshe,
ku ka shkruar me lapsin e kuq të rrufesë:
“Eja, or mik, se ne të presim prej kohe!“
Do shkoj t’i lexoj këtë poezi, para se të vdes.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.