ATDHEU IM
…………………
S’më lënë ta shoh Atdheun tim
T’i fshij me dorë zjarrminë e ballit
Duroj e pres, si pelegrin
E derdh ca lotë në breg të Jalit
Dhe deti mjekrën zall më zall
Fërkon e kreh në brigje guri
S’po gjej me sy një shteg të dal
Kërkoj shqiponjën te flamuri!
Më ndjek mbi krye një pulbardhë
Sikur t’a ndjente brengën time
Në vënd të varkës vjen një valë
Era më mbyt me pêrqafime
Kuletë e turpit afër meje…
Në qafê sejmenësh pamjengrirë
(Zeusi s’nis një hark rrufeje!)
Vampiri pret me dorën shtrirë
Ky breg më ngjan-tabut prej guri
Padronin pret, t’i bëjë pak vënd
Po s’pati nder, nuk shahet burri
Veç ndjej se shpirti po më dhëmb!
S A R A J E T
Tek varret e Gumene
As paqja s’gjën dot paqe
Nuk rriten luledele
As çelen manushaqe
Nga tempujt që ndërtuan
Bekimet s’di ku sosën
Sarajet u rrënuan
Dhe trimat u varrosën
Eh, simfoni trishtimi
Si kuje më ndjek prapa
Me ngjyra pikëllimi
Nuk mund të luaj harpa
Karvan i Grebenesë
Ç’tabute sjell ngarkuar?
Mbi besën e pabesë
Kaini rend shaluar
Vezikua brenda gjirit
Tri vdekje bashkë i mbante
Si shpuza brenda hirit
Nuk dinte kë të qante!
U shua Trëndafilja
Dhe shkoi pas të birit
Ç’mallkim pati pikuar
(Feniks që lind prej hirit!)
Për Nasen, Refo-korba
Në ç’lumë të zi të hidhej
Dhe kulla si kaike
Nga ulërimat dridhej
Për jetët që këputen
As Shuri s’flet, as Qarri
Misteret thellë futen
I merr me vete varri
Kam frikë se nënat presin
T’u hyjnë djemtë brënda
Ah, histori katilësh
Që mos t’u ndaftë nëma!
RRAPI I KAÇ ANDONIT
Dy rrepe rrinë karshi
Në qendër të Janinës
Oh, ç’dhimbje kanë në gji
Kreshnikët e Jutbinës
Krrokamat ndjellin mort
Fermanet shpall dovleti
Një dorë troket në portë
Vezirin pret mileti
Se nata zgjat pafund
E zbathur ecën frika
Litari degët shkund
Dhe sytë i shqyen dita
Mbi gjolin e liqenit
S’përkundet asnjë varkë
Rënkimet e haremit
U mbytën nëpër natë
Me vdekjen sy më sy
Ca trima pamjesertë
Një zjarr u djeg në gji
Nga lart kullojnë retë
Dhe ja, litari zbret
Si gjarpër, sipër fronit
(Tirana s’ka një rrap
Si rrap i Kaçandonit!)