RIT POETESH nga Bertolt Vranja

Bertold Vranja

RIT POETESH

Tryeza në cep, ca libra e fletë;
një laps, një tavëll, cigarja në të
një tym e një krimb në rraftin e vjetër
që mih e mih e ndalje s’ka më;
në mur gjithashtu tik-taku i vjetër
e befas në vesh fryn Hyu një zë
të parin varg poemës m’i lë.

Pastaj një varg kërkoj e një fjalë,
një rimë dhe një tingull të ndreq;
në kokë kam një trok, rend një kalë;
thundra, potkonj në gjoks si për dreq;
shkumë e tallaz dhe detin me valë,
më pas dhe një zjarr, një lëmsh i keq…
Bëj, prej vetes ta heq; si ta heq!?

Ballin zë shtrëngoj, por fjala tjetër
mish sa bëhet, aq dhe bëhet hije
tek, të dy qirinjtë, porsi fretër
lënë atë mug pendestarie
mbushur me zgafella, me ca shtretër
me ca thurrje e shthurrje fije-fije
endur nëpër duar mëkatie.

Ajri përreth meje valë-valë
herë ma than shpinën her’ ma nxeh,
herë ndihem zog, një gjarpër, herë kalë,
dhe harroj ku jam e çfarë më deh.
Por veç, më të shumtën, jam një djalë
që në ujëra malli veten preh,
ku çdo gur e zall këmbën ma njeh.

Herë të tjera vetes i bëj gjyq
S’i nuk kalërova për një lot
kali im i mbetur n’udhëkryq
thundrat i përplas e pret më kot
s’jam më një kalorës, por një qyq
dhe sa shoh s’do t’jem as sot as mot;
fjala bën të dalë e nuk del dot.

Për çdo varg që lind vjen një: “sikur!”
Tjetri, ai tjetri që do vijë më pas
më i mirë do jetë; të mih në çdo gur
se një ditë, sigurisht, do has
nuk e di në ç’vend, s’e di se kur;
në mos diamant, fjalë me ar
veten do ta ha sikur dhe n’varr.

A s’më thua Zeus, Ti o Perëndi,
kur e linde bijën Athina,
mu prej kokës, kur e nxorre, si
i durove dhimbjet që të dha?
Ti që shkrep rrufetë, mos ma fshih,
si t’i përballojë, thuamë pra,
një i vdekshëm lindjet e mëdha!?

Përmbi tryezë, si çdo her’ tjetër
ca fletë, një laps e bashkë me të
ca fjalë ngjyra e tinguj mbi letër
me duar, sy e veshë edhe me zë…
U lind një foshnjë e re nga riti i vjetër,
të tillë gëzim në botë ka veç një
Dhe tash e di përse, për çfarë e kë…
2000 – 2018

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.