RAINER MARIA RILKE nga Merita Paparisto

Merita Paparisto


Rainer Maria Rilke, poet austriak
TI QË NUK ARRITE

Ti që kurrë nuk arrite 
në krahët e mi, e dashura ime,
e humbur që pa filluar,
unë madje nuk di as këngët
që të pëlqejnë ty më shumë. Kam hequr dorë
nga përpjekja për të të gjetur ty në valën
e tërbuar të momentit të ardhshëm. Të gjitha
imazhet e ndritëshme në mua—atje tutje,
peisazhe thellësisht të ndjera, qytete, kulla, dhe ura
dhe kthesa të papritura të udhës
dhe këto toka të begata që njëherë e një kohë
pulsonin nga jetët e zotave—
të gjitha rilindin tek mua
për të të dhënë kuptim ty,
që përjetësisht më shmangesh.
Ti, e dashura ime, që je sa të gjitha kopshtet
që kanë përpirë vështrimin tim
të përmalluar. Një dritare e hapur
në një shtëpi fshati—dhe ti pothuajse
duke dalë nga dera, për të më takuar.
Në rrugët mbi të cilat rastësisht kaloj
ti sapo ke shkelur para meje dhe je zhdukur.
Dhe disa herë vitrinat e dyqaneve
që akoma kanë marramendjen
e pranisë tënde të mëparshme
drithërohen dhe më kthejnë imazhin tim të befasuar.
Ku i dihet? Ndoshta i njëjti zog përcolli jehonën
për të dy ne dje, të ndare, në mbrëmje…

KËNGË DASHURIE

Si do mund ta mbaja thellë këtë shpirtin tim,
që aty brënda meje të mos prekte shpirtin tënd?
A do mundja vallë ta ngrija aq lart, që duke kapërcyer
lartësinë tënde të  mund ta dërgoja në të tjera vënde?
Do doja ta strehoja diku fshehur mes objekteve
të largëta të humbura, në një vënd të errët dhe të heshtur
ku të mos drithërohej sa herë që thellësia jote të tingëllonte.
Por edhe kështu, çdo gjë që na prek ne të dy, mua dhe ty
na bën bashkë në një zë,  ashtu si një hark violine
që nxjerr një tingull të vetëm nga prekja e dy telave të veçantë.
Mbi cilin instrument jemi tendosur vallë
dhe cili muzikant na luan me duart e tij?
Oh më e ëmbla këngë.

PËR LOU ANDREAS-SALOME

I kisha të hapura të gjitha dyert e shpirtit, duke harruar
që atje jashtë nuk ka vetëm sende dhe kafshë
krejtësisht të çliruara nga vetvetja, kokërdhokët e të cilëve
dalin të kërcyera nga jetët e tyre, po ashtu siç rrethohen
portretet nga kornizat; harrova që në gjithë ç’kisha bërë
vazhdimisht kisha tërhequr vëmendjen brënda vetes time,
shikime, opinion kuriozitete. E kushedi çfarë tjetër,
ndoshta sytë formohen në hapësirë
dhe ndaj mund të vështrojnë gjithandej. Ah vetëm kur isha
i zhytur brënda teje, fytyra ime pushonte së ekspozuari, rritej
në ty mbështillej kacavjerrshëm zymtë e pafundësisht në
strehëzën e zemrës tënde.

Ashtu si dikush vë një shami para gojës kur teshtin
Jo: ashtu sikurse dikush e shtrëngon shaminë mbi një plagë
nga e cila jeta kërkon të rrjedhë e tëra
në një shkulm të vetëm, ashtu të shtrëngova pas vetes:
Të pashë se si u përskuqe e tëra. E si mundet vallë
frymë njeriu të përshkruajë çfarë ndodhi mes nesh.
Krijuam çdo gjë që nuk kishim pasur kohë të bënim.
Unë u rrita shtrembër në çdo impuls të
rinisë time të parealizuar dhe ti, e dashur,
përjetove fëmijërinë më të egër mbi zemrën time.

Kujtesa është e pamjaftueshme për keto gjëra:
duhet të kenë qënë shtresa të një ekzistence të dlirë
në dyshemetë e qënies time, një kondensim
i këtij solucioni pafundësisht të ngopur.

Nuk mendoj kurrë të kaluarën; gjithçka që jam
është e mbrujtur nga ty. Nuk të zbulova ty
në ato vëndet mjerisht të ftohta nga të cilat
ti kishe ikur pa kthim; dhe vetëm mosqënia jote atje
sjell një ngrohtësi brënda teje, je më reale
shumë më teper se nje privacion.
Dëshira për të pasur dikë shpesh
të udhëheq drejt mjegullës së paqartësive.
Përse duhet ta flak une veten time në to
kur siç e di mirë ndikimi yt më përmbështjell
butësisht, si drita e hënës ndejtësen pranë dritares.

Shqipëroi Merita Paparisto
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.