REFLEKSIONE
1.
më e magjishmja nat’ e gjashtëqindedytë të një mij’ e një netëve
e lumi farfuritës i oqeanit lar’ me ngashërimet e tij
si gjinjt’ e epshëm të gruas së re në pranverë
si ngritja e këngës mes rrënimit
duke e mbajtur paepshmërisht midis dhembjes
dhe bukurisë
si aroma e vlagët e manushaqes së errët të mëndafshtë
mes ashpërsisë së gurit me kristale ametisi
e rokokosë detare të guackave
si burrat që dashurojn’ në heshtje, pa poezi
edhe prej mijëra kilometrash, prapa fjalëve
të pathëna, prapa gjesteve, prapa muajve e viteve
dua t’fshihem brenda buzëve të saj prej jete
siç fshihen rrezet e diellit brenda luleve të blirit
e të lahem me flakë rrufeje
më e magjishmja nat’ e gjashtëqindedytë të një mij’ e një netëve
e lumi farfuritës i oqeanit lar’ me ngashërimet e tij
si gjinjt’ e epshm të gruas së re në pranverë
si ngritja e këngës mes rrënimit
duke e mbajtur paepshmërisht midis dhembjes
dhe bukurisë…
2.
n’orët e para të ditës vetëdija mund të kapë botën
si dora që shtrëngon një gur të ngrohur nga dielli
zgjohem prej fanitjes n’ëndërr të shputkave të Lejlës sime të vogël
në diellin e agimit që ka ndalur mbi kaskadat e errëta të detit
duke menduar se në këtë çast gjendet një njeri i mirë
që po sheh gjithçka ngado pa urrejtje
pemët e mollës e të qershisë buzëqeshin me qetësi
kam nevoj’ për to jo që të harroj por që të sjell ndërmend
ja, drita e agut po rritet ngadalë si flokët tanë
si bluja e errët e Kepit të Lagjit që i shtriq putrat në det
dhe bari e livadhet shtrihen me krah’ përpëlitës bletësh e bulkthesh të heshtur
n’orët e para të ditës vetëdija mund të kapë botën
si dora që shtrëngon një gur të ngrohur nga dielli
duke prerë me diamantin e çastit
qelqe pamjesh ah, të çdo vendi…
3.
jehona e holl’ si një lot që bëhet tingull
dhe një drit’ e freskët e përlotëse vjeshte
aroma e detit, e rrushit dhe shpirti lindës i muzgut
përndritja e çarçafëve, e kakaos, e rërës
posi hëna që bie mbi një botë
paj,të bërë shkrumb nga malli
për të vdekur më bukur
si këmisha e natës e vajzës së dashur
që shkund mornica vezulluese
gjat’ zhveshjes në terrin e afshtë
si pjesa me diell e tokës së vendlindjes së shenjtë
që del nga një emigrant në trajt’ lotësh tharë
qysh në zemër
ajri i pastër e i shkrifët si një shpirt fëmije
jetëzgjatës me erëmim të kamelieve
e shija e shtrenjt’ joshëse e mbrëmjes në tetor
si pjesëmarrja jote në vet’ tretjen tënde
si jehona e hollë, si një tingull që bëhet lot
në një dritë të freskët e përmallëse vjeshte…