REGJISTROJE KËTË
po e nisim kështu:
je më e bukura me gjithë ç’vetëkupton bukuria
dhe e mençur domosdo
po unë s’të desha për të parën
as për të dytën jo se jo
eh, po ta dija…
dhe është kaq vonë ta marrë e mira
regjistroje këtë megjithatë
për çastet kur të të trokasë vetmia.
KARTË E DJEGUR
unë s’kam stoli floriri e smeralde për ty
krejt çka mund të bëj
janë ca rima varur në kangjele malli
goja nuk më bën të them se iku dhe një ditë tjetër
si një kartë e djegur
derisa hiri nuk është ftohur ende
them se unakët thellë tij
rrinë edhe natën ndezur.
KËNDE
ti sheh nga dritarja gjëra të padukshme
që nuk i shohin të tjerët
por që janë të bukura
unë shoh gjërat e shëmtuara
që i shohin të gjithë
e nuk flasin
më e mira
t’i bashkojmë këndet e ta shohim njëri-tjetrin
pa çka se bota mund të flasë.
QIELLI U MBUSH ME RE 3.
me re mllefi e mërzie të ndarjes
qiejt edhe mund t’i shembin furtunat
se ne qemë ardhës
që nuk njiheshim më parë
dhe ditëve ua thithem nektarin
ndoshta kështu qenka struktura e dashurisë
një amalgamë hyjnore
e prerë të rritet
midis toke e qiejsh
NDJEKËSI DHE KËNAQËSIA E TË NDJEKURIT
nuk ndjek po jam i ndjekur
ah ç’kënaqësi
duhet të m’i ndjekë hapat gjurmët Ai Tjetri
edhe hijen dhe të më bëhet Hije e dytë
Ai s’ka orar itinerar
nuk e njeh hapësirën kohën
nuk i shikon të dhënat sinoptike të motit
është Ndjekësi Ai
dhe të vetmen busull ka të ndjekurin
nga pas
(domethënë mua)
me dhuntinë e nuhatjes prej kafshe Qeni
më në fund e kuptova
unë jam dirigjenti për të e për shefin
e Tij
LOJË FJALËSH
e mbërtheva një gjirokastrite
thjesht për inat të Kadaresë
ah, lëreni lojën me fjalë, mike
ajo qe poezia e vërtetë.