RA, RA BABILONIA nga Petraq Risto

Petraq Risto

RA, RA BABILONIA…

“Ra, ra Babilonia!…
Zbrit dhe ulu në pluhur, o bijë e virgjër babilonase
Ulu në tokë pa fron o bijë e Kaldeasve
sepse nuk do të quajnë më të brishtë dhe të njomë
Vër dorën mbi mokër dhe bluaj miellin..
– Nuk do të mbetem kurrë e ve
dhe s’kam për të njohur humbjen e fëmijëve
Unë dhe askush tjetër…
– Lëvize velin tënd, ngrije çipin e fustanit
Zbuloji këmbët dhe kaloi lumenjtë
Lakuriqësia jote do të zbardhë dhe do të shpallet turpi yt
unë do të hakmerrem dhe askush nuk do ndërhyjë…
Ulu në heshtje dhe shko në terr, o bijë e Kaldeasve…”
– Nuk do të mbetem kurrë e ve
dhe s’kam për të njohur humbjen e fëmijëve
Unë dhe askush tjetër…
– Po ne kemi armët të larë më flori ngjyrë gjaku
– Veç shkretëtira di të shkrijë fuqinë tuaj ngjyrëakull
ngjyrë akull, i pabesë, ngjyrëakull
– Astrologët që njohin yjet shpirt e trup nuk t’i shpëtojnë
zjarri si mëndafsh demoni do ta vesh trupin e kallinjtë
dhe loti yt do të mbushë lehet ku dergjet balsami pa trup…
– Po unë prapë do të shpëtoj në një marrëveshje me erën
dhe do vijë bashkë me Kopshtet e varura të Babilonisë
të pjalmojë shkretëtirën dhe të ndezë hardhinë dhe të harbojë verën
buzë lumenjve që rrjedhin me hakmarrjen time mbi shpinë.
Unë dhe askush tjetër…

(Marrë nga cikli ‘Bibla moderne’, në vëllimin “Lojë shahu në shekullin XXI”, Tiranë, 2004)

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.